Kërko

Vatican News
Papa Pali VI lan këmbët në të Enjten e Madhe të Pashkëve 1975 Papa Pali VI lan këmbët në të Enjten e Madhe të Pashkëve 1975 

E Enjtja e Madhe në magjisterin e papëve

Çdo papë është edhe meshtar. Themelimi i Eukaristisë përkon me themelimin e meshtarisë. Në tryezën e Jezusit, shërbëtorët e Zotit janë të ftuar të veçantë, siç shihet qartë nga magjisteri i papëve në këtë ditë të rëndësishme të vitit liturgjik.

R.SH. - Vatikan

“Ja ku u mblodhëm sërish, ndërsa afrohet mbrëmja, në ditën e së Enjtes së Madhe, për të qenë me Krishtin, kur të vijë ora e Tij. Ungjilltari thotë se kjo ndodhi ‘para festës së Pashkëve’ (Gjn  13,1) dhe e quan atë orë, që tashmë kishte arritur, si ‘ora e kalimit nga kjo botë tek Ati Qiellor” (Gjn 13,1)”.

Dëgjo Gjon Palin II...

 Kështu thoshte Papa Gjon Pali II në Meshën e Darkës së Mbrame të vitit 1981. Të Enjten e Madhe jemi “për darkë me Jezusin”. Të gjithë, pa përjashtim. Jezusi shpall vdekjen e Tij, por na lë edhe dhuratën më të rëndësishme: dashurinë. Ja si përshkruhet kjo dhuratë nga Papa Benedikti XVI:

“‘Me gjithë shpirt kam pasur dëshirë ta ha këtë Darkë të Pashkëve bashkë me ju para se të pësoj’ (Lk 22,15): me këto fjalë, Jezusi përuroi kremtimin e Darkës së tij të Mbrame dhe themelimin e Eukaristisë Shenjte.

Jezusi shkoi drejt asaj ore me dëshirë. Në shpirtin e tij e priste atë çast, kur do të dhuronte vetveten për të vetët, në lëndët e bukës e të verës. E priti atë çast, i cili, në një farë mënyre, duhej të ishte dasma e vërtetë mesianike: shndërrimi i dhuratave të kësaj toke dhe bashkimi në një me të vetët, për t’i shndërruar, duke përuruar kështu, shndërrimin e botës. Në dëshirën e Jezusit mund të shohim dëshirën e vetë Zotit - dashurinë e tij për njerëzit, për gjithësinë e krijuar prej Tij, dashuri në pritje. Dashuri, që pret çastin e bashkimit, dashuri, që dëshiron t’i tërheqë njerëzit pas vetes, për të përmbushur kështu, edhe dëshirën e vetë krijimit: vërtet, ai priret drejt dukjes së bijve të Zotit (shih Rom 8,19). Jezusi na dëshiron, na pret. Po ne, a e dëshirojmë vërtet atë? A ka ndonjë prirje brenda nesh për ta takuar? E dëshirojmë afërsinë e tij, për t'u bërë një gjë e vetme me të”.

Dëgjo Benediktin XVI...

Kështu, Benedikti XVI, në Meshën e Darkës së Mbrame, më 21 prill 2011. Eukaristia është dhurata më e madhe e Jezusit. Nuk është dhuratë formale, por thelbësore. Është diçka, që e rishkruan historinë, që i ndryshon jetët tona.

“Flijimi i Altarit quhet, në aktin e Shugurimit të kelkut, ‘Mysterium fidei’, misteri i fesë, domethënë, përmbledhja e gjallë e gjithë Besojmës Katolike. Vërtet, prej saj rrezatohet Dielli i drejtësisë, Jezusi, Ndërmjetësuesi i vetëm mes Zotit dhe njerëzve, Viktima e pagjak e pajtimit ndërmjet Tokës dhe Qiellit. Në të, kujtimi i përhershëm i flijimit të ofruar prej Tij në Kalvar, për shpëtimin tonë.

 Në të, Ai është i pranishëm si Kreu i Korpit Mistik, burim i Sakramenteve, që e bëjnë të frytshëm e të bukur kopshtin shpirtëror të Kishës. Duke e ditur triumfin, që do të meritonte për shkak të vuajtjes në Kryq, Jezusi tha një ditë: ‘Kur të lartohem nga toka, do të tërheq gjithçka pas vetes’. Këto fjalë i përshtaten fare mirë Bukës Eukaristike, për shkak të thesareve qiellore, që ajo përmbyll në vetvete. Po, edhe Sakramenti i Altarit është qendër e tërheqjes së mistershme”.

Dëgjo Gjonin XXIII...

Kështu thoshte Papa Gjoni XXIII, në përfundim të Kongresit Eukaristik në Catania (Itali), në shtator 1959. Në ato vite, bota u nda më dysh. Natyrisht, kishte përfunduar Lufta II Botërore, por vijonte një lloj tjetër konflikti, më i fshehur, më prapa shpine, në një botë të ndarë nga një mur me tulla dhe ideologji. Papa Roncalli po mendonte prej kohësh për Koncilin Ekumenik: ëndrra e tij e bashkimit... Kështu shprehet në të kremten e Korpit të Krishtit (Corpus Domini), më 21 qershor 1962:

“Po, po, Sakramenti i altarit është lartimi, i pari, themelori në mësimet e në vullnetin e Zotit tonë Jezu Krisht: ‘unum sint’, ai ‘unum sint’ i lutjes në Darkën e Tij të Mbrame!”

Dëgjo Gjonin XXIII...

Do ta theksonte edhe Papa Pali VI, gjatë meshës së Darkës së Mbrame, më 26 mars 1964, kur Koncili vijonte ende…

 “…këtu është kremtimi i njërit dhe i shumë vetëve, këtu është shkolla e dashurisë së epërme për njëri-tjetrin, këtu është shprehja e vlerësimit të ndërsjellë, këtu është aleanca e bashkëpunimit me njëri-tjetrin, këtu është impenjimi i shërbimit falas, këtu është arsyeja e tolerancës së vetëdijshme, këtu është parimi i faljes reciproke, këtu është burimi i gëzimit për fatin e tjetërkujt dhe i dhimbjes për fatkeqësinë e tjetërkujt, këtu është nxitja për të parapëlqyer dhuratën për të dhënë, në vend të asaj për të marrë… Na duket se është urgjente detyra e rëndë për të kujtuar këtu historinë njerëzore, lidhur – ashtu si me dritën e shëlbimin e Tij – me flijimin e Jezusit, flijim që këtu pasqyrohet e, në mënyrë të pagjak, rinovohet; këtu na përket ne të shtrojmë tryezën, në të cilën janë ftuar, në mënyrë mistike, të gjithë ipeshkvijtë, të gjithë meshtarët, të gjithë besimtarët e tokës; këtu është kremtimi i vëllazërimit të gjithë bijve të Kishës Katolike”.

Dëgjo Palin VI...

 E kjo dëshirë për bashkim nuk do të mungojë kurrë më, në magjisterin e papëve. Ja, sërish, Benedikti XVI në meshën e Darkës së Mbrame, më 21 prill 2011.

“Ky bashkim nuk është vetëm diçka e brendshme, mistike. Duhet të bëhet i dukshëm, kaq i dukshëm sa për botën, të jetë prova e misionit të Jezusit, marrë nga Ati Qiellor. Prandaj, kjo lutje fsheh në vetvete një sens eukaristik, që Pali e ka vënë qartë në dukje në Letrën e parë drejtuar Korintasve: ‘Buka që thyejmë, a s’është vallë bashkim me korpin e Krishtit? Meqë ka vetëm një bukë, ne jemi, pavarësisht se të shumtë, një korp i vetëm’”.

Dëgjo Benediktin XVI...

Por le të kthehemi tek darka e Jezusit, “në tryezë” me të. Hyjmë idealisht, nëse mund të shprehemi kështu, në një nga pasqyrimet e shumta e të pafundme të kësaj Darke të Mbrame. Për shembull, tek Darka e Mbrame e Leonardo Da Vinci-t, në atë pasqyrim të përsosur, të harmonishëm të Dymbëdhjetëve rreth Tij. E në tryezë, buka e vera. Simbole krejt të qarta. Sërish, të kthehemi në vitin 1962, me Papën Gjoni XXIII…

“Nga kumtet e Ungjillit, në faqet e letërsisë së parë të krishterë, del në pah më se e gjallë, figura e grurit dhe e rrushit të mbledhur në fusha e kodra, për të bërë bukën dhe verën e Sakramentit të madh”.

Dëgjo Gjonin XXIII...

Më pas, i bën jehonë edhe Papa Pali VI…

“…buka bëhet Korp, por ruan dukjen e bukës; vera bëhet Gjak, por po ta shohësh, duket akoma si verë: pra, këtu, vdekja e Krishtit është e pagjak, e kështu paraqitet. Kryqi është i fshehur, por flijimi në Kryq ka filluar tashmë: Eukaristia është flijim!”  

Dëgjo Palin VI...

Viti 1977: Mesha e Darkës së Mbrame, më 7 prill. Vitet ’70 të shekullit të kaluar, vite të trazuara. Jimmy Carter sapo ishte zgjedhur president i SHBA-ve, intelektualët çekosllovakë kishin nënshkruar Kartën 77 për respektimin e të drejtave civile në vendin e tyre... Në Itali, ato ishin vitet e plumbit. Vite tensionesh, përplasjesh të vështira dhe të përgjakshme, që u imponojnë edhe meshtarëve të bëjnë pyetje për rolin e tyre në shoqëri ... Papa Pali VI nënvizon:

“Në vetë skenën e Darkës së Mbrame, Krishti e bënte universale e të përhershme mundësinë e mrekullisë eukaristike, me themelimin e njëkohshëm të një Sakramenti tjetër, atij të Urdhrit meshtarak, duke dikuar në dishepujt e shtangur, pushtetin e Tij hyjnor: ‘Bëjeni këtë në kujtimin tim’”.

Dëgjo Palin VI...

Pesë vite më vonë, Papa Gjon Pali II do të ngulte këmbë në universalitetin e kësaj trashëgimie:

“Nëse sot e kujtojmë veçanërisht orën e Darkës së Mbrame, e bëjmë edhe pse kjo orë zgjatet pa fund dhe i mbush të gjitha orët e historisë së Kishës e të botës. Që kur erdhi, një herë e përgjithmonë, ora e Krishtit, Qengjit të Hyjit, ora e kalimit të Tij nga kjo botë tek Ati Qiellor, ajo orë vijon dhe i mbush të gjitha orët deri në fundin e botës, sepse Krishti ‘pasi i deshi të vetët, që ishin në botë, i deshi deri në fund’”.

Dëgjo Gjon Palin II...

Në letrën e tij për meshtarët, në të Enjten e Madhe 2004, e parafundit e jetës së tij, Papa Gjon Pali II shkruante: “Jemi lindur përmes Eukaristisë”. Është një dhuratë e veçantë për shërbëtorët e Zotit, ajo e bukës dhe e verës. E korpit dhe e gjakut të Krishtit.

09 prill 2020, 14:26