Kërko

Papa Françesku Papa Françesku 

Shtatë ditë me Françeskun

Nga një ditë në tjetrën, java e Papës Françesku u karakterizua nga meshët në Shtëpinë e Shën Martës, të cilat i kremtoi edhe pse pak i ftohur, nga mesazhe e videomesazhe për ndjetin e lutjes së marsit, për të rinjtë e për migrantët.

R.SH. - Vatikan

Veprimtaria e Papës javën e kaluar u kushtëzua nga një e ftohur e lehtë, që ia ndryshoi planet Françeskut. Vetë Ati i Shenjtë e kujtoi këtë në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës, 1 mars, kur njoftoi edhe se nuk mund të shkonte në ushtrimet shpirtërore të Kuries Romake, të cilat vijuan gjatë gjithë javës për të përfunduar të premten, në Ariccia, pranë Romës. Papa i ndoqi ato nga dhoma e vet, në Shtëpinë e Shën Martës.

Thirrje për migrantët në Engjëllin e Tënzot

Në Engjëllin e Tënzot, Papa u kërkoi besimtarëve të luten për migrantët, që ikin nga luftrat. Thirrje, që përkoi me krizën e re të migracionit, shkaktuar nga shkallëzimi i konfliktit në rajonin sirian të Idlibit, ku rreth 950.000 njerëz ikën nga shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar dhunës.

Po javën e kaluar, të premten, u njoftua se Dita e 106-të Botërore e Migrantit dhe e Refugjatit do të kremtohet të diel, më 27 shtator. Për mesazhin tradicional, Ati i Shenjtë zgjodhi titullin “Si Jezu Krishti, të detyruar të ikin”. Mesazhi do të përqendrohet tek puna baritore me të shpërngulurit e brendshëm nëpër botë, sot 41 milionë vetë.

Ushtrimet shpirtërore të Kuries

Siç e thamë, pa praninë e Françeskut, në mbrëmjen e së dielës 1 mars, bashkëpunëtorët e Papës arritën në Shtëpinë e Mësuesit Hyjnor, në Ariccia, për ushtrimet shpirtërore të Kreshmëve. Predikatari i sivjetëm, atë Pietro Bovati përvijoi një udhë meditimesh, duke reflektuar mbi “takimin ndërmjet Zotit dhe njeriut, në dritën e Librit të Daljes, të Ungjillit sipas Mateut dhe të lutjes së Psalmeve”.

Laudato si’ Week

Të martën, më 3 mars, u bë i njohur videomesazhi i Papës për nismën “Laudato si’ Week”, planifikuar nga 16 deri më 24 maj. Bashkësitë katolike do të kremtojnë 5-vjetorin e Enciklikës së Françeskut kushtuar ekologjisë së gjithanshme njerëzore. “Përsëris thirrjen time urgjente – thotë Papa në videomesazh – për t’iu përgjigjur krizës ekologjike; britma e tokës dhe e të varfërve nuk mund të presë më. Të kujdesemi për gjithësinë, dhuratë e Zotit tonë të mirë Krijues”.

Mesazhi i Papës për Ditën Botërore të Rinisë

Të enjten, më 5 mars, u bë i njohur mesazhi i Papës Françesku për Ditën Botërore të Rinisë, që do të kremtohet më 5 prill, të Dielën e Larit, në nivelin dioqezan. Ati i Shenjtë i fton të rinjtë t’i ngrenë sytë nga telefonët celularë e të mos e kalojnë kohën kot, por t’i propozojnë botës dhe Kishës “diçka të bukur në fushën shpirtërore, artistike e shoqërore”.

08 mars 2020, 08:16