Kërko

Logoja e shtegtimit apostolik të Papës në Maltë Logoja e shtegtimit apostolik të Papës në Maltë 

Shtyhet udhëtimi i Papës në Maltë

Menduar për të shprehur mbështetjen për migrantët, që ia besojnë jetën Detit Mesdhe, udhëtimi apostolik i Papës Françesku në Maltë e Gozo, organizuar për 31 maj, shtyhet në një datë të pacaktuar, për shkak të emergjencës shëndetësore globale.

R.SH. - Vatikan

Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë njofton se udhëtimi apostolik i Papës Françesku, në program për 31 majin e ardhshëm, shtyhet në një datë të pacaktuar.

 “Për shkak të gjendjes botërore në vijim – lexohet në komunikatën e sotme për shtyp – në marrëveshje me autoritetet e me Kishën vendase”, vizita e katërt e Atit të Shenjtë në ishullin, që është selia e lashtë e Urdhërit kalorësiak të Maltës, me më pak se 500 mijë banorë, tani për tani, nuk do të bëhet.

Lajmi për këtë shtegtim të Papës u dha në shkurt, po nga Salla e Shtypit e Vatikanit. Pikërisht ditën e Rrëshajëve, Françesku do të shkonte në Maltë e në Gozo (një nga 21 ishujt e tjerë të arqipelagut maltez), për të shprehur mbështetjen e tij dhe të Kishës Katolike për mikpritjen dhe ndihmën, që u jepet migrantëve, të cilët vënë në rrezik edhe jetën, gjatë kapërcimit të Detit Mesdhe, me çdo lloj mjeti. Logoja e vizitës pasqyron dy duar në lutje drejt kryqit, që dilnin nga një barkë në mëshirë të valëve. Barka kujton edhe tregimin e mbytjes së anijes së shën Palit pikërisht para brigjeve të ishullit të Maltës (shih Vap 27,27-44) e mikpritjen bujare të banorëve të ishullit për Apostullin e Popujve. Shembull për botën e sotme.

23 mars 2020, 12:55