Françesku: shumë të krishterë persekutohen, por kujdes nga kompromiset!

“Lum ata që persekutohen për shkak të drejtësisë, sepse e tyrja është mbretëria e Qiellit”. Kjo është Lumnia e fundme, mbi të cilën reflektoi Papa në audiencën e përgjithshme. Por Ati i Shenjtë vërejti se të krishterët mund përbuzen edhe kur e humbasin “shijen e Krishtit e të Ungjillit”.

R. SH. - Vatikan

Me katekizmin e sotëm të audiencës së përgjithshme, shqiptuar përsëri nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, për shkak të kufizimeve të coronavirusit, Papa Françesku e përfundoi ciklin e reflektimeve kushtuar tetë Lumnive ungjillore. E fundmja, ashtu si e para, premton lumturinë e mbretërisë së Qiellit, që do ta gëzojnë të persekutuarit për drejtësinë dhe të varfërit në shpirt. Pëfundon kështu - pohoi Papa – një udhë Pashkësh:

“Shtegu i Lumnive, është shteg Pashkësh, që të çon nga jeta sipas botës, në jetën sipas Zotit. Të çon nga jeta e udhëhequr nga korpi - që domethënë nga egozimi -  në jetën sipas Shpirtit Shenjt”.

Jeta e Ungjillit e shqetëson botën

 Por Bota - vijoi të kujtojë Papa në audiencën e përgjithshme, kushtuar Lumnive - me idhujt e saj e me kompromiset e saj, nuk mund ta miratojë këtë lloj ekzistence. “Strukturat e mëkatit”, shpesh të prodhuara nga vetë mendësia njerëzore,  tejet të huaja për Shpirtin e së vërtetës, nuk mund të mos e refuzojnë varfërinë, butësinë a pastrinë e të deklarojnë se jeta sipas Ungjillit nuk është tjetër, veçse gabim e problem, e prej këndej, diçka që duhet zhdukur:  

“Nëse bota jeton për t’i shërbyer parasë, atëhere kushdo që të dëshmojë se jeta mund të jetohet duke u dhuruar e duke u vetmohuar, bëhet i besdisshëm për sistemin e pangopësisë. Kur duket shenjtëria, kur duket jeta e bijve të Zotit, në këtë bukuri ka diçka shqetësuese. Atëhere nis të mbahet qëndrim kundër saj. E ti ose duhet të vihesh në diskutim e t’ia hapësh zemrën së mirës, ose ta refuzosh këtë dritë e ta bësh zemrën gur, t’i kundërvihesh, të mos pajtohesh me të”.

Pas këtij pohimi mendimi i Papës shkoi tek persekutimet e shekullit të kaluar në Evropë.

Tërbimi i diktaturave evropiane kundër të krishterëve

Mjafton të kujtosh persekutimet e diktaturave evropiane gjatë  shekullit të kaluar - kujtoi- për t’u bindur si arrihet në tërbimin kundër të krishterëve, kundër dëshmisë së krishterë e kundër heroizmit të të krishterëve.

Papa, pranë martirëve të sotëm

Po persekutimi në botë - vërejti akoma Papa - është edhe çlirim nga idhujt e botës e kush refuzohet për shkak të Krishtit, e di se gjen “diçka që vlen më shumë se bota mbarë”. E mendimi i Papës shkoi menjëherë tek të persekutuarit e sotëm:

“E dhimbshme të kujtosh se, në këtë çast, shumë të krishterë pësojnë persekutime në zona të ndryshme të botës, e duhet të shpresojmë e të lutemi që të marrë fund sa më shpejt gjithë kjo vuajtje. U shprehim këtyre vëllezërve e motrave afërsinë tonë: jemi një korp i vetëm i Krishtit, që është Kisha”.

Kujdes: nuk duhet të ndjehemi gjithnjë viktima

Por duhet bërë një dallim, sepse - pohoi Papa - përbuzja e njerëzve nuk është gjithnjë sinonim i persekutimit. Ka edhe një lloj përbuzjeje për fajin tonë. E kjo ndodh kur të krishterët, “kripa e tokës”, e humbasin “shijen e Krishtit e të Ungjillit”. Duhet t’i qëndrojmë gjithnjë besnikë shtegut të përvuajtur të Lumnive, sepse të çon drejt Krishtit, jo drejt botës. Persekutimi na bën t’i ngjasim Krishtit në kryq - vijoi të pohojë Papa - atij që u persekutua e u përbuz nga njerëzit. Por kur e pranojmë Shpirtin e Tij,  mund të na mbushë me një dashuri aq të madhe, sa të japim pa ngurrim jetën për botën, pa bërë kurrfarë kompromisi me gënjeshtrat e saj:

“Kompromiset me botën janë rrezik: i krishteri tundohet gjithnjë të bëjë kompromise me botën, me shpirtin e botës. Refuzimi i kompromiseve dhe ecja në rrugën e Krishtit, është jeta e Mbretërisë së qiellit, gëzimi më i madh, hareja e vërtetë”.

Gjatë persekutimeve, Jezusi është gjithnjë pranë nesh

Papa e përfundoi audiencën me ftesën për të mos e humbur kurrë guximin:

“Në persekutime është gjithnjë prania e Jezusit, që na shoqëron, prania e Jezusit, që na ngushëllon e forca e Shpirtit Shenjt, që na ndihmon të shkojmë përpara. Nuk duhet të çkurajohemi kur jeta në përkim me Ungjillin na çon në persekutim: Shpirti Shenjt nuk të braktis kurrë, kur ecën në këtë rrugë!”.

29 prill 2020, 12:09