Kërko

Dita e zgjedhjes së Papës Françesku, 13 mars 2013 Dita e zgjedhjes së Papës Françesku, 13 mars 2013 

Shtatë vite me Françeskun, Papë i afërt, në kohën e distancës

Në këtë periudhë, kur i gjithë njerëzimi është i shqetësuar në kulm për koronavirusin, Ati i Shenjtë e drejton Kishën e meshtarët drejt shërbimit për më të varfërit, për të moshuarit e vetmuar, për ata që kanë më shumë nevojë; ia beson Zojës njerëzimin e plagosur e të sëmurët, si edhe lutet për mjekët, infermierët e gjithë personelin e shëndetësisë, që po lufton në llogore kundër këtij armiku të padukshëm e tinzar.

R.SH. - Vatikan

Më 13 mars 2013, Jorge Mario Bergoglio zgjidhej Papë e merrte emrin Françesk. Sot i mbushen shtatë vite në krye të Kishës Katolike, në përpjekjen për ta reformuar atë dhe për t’i dhënë një shtysë gjithë botës, që ajo të kthehet në udhën e Zotit, duke lënë mënjanë indiferentizmin, egoizmin dhe etjen për para e pushtet.  

E edhe në këtë periudhë, kur i gjithë njerëzimi është i shqetësuar në kulm për koronavirusin, Ati i Shenjtë e drejton Kishën e meshtarët drejt shërbimit për më të varfërit, për të moshuarit e vetmuar, për ata që kanë më shumë nevojë; ia beson Zojës njerëzimin e plagosur e të sëmurët, si edhe lutet për mjekët, infermierët e gjithë personelin e shëndetësisë, që po lufton në llogore kundër këtij armiku të padukshëm e tinzar.

 Duke nisur që sot e për një javë rresht, me nismën e kardinalit Angelo Comastri, kryeprift i Bazilikës së Shën Pjetrit, çdo ditë në orën 12.00. do të thuhet lutja e Engjëllit të Tënzot, pasuar nga litanitë lauretane, për të kërkuar ndërmjetësimin e Marisë në këtë çast kaq të vështirë për mbarë njerëzimin!

Tiparet e papnisë së Françeskut: paqja, shpresa, të varfërit, emigrantët

Këto shtatë vite të papnisë së Françeskut janë karakterizuar nga takime për paqen – si ai për Sudanin e Jugut në Vatikan në vitin 2014, kur Papa u përkul për t’u puthur këmbët liderëve të vendit, ashtu si Krishti të Enjten e Madhe; - nga nxitja për shpresë – si ajo, që u dha italianëve, pas tërmetit të Italisë Qendrore në vitin 2016; - nga puna e palodhur për ungjillëzimin e promovimin njerëzor – si impenjimi për ambientin e për popujt indigjenë të Amazonës, të cilëve Ati i Shenjtë u kushtoi një sinod e një Nxitje apostolike; - nga thirrjet e shumta për t’i mirëpritur emigrantët e të varfërit e kësaj bote – të cilat Papa i ka përsëritur shpesh, duke filluar nga vizita e tij në ishullin italian të Lampeduzës e në atë grek të Lesbos, ku zbarkojnë mijëra të ikur nga lufta e nga një jetë e padenjë; - nga kërkesa për të gjithë, por sidomos për krerët politikë, që të mos i nënshtrohen kurrë luftës – e për këtë, emblematike qe vizita e Atit të Shenjtë në Hiroshimë, ku nënvizoi se jo vetëm përdorimi, por edhe veç zotërimi i armëve atomike, është i pamoralshëm.

Promovimi i kulturës së takimit në fushën ekumenike, ndërfetare, shoqërore dhe politike

Një mëkat tjetër i rëndë është hipokrizia, ka denoncuar Papa Françesku gjatë këtyre shtatë viteve, duke vënë në dukje se në konventat ndërkombëtare, shumë shtete “flasin për paqen e pastaj, u shesin armë vendeve në luftë”. Kudo ku ka shkuar, Bergoglio është përpjekur të promovojë kulturën e takimit, në fushën ekumenike, ndërfetare, shoqërore dhe politike, ose edhe thjesht, në nivelin personal njerëzor. Ka kërkuar bashkim, pa i shuar dallimet, që përbëjnë identitetin e secilit. E kjo u pa qartë në Bari, kur mori pjesë në takimin “Mesdheu, kufi i paqes” me ipeshkvijtë e vendeve mesdhetare, të cilëve Papa u tha se lufta është çmenduri, së cilës nuk mund t’i nënshtrohemi kurrë.

Dhimbja e zemrës për të tjerët

 Këto janë vetëm disa çaste të “shërbimit të gjesteve” të Papës së ardhur nga ana tjetër e botës. Gjeste, që sot, kur na është ndaluar çdo shenjë e dukshme takimi e duhet t’u rrimë njerëzve së paku 1 metër larg, kanë edhe më tepër rëndësi, në pritje të asaj afërsie me tjetrin, që nuk është shtrëngim i thjeshtë duarsh, por “dhimbje e zemrës” për të, siç kërkon gjithnjë Françesku.

13 mars 2020, 15:11