Si mund të ndiqet lutja e Papës, më 27 mars, në orën 18
R.SH. - Vatikan
Bota pret me interes lutjen universale qё Papa do tё kryesojё nesër, e premte, 27 mars në orën 18.00 nga trema e Bazilikës së Shën Pjetrit. Këtë moment urate Papa Françesku e propozoi personalisht në Engjëllin e Tënzot të së dielës së kaluar dhe e përsëriti në audiencën e përgjithshme të së mërkurës. Lutja e parë e kësaj jave, me pjesëmarrjen e gjithë të krishterëve, pavarësisht nga tradita e tyre fetare, ishte “Ati ynë” që u mbajt dje, 25 marsit, me të cilën u bashkuan edhe krerët e bashkësive të ndryshme të krishtera. Të gjithë i lartuan duart në një lutje mallëngjyese drejt Qiellit.
Pra, nesër, e premte, 27 mars, takimi i dytë i rëndësishëm, pёr t’iu lutur Zotit pёr kёtё periudhë tё vështirё qё po kalon njerizimi. Në orën 18.00, katolikët e gjithë botës ftohen të bashkohen shpirtërisht, përmes mjeteve të komunikimit, me Papën, i cili do të kryesojë një çast lutjeje në Tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, me sheshin bosh, siç njoftoi ai vetë:
“Do të dëgjojmë Fjalën e Zotit, do të lartojmë lutjen tonë, do të adhurojmë të Shenjtnueshmin Sakrament, me të cilin, në përfundim, do të jap Bekimin Urbi et Orbi (Romës dhe botës), bashkë me mundësinë për të marrë Ndjesën e plotë”.
Duke filluar nga ora 18.00, ngjarja do të transmetohet drejtpërdrejt e në mondovizion nga Vatican Media e mund të ndiqet në disa gjuhë në Radio Vatikan e në faqen tonë të internetit (kliko këtu), në faqen tonë në Facebook (kliko këtu) dhe në kanalin tonë Youtube (kliko këtu).