Françesku: Triditshi i Pashkëve, ndërmjet Kryqit të Krishtit e Ungjillit

Në audiencën e sotme të përgjithshme, nga Biblioteka Apostolike, Papa i ftoi besimtarët t’i jetojnë Mundimet dhe vdekjen e Krishtit si “liturgji e madhe shtëpiake”, me sytë ngulur mbi kryqin e Krishtit e duke medituar fjalët e Ungjillit

R. SH. - Vatikan

“Liturgjia shpëpiake” në triditshin e Pashkëve, do të kremtohet me dy gjeste: duke shikuar Krishtin e kryqëzuar e duke lexuar Ungjillin. Në këtë mënyrë, sipas porosisë së Papës,  duhet t’i jetojmë çastet më prekëse  para Pashkëve, në një kohë të vështirë të historisë, që i ngjet Udhës së Kryqit. Kohë, në të cilën lindin shumë pikëpyetje. E disa prej tyre - pohon Papa - kanë të bëjnë edhe me Zotin. Françesku i kujtoi kështu, këto pyetje tronditëse: “Ç’po bën Zoti përballë dhimbjes sonë? Ku është, kur gjithçka shkon zi e më zi? Pse nuk i zgjidh menjëherë problemet?”. Për të shtuar, më pas, se pikërisht tregimi i Mundimeve të Krishtit na ndihmon t’u japim përgjigjen e duhur.

Centurioni zbulon fytyrën e vërtetë të Zotit  

Edhe njerëzit që e rrethonin Krishtin, kishin shumë pyetje lidhur me të. Pyesnin njerëzia: “Thua vërtet do ta shpëtojë popullin nga armiqtë e tij?” Jezusi nuk ua mbushte syrin, nuk u përgjigjej shpresave të tyre. Ata prisnin një Mesi të plotfuqishëm e ngadhënjyes, me shpatë të zhveshur. Ndërsa  shikojnë një njeri zemërburë e të përvujtë,  që u bën thirrje për shndërrimin e  zemrave e për mëshirë. E kur e shikojnë, pastaj, të mbërthyer mbi kryq, ikin të gjithë. E braktisin, duke menduar se ky Krisht nuk mund të ishte Mesia. E Françesku vijoi:

“Por nëse do të shkojmë më tej e do të lexojmë tregimin e Mundimeve,  do të gjejmë një fakt mahnitës. Kur Jezusi vdes, centurioni romak – i cili nuk ishte besimtar, nuk ishte as hebre e as pagan - e pa duke vdekur mbi Kryq, e dëgjoi duke i falur të gjithë,  e preku me dorë dashurinë e tij të pamasë, thotë. ‘Vërtet ky njeri ishte i Bitri i Zotit’”.

Kryqi është katedra e Zotit

Centurioni flet krejt ndryshe nga të tjerët. Po cila është vërtet fytyra e Zotit? Në Të - pohon Papa - ne projektojmë vetveten, ashtu si jemi në kulmin e forcës, po Zoti është ndryshe. Erdhi mes nesh, që ta njohin të gjithë e pikërisht për Pashkë na u dëftua plotësisht:

“E ku u dëftua plotësisht? Mbi kryq. Atje e shohim fytyrën e vërtetë të Zotit. Nuk duhet harruar, vëllezër e motra, se kryqi është katedra e Zotit. Na bën mirë të rrimë e ta shikojmë Kryqin në heshtje e të shikojmë kush është Zoti ynë: është ai, që nuk e drejton gishtin kundër askujt, por ua hap krahët të gjithëve, deri atij, që po e kryqëzon; është ai, që nuk mburret me lavdinë e tij, por zhvishet i tëri për ne; ai, që nuk do fjalë, por jep jetën në heshtje”.

Prandaj e shikojmë Krishtin e kryqëzuar, për t’u çliruar nga paragjykimet  për Zotin - kujtoi Papa - duke na porositur, pastaj, ta hapim edhe Ungjillin:

“Në këto ditë, të gjithë në karantinë e në shtëpi, të mbyllur, t’i marrim këto dy gjëra në dorë: të shikojmë Kryqin e ta hapim Ungjillin. Kjo do të jetë për ne si një liturgji e madhe shtëpiake, sepse nuk mund të shkojmë në Kishë këto ditë. Kryqin e Ungjillin!”.

Është e nevojshme - vijoi më tej Françesku - ta shikojmë Krishtin e Kryqëzuar, për ta kuptuar. Por është e mira ta hapim edhe Ungjillin. Aty lexojmë se kur njerëzit deshën ta shpallnin mbret, a kur djajtë deshën ta zbulonin natyrën e tij hyjnore, Jezusi nuk deshi. Pse?

“Sepse nuk deshi të keqkuptohej, nuk deshi që njerëzit ta ngatërronin  Zotin e vërtetë, që është dashuri e përvujtëri, me zotin e rremë, zot sipas mendësisë së botës, që jep shfaqje e imponohet me forcë”.

Identiteti i vërtetë i Jezusit zbulohet në fjalët e centurionit. Në atë çast  shikojmë se Zoti është i gjithëpushtetshëm në dashuri, e në asnjë mënyrë tjetër.

Zoti, i gjithëpushtetshëm në dashuri

Natyra e Zotit është dashuri - vijoi Françesku - po shumëkush do të mund të thoshte se nuk u duhet gjë një Zot kaq i ligshtë. Duke harruar se pushteti i kësaj bote kalon, ndërsa dashuria mbetet:

“Është dashuria e Zotit ajo, që me Pashkët e Tij, e shëroi mëkatin tonë; me fjalën e Tij, e bëri vdekjen jetë; e shndërroi frikën tonë në besim, ankthin, në shpresë. Pashkët na thonë se Zoti mund ta shndërrojë gjithçka të keqe, në të mirë. E ky nuk është iluzion, sepse vdekja dhe ngjallja e Jezusit nuk është iluzion: ishte e është e vërtetë. Ja pra, pse në mëngjesin e Pashkëve thuhet: ‘Mos kini frikë!’”.

Nuk jemi vetëm, Zoti nuk na harron

Ashtu si Jezusi e ndërroi historinë: “duke u bërë i afërt me ne”, e me vdekjen e tij e mundi vdekjen, kështu edhe ne “mund t’i ndërrojmë historitë tona, duke iu afruar Atij”.

T’ia ngulim, pra sytë, Kryqit, e do të kuptojmë se nuk jemi vetëm, se Zoti na do, se Zoti nuk na braktis e nuk na harron, kurrë!

Me këto mendime Papa Françesku u uroi të gjithëve Javë të Madhe e Pashkë të shenjta.

Urimi  studentëve të impenjuar në takimin Univ 2020

Gjatë përshëndetjeve, në përfundim të katekizmit, Papa kujtoi grupet, që do të kishin dashur të ishin të pranishëm në audiencën e sotme. Ndërmjet tyre, universitarët nga vende të ndryshme, që po e jetojnë simbolikisht takimin UNIV 2020”. Java e Madhe - i uroi - qoftë rast për ta fuqizuar lidhjen tuaj personale me Jezusin e besimin tuaj në Zotin e kryqëzuar e të ngjallur”.

08 prill 2020, 13:37