Kërko

Foto arkivi e Papës Benedikti XVI Foto arkivi e Papës Benedikti XVI 

Benedikti XVI mbush 93 vjeç dhe lutet për të sëmurët me Covid-19

Për “Vatican News”, imzot Gänswein tregon për ditëlindjen e Papës së nderit: festë pa vizita, për shkak të pandemisë, por i rrethuar nga dashuria e nga lutjet, me një mendim të veçantë për viktimat e koronavirusit.

R.SH. - Vatikan

Me thjeshtësi e me mirënjohje për Zotin. Kështu e kaloi sot ditëlindjen e tij të 93-të, Papa i nderit, Benedikti XVI, në kuvendin “Mater Ecclesia”, në Vatikan. Për të respektuar masat kundër infektimit nga koronavirusi, tregon për Vatican News, sekretari i tij i veçantë, imzot Georg Gänswein, Papa i nderit nuk ka pritur vizitat e zakonshme për këtë datë të shënuar. Gjithsesi, të shumtë janë ata, që i kanë telefonuar për t’i bërë urimet, në veçanti, i vëllai, Georg. Të shumta edhe mesazhet e urimit, që po mbërrijnë me postë e me email.

Papa i nderit, pohon prefekti i Shtëpisë Papnore, informohet vazhdimisht për zhvillimin e pandemisë dhe lutet çdo ditë për të sëmurët e për të vuajturit nga koronavirusi. “I kanë bërë shumë përshtypje – nënvizon më tej sekretari i tij – edhe meshtarët, mjekët dhe infermierët, që kanë humbur jetën, sidomos në Veri të Italisë, gjatë shërbimit të tyre për të sëmurët e koronavirusit”. Benedikti XVI, përfundon imzot Gänswein, “merr pjesë në këtë dhimbje”, ndjek “me shqetësim”, por nuk e humbet shpresën.

Filluar me meshën në kapelën e kuvendit – kremtim më solemn se zakonisht – dita e Papës së nderit, në “Mater Ecclesiae”, vijoi me lutje e lexime, por edhe me çaste, që iu kushtuan këngëve tipike të Bavierës, nga ku e ka origjinën Benedekti XVI. Papës së nderit i pëlqeu shumë dhurata, që mori sot paradite: biografia voluminoze e shkruar nga gazetari Peter Seewald, që do të dalë më 4 maj. “Fillimisht – tregon imzot Gänswein – Seewald donte t’ia paraqiste personalisht Papës së nderit, këtyre ditëve. Fatkeqësisht, pandemia e bëri këtë të pamundur”.

Biografia e Seewald, “Benedikti XVI – një jetë” do të publikohet nga Shtëpia Botuese “Droemer Knaur”. Autori ka botuar disa libra-intervistë me Papën e nderit, ndër të cilët, të mirënjohurit, “Drita e botës” dhe “Bisedimet e fundit”.

16 prill 2020, 14:08