Kërko

Ndjeti i lutjes së Papës për prillin: të ndihmohen njerëzit të shkëputen nga varësitë e sotme

Në Videon e Papës, me të cilën Ati i Shenjtë paraqet ndjetin e lutjes për muajin prill, Françesku tërheq vëmendjen mbi varësitë e ndryshme në shoqërinë e sotme dhe kërkon lutje që njerëzit të lirohen nga vuajtjet e shkaktuara prej tyre.

R.SH. - Vatikan

U bë i njohur “Videoja e Papës”, me të cilën Françesku njoftoi sot ndjetin e lutjes për muajin prill. Ati i Shenjtë u kërkon gjithë besimtarëve të krishterë të luten për lirimin e miliona njerëzve, të cilët vuajnë nga varësi të ndryshme në shoqërinë e sotme. Në një epokë shqetësimesh të mëdha për pandeminë, që ka përfshirë njerëzimin, Papa nuk harron problematikat e tjera e kërkon lutje edhe për to.

“Drama e varësisë” përfshin jo vetëm varësitë ndaj drogës, alkoolit dhe duhanit, të cilat vazhdojnë të jenë mbizotëruese në shoqëri. Kjo dramë merr forma të reja sot: sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përdorimi në rritje i internetit, kompjuterëve, smartphoneve dhe pajisjeve të tjera elektronike nuk sjell vetëm përfitime për përdoruesit dhe shoqëritë, por edhe raste të dokumentuara të përdorimit të tepruar, që shpesh çojnë në varësi, me pasoja negative për shëndetin. Të tilla janë lojërat e fatit dhe bastet, pornografia, përdorimi i tepruar i videolojërave dhe prania thuajse e vazhdueshme në platformat e botës dixhitale. Përdorimi i pamasë i platformave ndikon në cilësinë e marrëdhënieve të përditshme me të afërmit.

 Përballë këtyre “rreziqeve të hapësirës virtuale”, Ati i Shenjtë shpjegon se “bazuar në Ungjillin e mëshirës, mund t’i lehtësojmë, t’i mjekojmë e t’i shërojmë vuajtjet e shumta, që lidhen me varësitë e reja”, për shembull, përmes parandalimit, rehabilitimit dhe reintegrimit.

Atë Frédéric Fornos S.J., drejtori ndërkombëtar i Rrjetit të Lutjeve Botërore të Papës (i cili përfshin Lëvizjen Eukaristike Rinore), pohon se “bashkësitë e krishtera nuk pretendojnë të japin përgjigje përfundimtare. Ka organizata dhe shoqata, që dinë si t’i trajtojnë njerëzit e varësitë e tyre, por bashkësitë e krishtera mund të jenë një mbështetje e vërtetë. Përmes vëllazërimit dhe faljes, janë të thirrura të ndihmojnë ata, që bëhen skllevër të drogës, ose të formave të tjera të varësisë, të gjejnë Jezusin, të provojnë se Zoti shpëton”. Tradita shpirtërore e krishterë ka një përvojë të shkëlqyeshme në ndihmën për të mos e lënë veten në udhët e vdekjes, por për të zgjedhur jetën. “Për shembull, - vijon atë Fornos - mund të kujtojmë sëmundjet e shpirtit, diagnostikuar nga Evagrio Pontico, një nga etërit e shkretëtirës së shekullit të katërt, i quajtur edhe ‘shqyrtuesi i shpirtit’. Duke na ftuar të ushqehemi me Fjalën e Zotit, Evagrio na ndihmon ‘të vemë rend në jetë’ e ta orientojmë vetëm kah Zoti, ‘Udha, e Vërteta dhe Jeta’ (Gjn 14)”.

Gjithmonë pranë njerëzve që vuajnë, “Videoja e Papës” na fton të lutemi “që të gjithë njerëzit, nën ndikimin e varësive, të ndihmohen dhe të shoqërohen si duhet”.

02 prill 2020, 17:05