Spitali Papa Gjoni XXIII: amulanca arrin në Ndihmën e Shpejtë Spitali Papa Gjoni XXIII: amulanca arrin në Ndihmën e Shpejtë 

Françesku i dhuron 60 mijë euro Spitalit të Bergamos

Shenjë e afërsisë së Papës për një strukturë, në ballin e betejës kundër Covid-19. Mirënjohje e thellë nga ana e ipeshkvit të qytetit, Francesco Beschi.

R. Sh. - Vatikan

Edhe dje bilanci i të vdekurve në Bergamo mund t’i çkurajonte ata, që vijojnë të punojnë përtej të gjitha mundësive. Në Bergamasco gjatë 24 orëve të fundit numri i viktimave vijoi të rritet, njëherësh me rastet e reja, dhjetra më shumë se një ditë më parë. Duhet ta kishin humbur guximin sidomos mjekët, infermierët dhe personeli sanitar. Po kjo nuk është koha për ta humbur, përkundrazi. E për t’u treguar se nuk janë vetëm në këtë betejë të vështirë në mbrojtje të jetës, Françesku i dërgoi një shumë prej 60 mijë eurosh personelit shëndetësor të Spitalit Papa Gjoni XXIII të Bergamos - sipas njoftimit të një komunikate nga ana e dioqezës.

Më 18 marsin e kaluar Françesku i pati telefonuar ipeshkvit, imzot Besci, i cili, në komunikatën e rastit, e quajti bisedën solidare “jehonë  e ledhatimit të Papës Roncalli”. “Shprehja e dashurisë atërore të Françeskut, kuptohet, arrin tek të gjitha dioqezat e prekura rëndë nga përhapja e rrufeshme e sëmundjes - lexohet akoma në komunikatë - por synon t’i ngushëllojë posaçërisht  bashkësitë, që vijojnë të goditen më shumë. Prandaj dhurata që i bën Papa spitalit të Bergamos, me emrin e Papës bergamask, merr vlerë të veçantë simbolike”.

Prej këndej, imzot Besci i shprehu mirënjohjen e  tij të thellë Papës, pasi i kishte transmetuar Drejtorit të përgjithshëm të Spitalit Papa Gjoni XXIII, lajmin për dhuratën. Lajm, që u prit me mirënjohje të thellë edhe nga të gjithë ata, që mjekohen e mjekojnë në këtë spital. Spitali - pohohet - do ta përdorë këtë shenjë konkrete të atësisë së Françeskut edhe në strukturën e lindur në Panairin që, ditët e ardhshme, do t’u përgjigjet nevojave të bergamaskëve.

04 prill 2020, 10:24