Kërko

Vatican News
Papa Françesku në DBR-në e Panamasë Papa Françesku në DBR-në e Panamasë  (ANSA)

Papa, të rinjve: mos u izoloni, afërsi do të thotë lumturi

“Rini, ty po të them, çohu!”: ky është titulli i Mesazhit për Ditën e 35-të Botërore të Rinisë, e cila do të kremtohet në nivelin dioqezan, më 5 prill, të Dielën e Larit. Papa Françesku u bën thirrje vajzave dhe djemve të mos mënjanohen nga jeta, por të bëjnë diçka të bukur për botën dhe për Kishën.

R.SH. - Vatikan

Mesazhi i Papës Françesku për Ditën Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në nivelin dioqezan, më 5 prill, të Dielën e Larit.

Telefoni celular për të xhiruar, ndoshta, edhe një dramë, por pa u shqetësuar personalisht, s’është tejtër veçse sipar, që mbyll zemrën. “Happy hour”, një gotë pije para darkës, për t’u shijuar “duke mbajtur distancë”, s’është tjetër veçse jeta “e shkujdesur” atij që i kalojnë para syve pamjet e saj, por nuk i sheh vërtet. Për shumë të rinj, këto janë receta lumturie, por brenda janë “të vdekur” nga mërzia e dëshpërimi, nga apatia, që i zhyt me të dyja këmbët në amulli. Nga ana tjetër, dinamizmi i Ungjillit, stili i Jezusit që kalon, i shikon njerëzit, mallëngjehet, i prek, i do me gjithë shpirt dhe i shëron.

Vështrimi i kujdesshëm

Këto dy plane diametralisht të kundërta janë pjesë e Mesazhit të Papës Françesku për Ditën Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në nivelin dioqezan, më 5 prill, të Dielën e Larit. Kujtojmë se rinia do të mblidhet në takimin e ardhshëm ndërkombëtar,  në Lisbonë, në vitin 2022. Ati i Shenjtë u shkruan të rinjve, duke u nisur nga Nxitja apostolike “Christus vivit”, botuar pas Sinodit kushtuar atyre në vitin 2018. E, siç e ka zakon kur i drejtohet rinisë, fjalët kalojnë energjikisht nga identifikimi i sinqertë i skutave të errëta dhe i kurtheve të jetës të disave, në dritën e atyre, që kur e ndiejnë dashurinë e Krishtit, bien por ngrihen prapë e nuk ndalen së dashuri të afërmin. Papa jep shembullin e Jezu Krishtit dhe të qëndrimit të Tij ndaj vejushës së Nainit, kur has turmën e vogël, që po shkonte të varroste djalin e vetëm të asaj gruaje. “Jezusi - vëren Françesku – e ndal kortezhin funebër. Afrohet, bëhet i afërt”. Por më parë, ndalet për të parë skenën “me vështrim të kujdesshëm dhe jo të shpërqendruar”, e kupton mundimin e gruas e i dhimbset ajo.

Të këqiat e jetës

“Po vështrimi im, si është? Shikoj me sy të vëmendshëm, apo sikur shfletoj shpejt mijëra fotografitë e profilit tim në telefonin celular, ose në rrjetet shoqërore?”. Me këto fjalë, Papa Françesku shqyrton stilin e jetës së të rinjve, duke vërejtur prirjen “jeto e lëri të jetojnë”, prirjen për të ndenjur mënjanë. “Rreth nesh, por nganjëherë edhe brenda nesh - shkruan ai - takojmë realitete të vdekjes: fizike, shpirtërore, emocionale, shoqërore. A i vëmë re vërtet apo thjesht vuajmë pasojat? A mund të bëjmë diçka për ta rikthyer jetën?”. Ka të rinj “të vdekur, sepse e kanë humbur shpresën”, pohon Papa, të rinj të prekur nga depresioni, “që bëjnë sikur jetojnë”, që e vënë veten në rrezik “me përvoja ekstreme”, që lypin qoftë edhe një kënaqësi të vogël, “që mendojnë vetëm për të fituar para dhe për t’u sistemuar”, që vuajnë nga ndonjë dështim personal. “Në planin afatgjatë – nënvizon Ati i Shenjtë - do t’u shfaqet pashmangshmërisht një lloj pakënaqësie e shurdhër, një lloj apatie, një lloj mërzitje nga jeta, gradualisht, gjithnjë e më shqetësuese”.

Vlera e afërsisë me të tjerët

Përballë këtyre udhëve, që çojnë drejt vdekjes shpirtërore, Jezusi na tregon udhët e jetës. E këto udhë kalojnë nga hapja e zemrës për të tjerët, thekson Françesku, veçanërisht kur janë në vështirësi. Mallëngjimi i Jezusit para vejushës e para djalit të saj pa jetë “e bën atë pjesëmarrës në realitetin e tjetrit. Ai e merr mbi vete mjerimin e tjetrit. Dhimbja e asaj nëne bëhet dhimbja e tij. Vdekja e atij biri bëhet vdekja e tij”. Ja e vërteta paradoksale, që na mëson Ungjilli e, Papa ua përsërit të rinjve: “Nëse do të dini të derdhni lot me ata që qajnë, do të jeni vërtet të lumtur”. Duhet të mësoni të bëheni të afërt, ashtu siç u bë i afërt Krishti me gruan dhe me djalin e Ungjillit, “i cili kishte vdekur me të vërtetë” dhe “u kthye në jetë, sepse u shikua nga dikush, që e deshi të gjallë. Kjo - siguron Papa - mund të ndodhë edhe sot, çdo ditë”.

Fjala, që ringjall

Fjalët e Jezusit i kapërcejnë frazat motivuese - Papa i quan ato “magjike” - të cilat sot, nënvizon ai, “janë në modë dhe pretendojnë të zgjidhin gjithçka: ‘Duhet të besosh tek vetja’, ‘Duhet ta gjesh forcën brenda vetes’... Por të gjitha këto janë fjalë e aq, prandaj nuk funksionojnë për ata që, me të vërtetë, ndihen ‘të vdekur në shpirt’. Fjala e Krishtit është në tjetër nivel, është pafundësisht superiore. Është fjalë hyjnore dhe krijuese, e vetmja, që mund ta rikthejë jetën aty ku ajo është shuar”. Në një epokë, në të cilën shpesh kemi “lidhje”, por jo komunikim, në të cilën ka “të rinj të izoluar dhe të përqendruar mbi botën virtuale”, Françesku përsërit fjalët e Jezusit për djalin në arkivol: “Çohu!”. “Është ftesë - shpjegon ai – për t’u hapur drejt një realiteti, që shkon përtej virtuales. Kjo nuk do të thotë të përçmohet teknologjia, por të përdoret ajo si mjet dhe jo si qëllim në vetvete. “Çohu” do të thotë edhe “ëndërro”, “rreziko”, “impenjohu për ta ndryshuar botën”, ndezi sërish dëshirat, kundroje qiellin, yjet, botën përreth.

“Ngrejeni zërin”

 “Nëse Jezusi do të kishte qenë dikush, që shihte punët e veta, djali i vejushës nuk do të ishte ringjallur”, kujton Papa fjalët, që i ka dëgjuar pikërisht nga një i ri. E përfundon: “Cilat janë pasionet dhe ëndrrat tuaja? Lërini të dalin mbi ujë e, përmes tyre, propozojini botës, Kishës, të rinjve të tjerë, diçka të bukur në fushën shpirtërore, artistike dhe shoqërore. Po jua përsëris në gjuhën time amtare: hagan lìo! Bëni zhurmë - Ngrejeni zërin!”.

05 mars 2020, 12:57