Kërko

E Diela e Larit: në dramën që po jetojmë, të mendojmë mirë çfarë mund të bëjmë!

Në Meshën e të Dielës së Larit Françesku hapi Javën e Madhe me ftesën për t’i sjellë sytë kah i Kryqëzuari. Çasti i vështirë që po kalojmë në këtë kohë, na nxit ta marrim seriozisht, atë që është serioze, të rizbulojmë se jeta nuk shërben, nëse nuk shërbehet”- kujtoi. E të rinjve Papa u thotë: mos kini frikë ta shkrini jetën për Zotin e për të afërmin!

R. SH. - Vatikan

Procesioni i vogël në Bazilikën gjysëm të zbrazur

Sot Papa Françesku, përballë Altarit të Katedrës, kryesoi të gjitha pjesët e një kremtimi tejet të pasur, i shoqëruar vetëm nga Mjeshtri i Kremtimeve liturgjike, imzot Guido Marini dhe bashkëpunëtorët e tij. Në përkujtimin fillestar të hyrjes së Jezusit në Jeruzalem, përshkoi, me një procesion të shkurtër, navatën qendrore të stolisur, sipas traditës, me drurë ullinjsh, mbjellë në saksi e duke mbajtur në dorë gjethe palmash të gërshetuara, dhuruar nga Liguria. Si u ngjit në altar, Papa kemoi figuren e Marisë Salus Populi Romani, që ruhet në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe. Pranë altarit, edhe i Kryqëzuari mrekullibërës i Shën Marcello al Corso, para të cilit Papa u lut më 27 mars, në tremen e Shën Pjetrit e vijon të lutet edhe këto ditë.

E gjithë Java e Madhe na flet për Jezusin si shërbëtor

 “Jezusi e zbrazi vetveten e mori natyrën e shërbëtorit” (Fil 2,7). Këto, fjalët e para të homelisë së Papës, pasuar nga ftesa për t’i kujtuar këto fjalë të Apostullit Pal në ditët e shenjta, kur Fjala e Zotit, e përsëritur si refren, e kujton Jezusin si shërbëtor: të Enjten e Madhe është shërbëtori, që u lan këmbët dishepujve; të Premten e Madhe paraqitet si shërbëtor i vuajtur, por ngadhënjyes (krh Is. 52,13);  e, jo më larg se të nesërmen, Isaia profetizon për Të: “Ja, shërbëtori im, që unë e mbështet” (Is 42,1). Zoti na shpëtoi duke na shërbyer. Ndërsa zakonisht mendojmë se i shërbejmë ne Zotit, Jo! Është Ai, që na shërben, pa kërkuar asnjë shpërblim, sepse Ai na deshi i pari. E vështirë, të duash, kur nuk duhesh! E edhe më e vështirë të shërbesh, nëse nuk e pranon shërbimin e Zotit.

Po, në ç’mënyrë na shërbeu Zoti? - pyeti Papa në vijim të homelisë. - Duke dhënë jetën për ne. Na deshi shumë, e shumë edhe i kushtuam – vijoi, për të kujtuar më pas Angelën da Foligno, që dëshmoi se kishte dëgjuar nga goja e Jezusit këto fjalë: “Nuk të desha për t’u tallur”. Ishte pikërisht dashuria, ajo që e shtyu të flijohej për ne, të merrte mbi vete gjithë të keqen tonë. Gjë që të lë me gojë hapur: Zoti na shpëtoi duke e lënë të keqen t’i turrej me tërbim. Pa kundërshtuar. Me përvujtërinë, duresën, bindjen e shërbëtorit. Vetëm me forcën e dashurisë - kujtoi Papa - për të pohuar, më pas, se ishte Ati që e mbështeste shërbimin e Krishtit: nuk e ngujoi të keqen që i sulej, por e duroi gjithë vuajtjen, që e keqja jonë të mundej vetëm me të mirën e të përshkohej fund e krye nga dashuria. Deri në fund të fundit.

Zoti - nënvizoi Papa – na shërbeu deri në atë pikë, sa të provonte dhimbjen më të madhe, të cilën mund ta provojë ai që do: tradhtinë e braktisjen!

Tradhtia

Jezusi - kujtoi Papa në vijim të homelisë për Meshën e së Dieles së Larit - provoi tradhtinë e dishepullit, që e shiti, e të dishepullit, që e mohoi! U tradhtua nga njerëzit, që e brohoritën në fillim - e pastaj këlthitën: “Kryqëzoje!” (Mt 27,22).  U tradhtua nga institucioni fetar, që e dënoi padrejtësisht e nga institucioni politik, që lau duart. Të mendojmë për tradhtitë e mëdha e të vogla që pësuam në jetë - ftoi Papa në vijim të homelisë së Meshës, kremtuar në të Dielën e Larit – duke kujtuar, më pas, sa e tmerrshme është kur të shpërdorohet besimi në tjetrin. Në thelb të zemrës lind një zhgënjim aq i hidhur, sa të duket se jeta nuk ka më pikë kuptimi! E kjo ndodh sepse u lindëm për të dashur e për t’u dashur, e gjëja më e dhimbshme është kur tradhtohesh pikërisht nga ata, që të premtuan se do të jenë besnikërisht pranë teje. Nuk mund as ta përfytyrojmë, prandaj, sa e dhimbshme ishte tradhtia për Zotin, që është dashuri!

Të shikojmë brënda nesh

Të shikojmë brenda shpirtit tonë - ftoi Françesku - Të vërejmë nëse jemi të sinqertë me vetveten, të rikujtojmë pabesitë tona. Sa falsitet, hipokrizi e qëndrime me dy faqe! Sa qëllime të mira të tradhtuara! Sa e sa premtime të pambajtura! Sa plane të parealizuara! Zoti e njeh zemrën tonë më mirë se ne  vetë, e di sa të ligshtë e sa të lëkundur jemi, sa herë rrëzohemi e sa mundohemi për t’u ngritur përsëri në këmbë e sa me zor shërohen disa plagë. E çfarë bëri për të na ndihmuar e për të na shërbyer? Atë çka e pati thënë me gojën e Profetit: “Unë do t’i shëroj pabesitë e tyre e do t’i dua me gjithë zemër” (Os. 14.5). E na shëroi, duke i marrë mbi vete pabesitë tona, duke na i shlyer tradhtitë tona. Kështu që ne, në vend që të shkurajoheshim nga frika se nuk do të mund t’ia dalim mbanesh, të mund t’i lartojmë sytë  kah i Kryqëzuari, të marrim përqafimin e Tij e të themi: “Ja, pabesia ime është këtu, e more ti, Jezus. M’i hap krahët, të lutem, ma shërbe dashurinë tënde, vijo të më ndihmosh. Vetëm atëhere mund të shkoj përpara!”.

Braktisja

Duke vijuar homelinë, Papa kujtoi braktisjen e Krishtit mbi kryq, çastin kur Zoti thotë vetëm një frazë, një të vetme: “Hyji im, Hyji im, pse më braktise?” (Mt 27,46). Frazë e fortë kjo - pohoi Papa - Jezusi  duroi braktisjen e të vetëve, që ikën dhe e lanë vetëm. I mbetej veç Ati! Tani, në honin e vetmisë, për herë të parë e thërret Zotin me emrin e përgjithshëm “Hyj”. Dhe bërtet me sa zë që i ka mbetur; “psenë” më  zemërçjerrëse: “Edhe Ti më braktise?” E këto, në të vërtetë janë fjalët e një Psalmi (krh Ps. 22,2):  këto fjalë na kujtojnë se Jezusi e duroi në lutje edhe çastin e fundit. Pasi provoi braktisen më të madhe, që dëshmojnë Ungjijtë, duke kujtuar fjalët e tij në origjinal: Elí, Elí, lemâ sbactàni?

Pse ndodh kjo?

E pse ndodh e gjithë kjo? Edhe një herë, për ne! Për të na shërbyer! Që, kur të ndodhemi me shpatulla pas murit, kur të shkelim në shteg të verbër, pa dritë e pa rrugëdalje, kur të na duket se deri Zoti nuk përgjigjet, të kujtohemi se nuk jemi vetëm. Jezusi provoi braktisjen e plotë, gjendjen më të huaj për të, për të qenë plotësisht solidar me ne. E bëri këtë për mua, për ty, për të na thënë: “Mos kij frikë, nuk je vetëm. Provova vuajtjet më të tmerrshme, deri në tradhti e braktisje, për të qenë gjithnjë pranë teje”.

Sot, në dramën  e pandemisë

E çfarë mund të bëjmë për Zotin, që na shërbeu derisa provoi tradhtinë e braktisjen? Mund të mos e tradhtojmë atë, për të cilën u krijuam, të mos e braktisim atë, që vlen me të vërtetë. Jemi në botë për ta dashur Atë e të tjerët. Gjithçka tjetër kalon. Vetëm kjo mbetet. Drama, që po jetojmë, na nxit ta marrim seriozisht çka është serioze e të mos merremi me gjëra që vlejnë pak e aspak; të zbulojmë se jeta nuk shërben, nëse nuk shërbehet. Sepse jeta matet me masën e dashurisë. Atëhere, në këto ditë të shenjta, në shtëpitë tona, të rrimë para të Kryqëzuarit, masë e dashurisë së Zotit për ne. Para Zotit, që na shërbeu aq, sa të japë jetën, duke i kërkuar hirin  të jetojmë për të shërbyer. Të përpiqemi ta ndihmojmë atë që vuan; që është i vetmuar, që ka nevojë. Mos të mendojmë vetëm për çka na mungon, por për të mirën, që mund të bëjmë.

Ja, shërbëtori im që unë e mbështes! Ati, që e mbështeti Jezusin në Mundime, na jep zemër edhe ne për të shërbyer. Natyrisht të duash, të lutesh, të falësh, të kujdesesh për të tjerët, në familje a në shoqëri, mund të kushtojë shtrenjt. Mund të duket udhë kryqi. Po udha e shërbimit është udhë fitimtare, udhë që na shpëtoi, që na e shpëton jetën.

Dy fjalë drejtuar të rinjve, në Ditën që u kushtohet

Më pas Papa iu drejtua posaçërisht të rinjve, në këtë Ditë që u kushtohet prej 35 vjetësh. I ftoi t’i shikojnë heronjtë e rinj, që po dalin në dritë këto ditë: nuk janë ata që kanë famë, para, sukses, por ata që dhurojnë vetveten, për t’u shërbyer të tjerëve, e ta ndjejnë veten të gatshëm për ta vënë në lojë edhe jetën.

Më pas, thirrja:

“Mos kini frikë ta shkrini për Zotin e për të tjerët. Nuk do ta humbisni, por do ta fitoni! Sepse jeta është dhuratë, që fitohet duke u dhuruar. E sepse gëzimi më i madh është t’i thuash po dashurisë, pa asnjë lëkundje. Si Jezusi për ne!”.

05 prill 2020, 13:15