Kërko

Françesku: të kujdesemi për gjithësinë, t’i përgjigjemi britmës së tokës e të varfanjakëve

Videomesazh i Papës për nismën “Laudato si’ Week” (Java e Lëvduar qofsh), që do të mbahet nga 16 deri më 24 maj, në përvjetorin e pestë të Enciklikës së Françeskut kushtuar ekologjisë së gjithanshme njerëzore. Kujtojmë se dokumenti i rëndësishëm u botua më 24 maj 2015.

R.SH. - Vatikan

“T’i përgjigjemi krizës ekologjike, britma e tokës dhe ajo e të varfërve nuk mund të presë më”. Edhe një herë, Papa Françesku bën thirrje që “të kujdesemi për Shtëpinë tonë të përbashkët”, në një videomesazh për nismën “Laudato si’ Week” (Java e Lëvduar qofsh), që do të fillojë më 16 maj e do të përfundojë në datën 24 të po atij muaji. Ati i Shenjtë i nxit të gjithë të marrin pjesë në këtë Javë, që do të kremtohet nga bashkësitë katolike në përvjetorin e pestë të Enciklikës “Laudato si’”, botuar më 24 maj 2015.

E ardhmja e fëmijëve

         Me rastin e kësaj “fushate globale”, Françesku na nxit sërish të pyesim “ç’lloj bote duam t’u lëmë atyre, që do të vijnë pas nesh, fëmijëve që po rriten”. Edhe në Enciklikë, Papa shpjegon se kjo pyetje nuk ka të bëjë vetëm me ambientin, por në përgjithësi me sensin e ekzistencës dhe me vlerat bazë të jetës shoqërore. Sepse gjithçka, nënvizon Ati i Shenjtë në videomesazh, është “dhuratë e Zotit tonë të mirë krijues”.

Puna e bashkësive katolike

         “Java e Laudato Si’” është promovuar nga Dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit të gjithanshëm Njerëzor dhe nga Lëvizja Globale Katolike për Klimën, duke pasur parasysh punën e bërë deri tani nga bashkësitë katolike në mbrojtje të gjithësisë së krijuar prej Zotit. Impenjimi për të ardhmen synon përshpejtimin e veprave për ruajtjen e Shtëpisë sonë të përbashkët.

03 mars 2020, 12:47