1587749562426.jpg

Auza: “Faleminderit Papa Françesku, je kujtuar për ne”

Në Madrid, vatra kryesore e pandemisë së Covid-19 në Spanjë, kryeipeshkvi Bernardito Auza i dorëzoi spitalit të Urdhrit rregulltar të Shën Gjonit të Zotit, tre respiratorë për terapi intensive, dhuratë e Papës Françesku për strukturën.

R.SH. - Vatikan

Që nga fillimi i papritur i pandemisë, ka asistuar 3000 pacientë, prej të cilëve 450 në reparte dhe 23 në terapi intensive, duke e dyfishuar kështu kapacitetin e vet të zakonshëm. Ky është spitali i Shën Rafaelit në Madrid, i themeluar në vitin1892 e i administruar nga Urdhri rregulltar i shën Gjonit të Zotit, të cilit Papa Françesku i dërgoi tre aparate të reja për frymëmarrjen, që do të shërbejnë për ta përballuar më mirë krizën e mungesës së shtretërve, për shkak të Covid-19.

          Respiratorët u dorëzuan nga nunci apostolik, imzot Bernardito Auza dhe nga kryeipeshkvi i Madridit, kardinali Carlos Osoro, në prani të kryetarit të bashkisë dhe të ipeshkvit ndihmës. Gjatë ceremonisë, imzot Auza shprehu afërsinë dhe dashurinë e Atit të Shenjtë, shqetësimin e tij për viktimat e pandemisë dhe për pasojat negative, që do të ndihen sapo të fillojnë veprimtaritë, sidomos në sektorin ekonomik e shoqëror.

          Në mikrofonin e Vatican News, imzot Auza shpreh gëzim e mirënjohje për dhuratën e Papës. Tregon edhe pritjen, që i rezervoi spitali, një strukturë, që ka punuar e po vijon të punojë pa pushim, gjatë kësaj krize. Madridi, shpjegon nunci, është epiqendra e pandemisë në Spanjë e, megjithëse gjendja po përmirësohet, respiratorët nuk janë kurrë mjaft. Për këtë arsye, i drejtohet Papës me fjalët: “Faleminderit që u kujtove për ne”.

Strukturë e shndërruar për Covid-19

          Aparatet për frymëmarrjen i mori në dorëzim për Urdhrin rregulltar, Eprori provincial i Kastiljes, fr. Amador Fernàndez: “Është ndihmë e madhe, themelore në këtë çast. Do të na japë mundësinë të vazhdojmë shërbimin cilësor për njerëzit, të cilët, javët e ardhshme, do të kenë akoma nevojë për asistencën tonë”, theksoi rregulltari, i cili vuri në dukje rëndësinë e pranisë së Kishës në spital. Kjo strukturë, ashtu si shumë të tjera në botë, është shndërruar në mënyrë të tillë, që t’u shërbejë vetëm të sëmurëve me koronavirus.

          “Këto nuk janë kohë të lehta e ka shumë njerëz, që vuajnë” pohoi kryetari i bashkisë së Madridit. “Falë punës së Kishës, të dioqezës, të Karitasit e të veprimtarisë së përbashkët me administratën, po mbërrijmë tek shumë familje. Përpiqemi t’ua lehtësojmë dhimbjen”. Ceremonia përfundoi në kapelën e spitalit, me lutjen për viktimat e pandemisë dhe për të sëmurët me koronavirus. Deri tani, në Spanjë kanë humbur jetën 23.190 vetë. Pas SHBA-ve dhe Italisë, është vendi i tretë me numrin më të madh të viktimave. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, të infektuarit janë 207.634, ndërsa të shëruarit, 98.731. Numri më i lartë i vdekjeve është regjistruar më 2 prill, me 950 viktima brenda 24 orëve.

27 prill 2020, 14:33