Kërko

Papa Françesku Papa Françesku 

Shtatë ditë me Françeskun

E vështirë për Papën Françesku java, që sapo kaloi, me të gjitha veprimtaritë transmetuar përmes internetit, në mënyrë që të shmanget grumbullimi i njerëzve, të cilët do të rrezikonin të përhapnin sëmundjen e shkaktuar nga koronavirusi, Covid-19.

R.SH. - Vatikan

Edhe Vatikani, ashtu si Italia, merr masa për ta luftuar këtë virus, duke mbrojtur besimtarët, që çdo ditë mbushin Bazilikën e Shën Pjetrit e sheshin para saj, vizitojnë Muzetë e Vatikanit e bukuritë e tjera të këtij shteti të vogël. Vërtet, Bazilika, sheshi, Muzetë, janë mbyllur deri në një urdhër të dytë, por Papa Françesku, i cili kremtoi të premten 7-vjetorin e papnisë, vijon të çojë meshë, të mbajë audiencën e përgjithshme e të thotë lutjen e Engjëllit të Tënzot. Madje, jo vetëm me besimtarët, që mblidheshin në kapelën e Shën Martës e në sheshin e Shën Pjetrit, por me gjithë besimtarët e botës e me gjithë njerëzit, që duan ta ndjekin përmes internetit. Vërtet, mesha e tij në Shën Martë, audienca e përgjithshme e së mërkurës dhe Engjëlli i Tënzot, mesditën e së dielës, transmetohen drejtpërdrejt në streaming.

Meshët e Shën Martës për të sëmurët e koronavirusit, për mjekët dhe infermierët

Gjatë javës së kaluar, Papa Françesku u lut për të sëmurët e koronavirusit, në të gjitha meshët e kremtuara në Shtëpinë e Shën Martës. U lut për mjekët e për infermierët dhe për gjithë punonjësit e shëndetësisë, që po luftojnë me çdo mjet kundër këtij armiku të padukshëm, i cili, për Atin e Shenjtë, nuk duhet t’ua mposhtë njerëzve edhe shpirtin, në këtë kohë Kreshmësh, kohë pendese, agjërimi e lutjeje drejtuar Zotit të Gjithpushtetshëm që ta shpëtojë botën nga kjo pandemi. Vetë Papa Françesku ia besoi Romën, Italinë, botën mbarë, mbrojtjes të Nënës së Zotit, përmes një videomesazhi, me rastin e meshës, kremtuar më 11 mars, në orën 19.00, nga kardinali mëkëmbës Angelo De Donatis, në shenjtëroren romake të Zojës së Dashurisë Hyjnore. Po atë ditë, në meshën e mëngjesit, Françesku kujtoi edhe të burgosurit e të krishterët e persekutuar në botë, veçanërisht, Asia Bibin.

Audienca e përgjithshme e së mërkurës

Audienca e përgjithshme e së mërkurës, transmetuar në streaming, iu kushtua Lumnisë së katërt, etjes për drejtësi. Ungjilli - kujtoi Papa Françesku - “është drejtësia më e madhe, që mund t’i ofrohet zemrës njerëzore, edhe pse shpesh nuk e kupton këtë”. Në përfundim, Papa falënderoi famullinë e burgut “Due Palazzi” të Padovës për thellësinë e meditimeve, shkruar nga bashkësia e të burgosurve për Udhën e Kryqit të së Premtes së Madhe. Vërtet, kësaj radhe, meditimet e Udhës së Kryqit në Koloseum, bashkë me Papën, i kanë shkruar të burgosurit padovanë, të cilët Ati i Shenjtë i falenderoi edhe në letrën drejtuar gjithë venedikasve e botuar në gazetën “Il Mattino” (Mëngjesi) të Padovës. “Vuajtja dhe vdekja që, ashtu si në anët e tjera të Italisë, po përjetoni për shkak të virusit, është për mua arsye për lutje dhe afërsi njerëzore”, u shkroi Papa banorëve, më 10 mars. 

Kreshmët, udhë drejt Ringjalljes

E duke i ftuar besimtarët t’i kthejnë sytë kah Zoti, në këtë kohë Kreshmësh e pandemie njëkohësisht, në pritje të Pashkëve të Ringjalljes, në tweet-in e 9 marsit, ditën e hënë, Ati i Shenjtë shkruan: “Lutja kreshmore mund të marrë forma të ndryshme, por ajo që ka rëndësi nё sytë e Hyjit ёshtё qё lutja tё rrëmojë brenda nesh, duke arritur deri në skërfitjen e zemrës sonë tё gurtë për ta kthyer atë kah Zoti”. E më 13 mars, në meshën e kremtuar në Shën Martë, u kërkoi meshtarëve të marrin masa për të mos e lënë vetëm popullin e Zotit, por për ta shoqëruar me ngushëllimin e Fjalës së Hyjit, me sakramente e me lutje.

15 mars 2020, 08:40