Kërko

Vatican News
Manaus, familjarë të viktimave të koronavirusit Manaus, familjarë të viktimave të koronavirusit 

Covid-19, solidariteti i Papës për kryeipeshkvin e Manausit

Papa Françesku i telefonon imzot Leonardo Steiner-it, për t’u shprehur afërsinë e tij banorëve të qytetit të Amazonas braziliane, ku rritja e numrit të viktimave të pandemisë, po i detyron autoritetet të marrin vendime dramatike.

R.SH. - Vatikan

Ka disa skena të pandemisë së këtyre kohëve, që ngjallin më shumë dhimbje dhe tmerr, pasoja të përhapjes së një virusi, që s’po arrijmë ta mundim. Skena, që zakonisht filmohen nga lart, fusha të shtrira, që ngjajnë si të piketuara me dhjetëra e pastaj, me qindra arkivole njëri pas tjetrit. Janë varret masive, një nga faqet më të trishtueshme të kronikës së kësaj krize të paparë. Një nga qytetet, që është detyruar të hapë varre masive, është Manausi, kryeqyteti i shtetit brazilian Amazonas, i cili ka 3.600 raste me koronavirus dhe më se 280 të vdekur. Papa Françesku, i njoftuar për këtë gjendje, i telefonoi të shtunën kreut të Kishës lokale, kryeipeshkvit Leonardo Steiner.

         “Papa na falënderoi e na tha se lutet për të gjithë ne. E bekoi veçanërisht Amazonën. I jemi thellësisht mirënjohës Papës Françesku për gjestin e tij atëror e kishtar”, deklaroi prelati, i cili vuri në dukje interesimin e Atit të Shenjtë për gjendjen në qytet e në zonë dhe shqetësimin e tij të veçantë për popullsitë indigjene, banorët e lumit Rio Negro dhe të varfërit.

         Françesku, informon kryedioqeza në faqen e saj të internetit, dëgjoi imzot Steiner-in, i cili i tregoi për nismat e solidaritetit të Kishës dhe, falënderoi besimtarët, meshtarët, grupet kishtare, për impenjimin në lehtësimin e vuajtjeve të njerëzve. Imzot Steiner falënderoi për ngushëllimin, që solli afërsia e Atit të Shenjtë e, përmendi shiun e rënë në qytet të shtunën e kaluar, i cili shkaktoi akoma më shumë vuajtje në periferi. Të gjithëve, Papa Françesku u siguroi lutje, sidomos për viktimat dhe për familjet e tyre.

28 prill 2020, 13:52