Shenjtërorja e Mëshirës Hyjnore, kisha e Shpirtit Shenjt në Sassia, Reflexa photos Shenjtërorja e Mëshirës Hyjnore, kisha e Shpirtit Shenjt në Sassia, Reflexa photos 

Mesha e Papës në kishën e Shpirtit Shenjt në Sassia, për festën e Mëshirës Hyjnore

Të dielën, 19 prill, Papa Françesku do të kremtojë në kishën e Shpirtit Shenjt në Sassia, shenjtërore romake kushtuar përshpirtërisë së Mëshirës Hyjnore, festën e themeluar në vitin 2000 nga shën Gjon Pali II, siç i pati kërkuar Jezu Krishti shën Faustina Kovalskës.

R.SH. - Vatikan

Këtë vit, festa e Mëshirës Hyjnore, që bie të dielën e ardhshme, mbush 20 vjet e, Papa Françesku do ta kremtojë me një meshë në formë private, pas së cilës do të thotë lutjen e Mbretëreshës Qiellore, vetëm disa metra larg Sheshit të Shën Pjetrit, në Vatikan e, pikërisht, në kishën e Shpirtit Shenjt në Sassia, shenjtërore romake kushtuar përshpirtërisë së Krishtit të Mëshirshëm, ashtu siç iu duk shën Faustina Kovalskës. Pra, të dielën, më 19 prill, në orën 11.00, njofton Salla e Shtypit e Vatikanit, Papa Françesku shkon në këtë kishë 25 vite pas shën Gjon Palit II. Qe pikërisht Papa polak, i cili, në ditën e shpalljes së motër Faustinës shenjte të Kishës Katolike, më 30 prill 2000, në të Dielën e parë pas Pashkëve, quajtur “in albis”, e themeloi këtë festë, kërkuar nga vetë Jezu Krishti, gjatë njërit prej vizioneve mistike të murgeshës, edhe ajo polake.

Në vitin 1995, Gjon Pali II kremtoi meshën, në të dielën “in albis”

 Papa Wojtyla e pati kremtuar meshën në kishën e Shpirtit Shenjt në Sassia më 23 prill 1995, në të Dielën “in albis”. Vetëm një vit më parë, kardinali-vikar i dioqezës së Romës, Camillo Ruini, pati themeluar aty një qendër të përshpirtërisë së Mëshirës Hyjnore. Në fund të kremtimit, Papa pati bekuar fuguren e Krishtit të Mëshirshëm, që ndodhet në atë kishë të ndërtuar nga mesi i viteve ‘800, me dëshirën e Papës Leoni IV. Më pas, qe Papa Pali III ai, që e rindërtoi dhe e ktheu me fasadë kah Bazilika e re e Shën Pjetrit, në vitin 1538.

Altari kushtuar shën Gjon Palit II në kishën e Shpirtit Shenjt në Sassia, foto Reflexa
Altari kushtuar shën Gjon Palit II në kishën e Shpirtit Shenjt në Sassia, foto Reflexa

Lidhja e Karol Wojtyla-s me Tetëditëshin e Pashkëve

Papa polak, i përkushtuar që në moshë të re ndaj kultit të Mëshirës Hyjnore, promovuar nga motër Faustina, e cila vdiq më 1938, kur ishte vetëm 33 vjeçe, në Krakovin e tij, e pati shpallur murgeshën të lume dy vite më parë, më 18 prill 1993, gjithnjë në Tetëditëshin e Pashkëve. Në prag të festës së themeluar prej tij, më 2 prill 2005, Karol Wojtyla u kthye në shtëpinë e Atit Qiellor; më 1 maj 2011, gjithnjë në të Dielën e Mëshirës Hyjnore, ai u shpall i lum nga pasardhësi i tij, Benedikti XVI dhe, më 27 prill, e Diela e parë pas Pashkëve, Papa Françesku e shpalli shenjt së bashku me Gjonin XXIII.

Festë, që ia kërkoi motër Faustinës, vetë Jezu Krishti

Siç kujtoi Papa Françesku dje, në audiencën e përgjithshme, ishte vetë Jezu Krishti, që iu duk motër Faustinës më 1931, në Plock, duke i kërkuar asaj themelimin e festës së Mëshirës Hyjnore. Ajo duhej të ishte “mbrojtje dhe strehë për të gjitha shpirtrat, veçanërisht për mëkatarët”.

Targa, që kujton vizitën e Papës Woytila më 1995, në kishën e Shpirtit Shenjt në Sassia, foto Reflexa
Targa, që kujton vizitën e Papës Woytila më 1995, në kishën e Shpirtit Shenjt në Sassia, foto Reflexa

Kisha e Shpirtit Shenjt në Sassia, mëshirë e baritori për të sëmurët

Kur vizitoi shenjtëroren romake në vitin 1995, vetëm dy hapa larg Vatikanit, shën Gjon Pali II e falënderoi Zotin në “këtë kishë të Shpirtit Shenjt në Sassia, ngjitur me spitalin me të njëjtin emër e, shndërruar në qendër të specializuar për kujdesin baritor të të sëmurëve, si dhe për promovimin e përshpirtërisë së Mëshirës Hyjnore. Është kuptimplote që pikërisht këtu, pranë spitalit të lashtë, njerëzit luten dhe punojnë me kujdes të vazhdueshëm për shëndetin e trupit dhe të shpirtit”.

Ndjesa e plotë për ata, që marrin pjesë në kremtim

Pesë vite më vonë, duke themeluar festën e Mëshirës Hyjnore, Papa Wojtyla pati dhënë Ndjesën e plotë “në kushtet e zakonshme – siç lexohet në dekretin themelues të Pendestarisë Apostolike – që janë: Rrëfimi Sakramentor, Kungimi Eukaristik” sapo kjo të jetë e mundur, dhe “lutja sipas ndjetit të Atit të Shenjtë”. Për Ndjesën e plotë, që, natyrisht, mund të merret edhe sot, gjithnjë në të Dielën e dytë pas Pashkëve, pra në atë të “Mëshirës Hyjnore”, besimtari “duhet të shkojë në një kishë apo orator të çfarëdoshëm, me shpirtin krejtësisht larg nga dëshira për çdo lloj mëkati, qoftë edhe jo të vdekshëm, të marrë pjesë në praktikat e devotshme në nder të Mëshirës Hyjnore, ose të paktën, të thotë, në praninë e të Shenjtnueshmit Sakrament të Eukaristisë, ekspozuar publikisht, ose ruajtur në tabernakull, lutjen ‘Ati ynë’, ose ‘Besojmën’, duke shtuar një lutje të përshpirtshme për Jezu Krishtin Zot të Mëshirshëm”.

16 prill 2020, 15:55