Kërko

 Njerëz me maska, në park Njerëz me maska, në park 

Giovagnoli: urojmë që qeveritarët ta dëgjojnë Papën e të ndjekin udhën e së mirës së përbashkët

Në meshën e djeshme, Papa Françesku u lut që politikanët të dinë të marrin vendime për të mirën e përbashkët. Koment i historianit italian, Agostino Giovagnoli.

R.SH. - Vatikan

Bota e politikës, në qendër të ndjetit të lutjes së Papës Françesku, gjatë meshës së djeshme kremtuar në Shën Martë. Duke u bërë jehonë fjalëve të shën Palit VI, i cili nënvizonte se “politika është forma më e lartë e bamirësisë”, Ati i Shenjtë u lut që, në këto kohë pandemie, partitë politike të kërkojnë së bashku të mirën e vendeve të tyre e jo të mirën e partisë. I komentuam këto fjalë me historianin italian, Agostino Giovagnoli, pedagog i historisë bashkëkohore në Universitetin Katolik të Milanos:

Papa Françesku, në këtë periudhë, ka folur disa herë, drejtpërdrejt e qartë, për shumë çështje. Tani, preku problemin e atyre, që qeverisin, problemin e politikanëve, në këtë fazë, problem i rëndësishëm, sepse pandemia e ka gjetur një pjesë të mirë të botës të çekuilibruar nga pikpamja politike, me marrëdhënie, që kërkojnë me çdo kusht konsensusin zgjedhor. Vetë fenomeni i populizmit lidhet me këtë. Është e qartë se pandemia u kërkon politikanëve, sidomos qeveritarëve, krejt tjetër gjë: u kërkon të marrin vendime me shpejtësi, duke marrë parasysh kompetencat – edhe kjo, diçka jo shumë e vlerësuar kohët e fundit – nganjëherë, duke lënë mënjanë popullaritetin, aq sa vendimet për t’u mbyllur në shtëpi shkaktojnë protesta në shumë situata.

Kohët e fundit, Papa u lut për politikanët, që të marrin vendimet e duhura edhe pas pandemisë, periudhë që mund të shfrytëzohet ose për rilindjen e popujve, ose për t’i ndërtuar idhuj zotit-para, duke lënë popullsi të tëra në uri, në skllavëri, në luftë, në injorancë, duke fabrikuar armë. Njerëzimi ndodhet sërish para dy udhëve e duhet të zgjedhë…

Dy udhët e mëdha, pa dyshim, janë alternative, në këtë çast. Rrallëherë, në histori, gjejmë kohë të tilla, me dilema kaq të qarta. Sigurisht, Papa Françesku ka aftësinë të kuptojë se popujt e qeveritë janë para një dileme epokale. E është ajo e rrugës së rindërtimit, e cila duhet të ketë parasysh të mirën e përbashkët, interesin kolektiv, që nuk është vetëm interes kombëtar, sepse pandemia ka të bëjë me realitetin e një bote gjithnjë e më shumë të ndërvarur e të globalizuar. E duhet thënë se kujdesi për më të varfërit duhet të jetë pjesë përbërëse e këtij plani për të mirën e përbashkët. Nga ana tjetër, kemi zotin-para, thotë Papa Françesku, logjikën e ngushtë të interesave të veçanta, të pjesshme, të cilat janë edhe në konflikt ndërmjet tyre e nëse ndiqen, i dëmtojnë të gjithë. Pra, në këtë çast, nuk kemi as leverdi të ndjekim udhën e egoizmit, të interesave të veçanta, të konfliktit të skajshëm e të mungesës së bashkëpunimit. E kjo, edhe në nivelin e organizatave ndërkombëtare, që në këtë periudhë, duhet t’i mbështesim e jo t’i pengojmë me polemika. Më duket se udhëzimet e Papës Françesku e, edhe detyra, që i ka besuar Dikasterit për Zhvillimin e gjithanshëm Njerëzor, i cili duhet të arsyetojë e të bëjë propozime për kohën pas pandemisë, shkojnë në këtë drejtim. Urojmë që qeveritarët e gjithë botës t’ia vënë veshin largpamësisë konkrete të Papës Françesku.

Nevojitet një këndvështrim i ri mbi sistemin e bashkëjetesës, që kemi krijuar. A është e mundur kjo, në këtë kohë?

Mendoj se po. Vizionet për sistemin janë tejet të rëndësishme, kur duhet vënë dorë mbi vepra shumë të ndërlikuara. Le të mendojmë për periudhën pas Luftës II Botërore, kur bota rifilloi jetën me një vizion të ri sistemi. Lindën Organizata e Kombeve të Bashkuara, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, pra, një sërë strukturash ndërkombëtare, që përvijonin si e donim botën pas Luftës. Natyrisht, vizionet mbi sistemin nuk improvizohen e ky është problem, sepse tani, duhen marrë me shpjetësi shumë vendime, në një gjendje të ndërlikuar e duke marrë parasysh interesa, në konflikt ndërmjet tyre. Kjo e shton vështirësinë, e cila mund të kapërcehet vetëm duke pasur të paktën një perspektivë të qartë. Nëse nuk kemi një vizion mbi sistemin që duam, së paku, duhet të përvijojmë vija udhëheqëse, nga të cilat nuk duhet absolutisht të largohemi. Mbi to duhet realizuar një konsensus sa më i gjerë. Pastaj, kemi edhe çështjen e vullnetit të mirë. Është e qartë se do të gjendemi para shumë nyjeve, të cilat do të na çojnë drejt vendimeve të caktuara e, edhe drejt gabimeve – këtë duhet ta kemi parasysh – prandaj, duhet të korrigjojmë diçka gjatë udhës e madje, me shpejtësi. Shpejtësia mund të realizohet vetëm nëse kemi një lloj vullneti të shtuar për këtë, që na jep mundësinë të marrim vendime të menjëhershme, na lejon të korrigjojmë gabimet, të ecim përtej pengesave e vështirësive burokratike, pra, përtej gjithçkaje, që mund të na i ngadalësojë hapat e shpjeta, të cilat janë shumë të rëndësishme.

Duhet menduar edhe për mbështetjen e të varfërve, në gjithë botën…

Pandemia krijon papunësi, krijonvarfëri. Që tani, shohim se vullnetarët katolikë, për shembull, duhet të ndihmojnë familje, që më parë, kishin kushte jetese pak a shumë normale, por tashmë u duhet të shkojnë në qendra, në menca, për të kërkuar mbështetje. Kemi pastaj, aspektin ndërkombëtar të këtij problemi. Është e qartë se në vendet jo perëndimore, ky problem është dramatik. Mendoni, për shembull, sa po përhapet pandemia në Amerikën Latine, ndoshta, disi më pak në Afrikë, por deri tani… Nuk është e pranueshme që, pas pandemisë, varfëria të shkaktojë viktima të tjera.

21 prill 2020, 12:27