Papa Françesku kremton meshën  në Shtëpinë e Shën Martës Papa Françesku kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës  Editorial

Përvjetori i një Pape, që na udhëheq, duke na shoqëruar

Fillimi i vitit të tetë të shërbimit pjetrin të Françeskut bie në mes të krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit: “jemi pluhur, por pluhur i çmuar, i dashur nga Zoti, i destinuar të jetojë përgjithmonë”.

R.SH. - Vatikan

Fillimi i vitit të tetë të papnisë së Papës Françesku bie në një çast dramatik për mbarë njerëzimin, të cilit i duhet të përballojë pandeminë e COVID-19. Thirrja, e fuqishme për të gjithë, për ta mbajtur shikimin të fiksuar në çka është thelbësore, kërkon që ky përvjetor të festohet ndryshe nga vitet e kaluara. Në këto ditë të vështira, ndërsa secili prej nesh vihet dramatikisht përballë pasigurisë së jetës, Papa Françesku vendosi të na shoqërojë me lutje, duke na besuar të gjithëve shën Marisë dhe duke e kremtuar çdo ditë Eukaristinë në Shtëpinë e Shën Martës, në meshën, që transmetohet drejtpërdrejt çdo mëngjes në gjithë botën falë internetit, siç nuk ka ndodhur ndonjëherë.

Në fund të fundit, pikërisht këto Meshë, kremtimet e përditshme të Papës “famullitar”, që u predikon grupeve të vogla të besimtarëve, duke ndarë me ta përshtypjet, që ngjall në të, meditimi mbi Fjalën e Zotit të asaj dite, përfaqësojnë një nga risitë më domethënëse të kësaj papnie. Një shoqërim ditë për ditë, i cili është kthyer në takim ngushëllues për shumë njerëz, të cilët, në këto shtatë vite, e kanë kërkuar dhe e kanë lexuar përmbledhjen e homelisë së meshës në Shën Martë, dhënë nga media e Vatikanit. Tani, ky shoqërim i thjeshtë e konkret nga ana e Papës, i cili kremton meshën në kapelën e vendit ku banon, duke e ofruar flijimin eukaristik për ata që vuajnë, për të sëmurët, për të afërmit e tyre, për mjekët, infermierët, vullnetarët, të moshuarit e vetmuar, të burgosurit, autoritetet, është bërë edhe më i dukshëm e më ngushëllues.

Të Mërkurën e Përhime, kur emergjenca e koronavirusit ende nuk perceptohej qartë, Pasardhësi i shën Pjetrit pohonte: “Ne i fillojmë Kreshmët, duke marrë hirin: ‘Mos harro se je pluhur dhe pluhur do të kthehesh’. Hiri, që na vënë mbi krye, na sjell përsëri në tokë, na kujton se vijmë nga toka dhe se do të kthehemi në tokë. Jemi pra, të ligshtë, të brishtë, të vdekshëm. Gjatë shekujve dhe mijëvjeçarëve, ne jemi në kalim, të përkohshëm; para pafundësisë së galaktikave dhe të hapësirës, jemi grimca. Jemi pluhur në univers. Por jemi pluhur i dashur nga Zoti. Hyji deshi ta mbledhë pluhurin tonë në duart e veta e të frynte mbi të frymën e jetës. Pra, ne jemi pluhur i çmuar, i destinuar të jetojmë përgjithmonë. Jemi toka mbi të cilën Zoti ka derdhur qiellin e tij, pluhuri, që përmban ëndrrat e tij. Ne jemi shpresa e Zotit, thesari i tij, lavdia e tij”. Papa e mbyllte homelinë me këto fjalë: “Le të pajtohemi, për të jetuar si bij të dashur, si mëkatarë të falur, si të sëmurë të shëruar, si udhëtarë të shoqëruar. Të lejojmë të na duan, që edhe ne të duam. Le të ngrihemi, për të ecur drejt horizontit, drejt Pashkëve. Do të përjetojmë gëzim kur të zbulojmë se Zoti na ringjall nga hiri ynë”.

Pikërisht për të dëshmuar këtë vështrim shprese dhe këtë përqafim për të gjithë, Papa, që na udhëheq duke na shoqëruar, të martën, më 10 mars, në fillim të meshës në Shtëpinë e Shën Martës, deshi të lutet veçanërisht për meshtarët, që, në këtë çast, të kenë forcë për të shoqëruar, për të ngushëlluar dhe për t’u qëndruar pranë të vuajturve. E, duke marrë të gjitha masat e mundshme paraprake, të kenë “guximin për të dalë e për shkuar tek të sëmurët, duke u çuar forcën e Fjalës së Zotit dhe Eukaristinë e duke shoqëruar punonjësit e shëndetësisë, vullnetarët”, në shërbimin e jashtëzakonshëm që po kryejnë.

13 mars 2020, 09:32