Kërko

Papa: të jesh dëshmitar është dhuratë e Zotit

Bota e ndoqi sot nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, lutjen e Engjëllit të Tënzot të Françeskut. Distancë e imponuar nga përpjekja për t’iu kundërvënë epidemisë së Covid 19. Lutja e transmetuar drejtpërdrejt në streaming, kishte në qendër të vëmendjes dashurinë me të cilën Jezusi na thërret t’i rrimë pranë. Gjithsesi Papa që nuk mund t’i durojë distancat, në përfundim të lutjes “doli nga kafazi”, e u duk për një përshëndetje në dritaren e Engjëllit, mbi Sheshin e Shën Pjetrit.

R. SH. - Vatikan

Ishte, pra një lutje e pazakonshme e Engjëllit, kjo e së Dielës së Dytë të Kreshmëve. Ora trokiti 12.00, por dritarja, nga e cila Papa flet e bekon botën e sotme, nuk ishte ajo, nga jemi mësuar ta shikojmë çdo të diel në mesditë. Dritaren sot e zëvendësoi ekrani, ku Papa u duk në këmbë, në Bibliotekën e Pallatit Apostolik. Nuk ishte e çuditshme kjo pamje për besimtarët e mbledhur në Shesh. E kishin marrë vesh  nga komunikata e Sallës vatikanase e Shtypit,  e cila e dha që dje njoftimin për këtë ndryshim, të diktuar nga përpjekja për të shmangur rrezikun e përhapjes së Covid 19.

Shndërrimi dhe kuptimi i misterit të Krishtit

Papa rilexoi sot faqen e Ungjillit të Mateut (Mt 17, 1-9), duke u ndaluar tek skena e Shndërrimit të Krishtit. Kujtoi sesi Jezusi u ngjit mbi një mal të lartë, simbol  i afërsisë me Zotin e nisi t’u flasë tre dishepujve të zgjedhur për ta shoqëruar, për misterin e Vetjes së Tij. U kujtoi se duhej të  vuante, të vdiste e pastaj të ringjallej. Zoti tregonte, po dishepujt nuk e kuptonin, madje as që mund ta pranonin këtë perspektivë. Atëherë ata panë, çka nuk kishte parë kurrë asnjë sy njeriu. Fytyra e Tij shndriti si dielli e veshjet e Tij u bënë të bardha, si drita”. “Dishepujt panë misterin e shndërrimit!”.

E përmes këtij misteri të mrekullueshëm, tre dishepujt njohën në Jezusin Birin e Zotit në shkëlqimin e lumnisë së Tij. Kuptuan  se pamja  njerëzore nuk e shprehte gjithë realitetin e Tij: përpara syve të tyre u zbulua përmasa mbitokësore, hyjnore e Jezusit:

“Ky është Biri im, i dashur [ …] Dëgjojeni! Ati qiellor vërtetonte kështu, se Jezusi ishte Biri i Zotit dhe i ftonte dishepujt ta dëgjonin e ta ndiqnin pas”.

Zoti na zgjedh sipas planit të dashurisë

Duhet nënvizuar - kujtoi Ati i Shenjtë në vijim të lutjes së Engjëllit të Tënzot - se, në mes të grupit të të Dymbëdhjetëve, Jezusi zgjodhi e mori me vete mbi mal, Pjetrin, Jakobin e Gjonin. U njohu atyre privilegjin e pranisë në Shndërrimin e Tij. Ndonëse në orën e provës Pjetri do ta mohonte; ndërsa dy vëllezërit, Jakobi e Gjoni, do t’i kërkonin vendet e para në mbretërinë e Tij:

“Jezusi nuk zgjedh sipas kritereve tona, po sipas planit të Tij të dashurisë. Zgjedh, pa kërkuar shpërblim, pa kushte, lirisht, me miqësi hyjnore”

E ashtu si i pati thirrur tre dishepujt asokohe - kujtoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot - ashtu edhe sot  i thërret disa pranë vetes, që të mund ta dëshmojnë:

“Të jesh dëshmitar është dhuratë, që nuk e meritojmë; e ndjejmë veten të paaftë, po nuk mund të kthehemi mbrapa me pretekstin se jemi gjinde e ligshtë”.

“Ngrejuni e mos kini frikë!”- Jezusi na e thotë këtë edhe ne

Këtë theksoi Françesku, për të kujtuar, më pas, diçka me rëndësi të dorës së parë për jetën tonë mbi tokë, e drejt majave:

“Nuk ishim mbi malin Tabor, nuk e pamë me sytë tanë fytyrën e Jezusit  duke shndritur si dielli. Megjithatë, edhe ne na u dorëzua Fjala e shëlbimit,  na u dhurua feja e provuam në forma të ndryshme, gëzimin e takimit me Jezusin. Edhe ne Zoti na thotë: ‘Ngrejuni në këmbë e mos kini frikë!’”.

Në këtë botë plot me egoizëm e babëzi - vijoi të kujtojë Papa në lutjen e  Engjëllit - drita e Zotit zbehet shpesh nga shqetësimet e përditshme. E shpesh ankohemi se nuk kemi kohë të lutemi, se nuk jemi të aftë për të shërbyer në famulli, për t’iu përgjigjur kërkesave të të tjerëve… Po nuk duhet ta harrojmë kurrë Pagëzimin dhe Krezmimin, që morëm e që na bënë dëshmitarë, jo për aftësitë tona, por përmes dhuratës së Shpirtit Shenjt.

Në këtë kohë të përshtatshme - porositi Françesku në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në kushtet kaq dramatike të sëmundjes, që ka pushtuar edhe Sheshin e Shën Pjetrit - Virgjëra Mari na ndihmoftë  t’i bindemi plotësisht Shpirtit Shenjt, bindje e domosdoshme për të ecur vendosmërisht në udhën pendestare të Kreshmëve, që na çon drejt Pashkëve të Ngjalljes!

08 mars 2020, 13:32