Papa Françesku gjatë vizitës në Strasburg, në Parlamentin Evropian Papa Françesku gjatë vizitës në Strasburg, në Parlamentin Evropian 

Kthim në ëndrrën e Etërve Themelues

Në orën më të vështirë për Evropën, që nga Lufta II Botërore, kthimi në zanafillën e projektit evropian mund t’i japë një hov të ri - Kontinentit të vjetër! Është “ëndrra e Etërve Themelues”, siç e quan Papa Françesku, “ëndërr konkrete”, me emrin solidaritet!

R. SH. - Vatikan

Në 9 maj, siç ndodh që prej 35 vjetësh, do të kremtohet Dita e Evropës. Natyrisht sivjet do të jetohet me një frymë krejt të veçantë. Në disa vende të Bashkimit Evropian do të përkojë me provat e para për t’u rikthyer në “jetën normale”, ndërsa në të tjerat, ndoshta do të vijojë jeta nën barrën e masave parandaluese për t’iu kundërvënë përhapjes së infektimit nga Covid-19. Sigurisht ky kremtim, që bie në periudhën më dramatike pas Luftës II Botërore, mund të jetë mundësi për t’u ndalur një ças e për të reflektuar mbi identitetin dhe misionin e Shtëpisë së përbashkët evropiane. Duke u nisur nga kjo Ditë, 9 maji, datë të cilën pak qytetarë evropianë e ndjejnë si të tyren e, ndoshta, akoma më pak e dinë pse u zgjodh për këtë  ngjarje të madhe.

E atyre, që nuk e dinë, po ua kujtojmë:

“Më 9 maj  të vitit 1950 - jemi, pra, në 70-vjetorin e ngjarjes - Ministri i  jashtëm francez, Robert Schuman, pati shqiptuar një fjalim të paharrueshëm, me të cilin propozonte krijimin e bashkimit evropiam të Qymyrit e të Çelikut (CECA), hap i parë i udhës që, përmes një sërë institucionesh kontinentale, do të çonte, dyzet vjet më vonë, në lindjen e Bashkimit Evropian. Të mrekullon aktualiteti i kësaj Deklarate. Schuman,  i cili i kishte ende në sy pamjet tronditëse, lënë pas nga lufta vëllavrasëse, që e kishte dërmuar Evropën dhe botën, kujtonte se  paqja nuk do të  mund të shpëtohej ndryshe “përveçse me përpjeket krijuese, në përpjestim me rreziqet, që e kërcënojnë”. Paqe e solidaritet! “Evropa - pohonte Schuman,  duke pasur parasysh udhën që do të bëhej në dhjetëvjeçarët e ardhshëm - nuk mund të bëhet menjëherë; ajo do të ndërtohet me forcat e përbashkëta, do të rilindë nga realizimet konkrete, që duhet të krijojnë një solidaritet të mirëfilltë”. E, duke folur për objektivin parësor të CECA-s: shkrirjes së prodhimit të qymyrit dhe çelikut - posaçërisht në Francë e Gjermani - nënvizonte  se “ky prodhim do t’i ofrohej mbarë botës, pa asnjë dallim a përjashtim, për të dhënë ndihmesën në rritjen e nivelit të jetesës dhe të progresit të veprave të paqes”. Forca profetike e këtyre fjalëve qe e tillë sa, edhe pas shumë e shumë vitesh, në Këshillin Evropian të Milanos, në qershor të vitit 1985, u morën si pikëmbështetje për themelimin e Festës së Evropës, që përkon me datën kur Schuman shqiptoi fjalimin e tij të famshëm.

Afrimi i kësaj feste, në një situatë që e vë në provë tejet të vështirë  vijimin e ndërtimit të bashkësisë evropiane, të kujton se mund të mësohet akoma shumë nga mënyra sesi “Etërit Themelues” iu përgjigjen emergjencave të ndryshme, jo më pak të rënda se këto që sot janë të thirrur t’i përballojnë liderët e Bashkimit Evropian. “Burra e politikanë të vërtetë, objektivë e realistë” - siç i kujton Joseph Ratzinger - për të cilët “politika nuk ishte pragmatizëm i pastër, sepse hynte në lidhje të ngushta edhe me moralin”. Pikërisht për t’u kthyer tek rrënjët, tek vlerat themeluese të Evropës, bën thirrje Françesku - Papa i parë jo evropian pas disa shekujsh – që i ka vazhdimisht në qendër të vëmendjes liderët e popujt evropianë e që kohët e fundit, në një mënyrë prekëse për të gjithë, e jo vetëm besimtarët, në Mesazhin Urbi et Orbi të Pashkëve, ndërmjet të gjitha zonave të botës, të prekura nga koronavirusi, i drejtoi një mendim të veçantë Evropës. Pas Luftës II Botërore - kujtoi - ky kontinent i dashur mundi të rilindej falë frymës konkrete të solidaritetit, që e ndihmoi t’i kapërcejë rivalitetet e së kaluarës. Është më urgjente se kurrë, posaçërisht në rrethanat e sotme, që këto rivalitete të mos e ngrenë më kokën, por të gjithë ta kuptojnë se janë pjesë e një familjeje të vetme e ta mbështesin njëri-tjetrin. Sot Bashkimi Evropian është përballë një sfide epokale, nga e cila varet jo vetëm ardhmëria tij, por edhe ajo e mbarë botës. Nuk duhet humbur rasti për të dhënë një provë solidariteti, edhe duke kërkuar rrugëzgjidhje të reja. Alternativa është vetëm egoizmi i interesave të veçanta dhe tundimi i rikthimit të së kaluarës, me rrezikun e vënies në provë të rëndë të bashkëjetesës paqësore dhe të zhvillimit të breznive të reja.  Virusi i lashtë i përçarjeve dhe i egoizmave kthehet, por kthehet edhe vaksina  gjithnjë e frytshme e solidarietit ose, për ta thënë me një shprehje edhe më të dashur për Papën,  e “vëllazërimit njerëzor”.

Duhet kujtuar e kaluara, për të përballuar të tashmen e për të projektuar të ardhmen, aq më tepër në kohë  pasigurie. Këtë e kujton shpesh Papa i ardhur nga fundi i botës, por bir emigrantësh nga Kontinenti i vjetër. E kujton në Vatikan, ashtu si në Strasburg. E edhe gjatë shtegtimeve të tij apostolike në Evropë, pothuajse gjithnjë në vende larg qendrës politike dhe ekonomike, që nga shtegtimi i tij i parë në Shqipëri, tek i fundit, në Rumani. Ndoshta mënyra më e bujshme, me të cilën nxiti për t’u rikthyer tek rrënjët - në gjurmët e Papës së madh evropeist Gjon Palit II - ishte kur mori Çmimin Karli i Madh. Më 6 maj 2016, duke iu drejtuar krerëve të institucioneve evrpiane, kujtoi fjalët e  Elie Wiesel, që pati theksuar se Evropa ka nevojë për “transfuzionin e kujtesës”.  Kjo - nënvizonte, duke rikujtuar fjalët e një të mbijetuari prej njërit nga kampet naziste të shfarosjes në masë - jo vetëm do të na mbrojë nga rreziku i përsëritjes të të njëjtave gabime të së kaluarës, por do të na krijojë edhe mundsinë t’i bëjmë tonat ato fitore, të cilat i ndihmuan popujt tanë t’i kapërcejnë pozitivisht udhëkryqet historike.

Ëndrra e Françeskut për Evropën është ajo e Etërve Themelues. Ëndërr,  tek e cila “duhet kthyer”, siç e kujtoi gjatë një konference shtypi në avion, kur kthehej nga vizita në Rumani, më 2 qershorin e kaluar. Endërr, që quhet “Solidarietet”, për të cilën sot kemi nevojë më shumë se kurrë, për ta “përditësuar idenë e Evropës”.

Me rastin e 60-vjetorit të Traktatave të Romës, duke pritur krerët e Shteteve e të qeverive të Bashkimit Evropian, Françesku, në fjalën e tij, kujtoi:

“25 marsi 1957 ishte një ditë e ngarkuar me pritje e shpresa, ditë entuziazmi e meraku e vetëm një ngjarje e jashtëzakonshme për rëndësinë dhe pasojat historike, mund ta bënte të pashembullt në histori. Kujtimi i asaj dite bashkohet me shpresat e së sotmes e me pritjet e popujve evropianë, që kërkojnë ta shqyrtojnë të sotmen, për të vijuar me hov të ri e besim, udhën e nisur.

Ishin tejet të vetëdijshëm Etërit themelues - pohoi Papa - dhe liderët që, duke nënshkruar dy Traktatet, e vunë në jetë këtë realitet politik, ekonomik, kulturor, e sidomos, njerëzor, që sot e quajmë Bashkim Evropian. Nga ana tjetër - shtoi - siç pati thënë Ministri belg i Punëve të Jashtme Spaak, bëhej fjalë “për ekonomitë tona, progresin shoqëror, mundësitë industriale e tregtare krejtësisht të reja, por sidomos, për një konceptim krejt të veçantë  të një  jete vëllazërore e të drejtë, në shërbim të njeriut”.

Etërit themelues na kujtojnë se Evropa nuk është një tërësi rregullash për t’u zbatuar, nuk është doracak protokollesh e procedurash për t’u  realizuar. Është jetë, është mënyrë për ta konceptuar njeriun, duke u nisur nga dinjiteti i tij transhendent e i patjetërsueshëm, e jo vetëm një tërësi të drejtash që duhen mbrojtur a që duhen kërkuar. Në zanafillë të idesë së Evropës - ngulmoi Papa - është figura dhe përgjegjësia e njeriut, me tharmin e vëllazërisë ungjillore, me dëshirën për të vërtetën dhe drejtësinë,  të mprehur nga përvoja mijëravjeçare. Roma, me thirrjen e saj për universalitet, është simbol i kësaj përvoje e prandaj edhe u zgjodh si vend për nënshkrimin e Traktateve, sepse këtu - pati kujtuar Ministri  holandez i Punëve të Jashtme, Luns - u hodhën bazat politike, juridike e shoqërore të qyetetërimit tonë.

Nëse qe e qartë që në  fillim se zemra pulsuese e projektit politik evropian nuk mund të ishte tjetër, veç njeriu, ishte po aq e qartë se rreziku që traktatet të mbeteshin letër e vdekur. Ndërsa duhet të ishin përplot me shpirt jetik!

Nga solidariteti - vijoi Papa -  lind aftësia për t’ua hapur zemrën të tjerëve, “Planet tona nuk kanë natyrë egoistike - pati thënë Kancelari gjerman Adenauer. Pa dyshim, vendet që po bashkohen, nuk duan të izolohen nga pjesa tjetër e botës e të rrethohen me mure të pakapërcyeshme”.

Në kujtesën e zbehur të ditëve tona, shpesh harrohet edhe një fitore tjetër, fryt i solidaritetit, sanksionuar më 25 mars 1957: koha më e gjatë e paqes  në shekujt e fundit. Popujt, që në rrjedhë të historisë shpesh u ndeshën në kampe të kundërta, duke vringëlluar armët njëri kundër tjetrit, tani janë të bashkuar, me pasurinë e karakteristikave të tyre të veçanta kombëtare, e paqja vendoset gjithnjë me kontributin e lirë e të vetëdijshëm të secilit. Por pa u parë kurrë si pasuri e përhershme, sepse mund  edhe të përfundojë, e pa të nuk është e mundur të ndërtohet e  ardhmja për askënd”.

Ishte data 24 mars 2017 kur Françesku i shqiptonte këto fjalë. Kanë kaluar vetëm tri vjet, e tre muajt e fundit - me barrën e rëndë të vuajtjeve, të vdekjes, të ankthit, që po jetojmë, e bëjnë më urgjent se kurrë solidaritetin.

Kjo është koha e solidaritetit, në të cilën askush “nuk mund ta shpëtojë veten - i vetëm”.

20 prill 2020, 14:33