Kërko

Lutja e heshtur e Papës gjatë Udhës së Kryqit, në Shën Pjetër

Në Sheshin e Shën Pjetrit, të zbrazur, por të ndriçuar nga një varg dritash e nga Kryqi i Krishtit, Papa Françesku kryesoi mbrëmë Udhën e Kryqit, të cilën, për herë të parë gjatë papnisë së tij, nuk e kremtoi në Koloseum, për shkak të koronavirusit. Në qendër të vëmendjes gjatë meditimeve, dhimbja dhe shpresa e shumë njerëzve të padukshëm, por që nuk dorëzohen para së keqes e vdekjes.

Udha e Kryqit, Udha e Dritës. Kryqi e Drita! Në dhimbjen e Jezusit, që vdes, është rilindja e njerëzimit. Në martirizimin e Tij, siguria se na pret jeta e pasosur! Sivjet ishte Bazilika e Vatikanit, vendvarrosja e Pjetrit, sfondi i kremtimit të së Premtes së Madhe. Jo Koloseumi, amfiteatri  ku ruhet kujtimi i martirëve, por zemra e krishterimit, që po bëhet gjithnjë e më shumë kishë shtëpiake në këtë kohë të vështirë, të tronditur nga coronavirusi. Një epidemi, që krijon distancë, lot e vetmi. E megjithatë aty, nën Kryq,  jemi të gjithë: të mundurit, të braktisurit, të fuqishmit, të gjithë   të barabartë para syve të Zotit!

Zoti e dëgjon zërin e ngjirur të njerëzve të padukshëm

Në tremen e Bazilikës binte përsëri në sy Kryqi i Shën Marçelit, pikërisht ashtu si dy javë më parë, kur Françesku u lut që të marrë fund pandemia. Aty, në tremen e Bazilikës, Papa kishte para vetes sheshin e zbrazur të ndriçuar nga dritëzat, që shënonin vendin ku do të kalonte Kryqi. Pa asnjë njeri, por plot me pyetje, me të vërteta, me sytë e të burgosurve të Padovës “Due Palazzi”, autorë të meditimeve e të lutjeve lartuar drejt Kryqit, drejt Zotit,  që i  njeh mirë vuajtjet, lotët, shpresat e tyre.

Françesku dëgjon e lutet në fund të çdo meditimi, e në përfundim të Udhës së Kryqit, jep bekimin. Fjalë lutjeje, si përgjigje, që marrin shumë e shumë zëra gjysëm të shuar nga dhimbja! Zërat e atyre, që jetojnë në heshtjen  e burgjeve. E fjalë respekti për vuajtjen e një bote që, në kulmin e pandemisë, e ndjen veten keq, të kryqëzuar e që do ta kishte humbur çdo shpresë, po të mos kishte Kryqin!

Hiri i lotëve

Në këtë të Premte të Madhe, Kryqin e mbartën cireneit, pjetrat e barabat e kohëve tona. Njerëz, që gabuan, pësuan, dëgjuan të shqiptohej për ta britma “Kryqëzoje”, por që në fund të fundit e kuptuan se jeta pëson, nuk dorëzohet para së keqes! Se duke kërkuar Fytyrën e Zotit,  njeriu shikon  bulimin e një bukurie të papërfytyrueshme. E lutet:

“O Zot, që nuk na lë në errësirë e nën hijen e vdekjes, ndihmoje njeriun e ligshtë!

Çliroje nga zinxhirët e së keqes, e mbroje, që të mund të këndojë në amshim mëshirën tënde!”

Papa rrok kryqin

Në stacionin e fundit Françesku mori kryqin, që iu dorëzua nga një infermiere. Meditimi ishte i një punonjësi të policisë së burgjeve. E fjalët,  me të cilat përfundoi Udha e mbrëmshme, e jashtëzakonshme e Kryqit.  Udhë dhimbjeje, por e hapur për rilindjen, fjalë që mund të kuptohen vetëm në Zotin!

11 prill 2020, 11:07