juan-pablo-ii-y-juan-xxiiiAEM.jpg

6-vjetori i shenjtërimit të Gjon Palit II dhe Gjonit XXIII

Dy shenjtorë, dy Papë të dashur, që e bënë Kishën gjithnjë e më të ngjashme me atë të dëshiruar nga Krishti. Para 6 vitesh, më 27 prill 2014, në të Dielën e Mëshirës Hyjnore, Papa Françesku shpalli shenjt Gjon Palin II e Gjonin XXIII, në praninë e Papës së nderit, Benedikti XVI.

R. SH. - Vatikan

Sheshi i Shën Pjetrit shkëlqente akoma me ngjyrat e Pashkëve të Ringjalljes, kishte aromën e luleve, të cilave u shtohej aroma e shenjtërisë. Ishte 27 prilli i vitit 2014 e Roma, qendra e krishterimit, i propozonte botës dëshminë e “dy njerëzve të guximshëm, plot me Shpirtin Shenjt”, fytyrën e mirësisë dhe të mëshirës së Zotit. Papa Françesku i pati përvijuar kështu dy papët, Gjonin XXIII dhe Gjon Palin II, gjatë homelisë së meshës për shenjtërimin e tyre, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, para më se 500 mijë besimtarëve, ardhur nga të gjitha anët e botës.

Shenjtorë në të Dielën e Mëshirës Hyjnore

          Ishte e Diela e Mëshirës Hyjnore, themeluar pikërisht nga Papa Gjon Pali II më 1992, një javë pas Pashkëve, e ashtuquajtura “E diela in albis”. Në meshë mori pjesë edhe Benedikti XVI, të cilin Papa polak e pati zgjedhur në krye të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, para se të bëhej pasardhësi i tij në fronin e Shën Pjetrit. Gjon Pali II shpallej shenjt nga Papa Françesku, sepse iu njoh ndërmjetësimi për shërimin e një gruaje, Floribhet Mora, nga një sëmundje e rëndë në tru. Shërim, që mban datën 1 maj 2011, dita e lumnimit të tij. Ndërsa për Papën Gjoni XXIII bëhej fjalë për një kanonizim “Pro gratia”, pa ndonjë mrekulli të provuar, por pa dyshim, pranuar e njohur si njeri i shenjtë nga e gjithë grigja e Krishtit.

Në çdo të vuajtur, shihnin Jezu Krishtin

          Françesku i quajti të dy Papët, njerëz që “patën guximin t’i shohin plagët e Jezusit, t’i prekin varrët e duarve të tij dhe brinjën e shporuar. Nuk patën turp nga korpi i Krishtit, nuk u shkandulluan nga Ai, nga Kryqi i tij; nuk patën turp nga trupi i vëllezërve, sepse në çdo njeri të vuajtur shikonin Jezusin”. Panë dhe deshën shumë. Dy njerëz, që kundronin Zotin, plot me “shpresë të gjallë” e me “gëzim të patreguar e të lavdishëm”, të aftë t’ia kthejnë botës dhe Kishës dhuratat, që u pati bërë atyre Hyji.

Barinj të Popullit të Zotit

          Shenjtorë, në gjendje ta bëjnë Kishën të përparojë e të rritet, shpjegoi Françesku, duke e përshkruar Gjonin XXIII si Papë i butë ndaj dikimit të Shpirtit Shenjt, sepse, kur mblodhi Koncilin II të Vatikanit, në vitin 1959, “e lejoi të dikojë mbi të e kështu, u bë për Kishën, bari, kreu i saj i udhëhequr e i drejtuar nga Shpirti Shenjt”. Ndërsa, Papën Gjon Pali II, e quajti “Papa i familjes”; dritë për udhën drejt Sinodit, që Papa Bergoglio e mblodhi në tetor 2013. Të dy, Françesku i quajti “barinj të popullit të Zotit” e, edhe sot, si atëherë, ka vlerë lutja, që u drejtoi, për të na mësuar “të mos shkandullohemi nga plagët e Krishtit, të hyjmë në misterin e mëshirës hyjnore, që gjithnjë shpreson, gjithnjë fal, sepse gjithnjë do” me gjithë shpirt.

27 prill 2020, 11:56