Kërko

 E Diela e Larit në Bazilikën e Shën Pjetrit E Diela e Larit në Bazilikën e Shën Pjetrit 

Engjëlli i Tënzot i Françeskut: jetojeni Javën e Madhe duke u lutur në familje

Në këtë kohë të veçantë, të kushtëzuar nga pandemia Papa, pas Meshës së Palmave, i inkurajoi besimtarët të marrin pjesë në ritet e ditëve të ardhshme, të ndihmuar edhe nga mjetet teknologjike të komunikimit. Të jemi gjithnjë pranë atyre që vuajnë - porositi - për të kujtuar, më pas edhe të rinjtë, në Ditën e tyre botërore, në nivel dioqezan.

R. SH. - Vatikan

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa i përshëndeti të gjithë ata që, përmes mjeteve të komunikimit shoqëror, morën pjesë në kremtimin e kësaj së Dieleje të jashtëzakosnshme të Larit. Posaçërisht kujtoi të rinjtë e mbarë botës, që po e jetojnë në kushte të rënda, në nivel dioqezan, Ditën e sotme Botërore të Rinisë. Kujtoi, me emocion të thellë edhe se sot ishte parashikuar kalimi i Kryqit nga duart e të rinjve të Panamasë, në duart e atyre të Lisbonës e se ky gjest kaq prekës u shty për të Dielën e Krishtit Mbret, më 22 nëntorin e ardhshëm. Në pritje të këtij çasti - vijoi Françesku -  i nxis të rinjtë ta kultivojnë e ta dëshmojnë shpresën, bujarinë, solidaritetin, për të cilat të gjithë kemi tepër nevojë në këtë kohë kaq të vështirë.

Frytet e sportit

Më pas Ati i Shenjtë kujtoi edhe se nesër, më 6 prill, do të kremtohet Dita Botërore e Sportit për Paqe e Zhvillim, themeluar nga Kombet e Bashkuara. Në këtë kohë të gjitha menifestimet janë ndërprerë, por kjo ditë vë në dukje frytet më të mira të sportit: rezistencën, frymën e skuadrës, vëllazërimin, përpjekjen për të dhënë gjithçka të mirë.

Ta fillojmë me fe Javën e Madhe

Një ftesë tjetër, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot: “Ta nisim me fe Javën e Madhe, në të cilën Jezusi vuan, vdes e ringjallet. Njerëzit dhe familjet, që nuk mund të marrin pjesë në kremtimet liturgjike, ftohen të luten në shtëpi, të ndihmuar edhe nga mjetet teknologjike. T’i jetojmë këto ditë të mëdha simbolikisht pranë të sëmurëve, familjarëve e të gjithë atyre, që i mjekojnë me vetmohim. Të lutemi edhe për të vdekurit, në dritën e fesë së Pashkëve. Secili prej atyre, që humbën jetën këto ditë, është pranë zemrës sonë, kujtimit tonë, lutjes sonë.

Të mësojmë nga Maria

Porosia e fundit e Papës në lutjen e Engjëllit të Tënzot ishte:

“Të mësojmë nga Maria heshtjen shpirtërore, shikimin e zemrës, fenë plot dashuri, dëshirën për ta ndjekur pas Jezusin në Udhën e Kryqit, që çon në lumninë e Ringjalljes. Ai ecën me ne e na mbush me shpresë!”.

05 prill 2020, 13:02