Kërko

 Sinodi i ipeshkvijve Sinodi i ipeshkvijve 

Papa shpall për vitin 2022, Sinodin e ipeshkvijve kushtuar Kishës dhe sinodalitetit

Pas dy vjetësh do të mbahet asambleja e ardhshme e përgjithshme e zakonshme e Sinodit të ipeshkvijve me temën e sinodalitetit. Njoftimin e jep sekretari i përgjithshëm i Sinodit, kardinali Lorenzo Baldisseri

R. SH. - Vatikan

“Për një Kishë sinodale: bashkim, pjesëmarrje e mision”. Kjo, tema e Asamblesë XVI të përgjithshme të zakonshme të Sinodit të ipeshkvijve, shpallur nga Papa Françesku. Ati i Shenjtë, gjatë papnisë së tij, kujton shpesh se sinodaliteti është udha kryesore e jetës së Kishës. Me rastin e 50-vjetorit të themelimit të Sinodit të ipeshkvijve, më 17 tetor 2015, pati shqiptuar këto fjalë: “Ajo që na kërkon Zoti përmblidhet, në një farë mënyre e tëra, në fjalën Sinod. Të ecim së bashku - laikë, barinj, ipeshkvi i Romës - është koncept i lehtë për t’u shprehur me fjalë, por jo edhe aq i lehtë për t’u vënë në jetë:

“Udha e sinodalitetit është udhë që Zoti e pret nga Kisha e mijëvjeçarit të tretë” (Papa Françesku, 17 tetor 2015).

Një piramidë e kthyer përmbys

Sinodaliteti - pati nënvizuar Papa më 2015 - ofron kornizën interpretuese më të përshtatshme për ta kuptuar shërbesën hierarkike. “Po ta kuptojmë se - siç na kujton Shën Gjon Krizostomi - Kisha dhe Sinodi janë fjalë sinonime, e kuptojmë edhe se bredna Kishës askush nuk mund ‘të lartohet’ mbi të tjerët. Përkundrazi - shpjegon Ati i Shenjtë - në Kishë është e nevojshme që ndokush të ‘ulet’, për t’u vënë në shërbim të vëllezërve  gjatë rrugës". Jezusi e themeloi Kishën “duke vënë në krye të saj Kolegjin apostolik, në të cilin Pjetri është shkëmbi”. Por në këtë Kishë, “që i ngjet një piramide të përmbysur, maja është poshtë bazës”. Prandaj - vërente Françesku - ata, të cilët e ushtrojnë autoritetin, “quhen ministra”, që domethënë shërbëtorë sepse, sipas kuptimit të kësaj fjale, janë më të vegjlit ndërmjet të gjithëve.

Nivelet e sinodalitetit

Niveli i parë i ushtrimit të sinodalietit realizohet në Kishat e veçanta. I dyti është ai i Provincave dhe Rajoneve Kishtare, i Koncileve të Posaçme e, në mënyrë të veçantë, i Konferencave Ipeshkvnore. Niveli i fundit është ai i Kishës universale. “Këtu Sinodi i ipeshkvijve, duke përfaqësuar kolegjialitetin episkopal - kujton Papa - bëhet shprehje e kolegjialitetit  ipeshkvnor brenda një Kishe tërësisht sinodale.

Sinodi e sinodaliteti

Duke marrë shtytjen nga fjalët e Françeskut në 50-vjetorin e themelimit  të Sinodit të ipeshkvijve, Komisioni Teologjik Ndërkombëtar organizoi, në vitin 2018, një studim kushtuar sinodalitetit në jetën dhe në misionin e Kishës. Sinod - lexohet në dokument - është fjalë e lashtë në traditën e Kishës. Përbëhet nga parafjala  σύν (me) e nga emri ὁδός (udhë). Ka kuptimin e udhës që bën së bashku Populli i Zotit. Që në shekujt e parë - kujtohet në dokument - fjala “sinod” përdorej për asambletë kishtare të thirrura në nivele të ndryshme për të sqaruar, në dritën e Fjalës së Zotit, çështje doktrinore, liturgjike, kanonike e baritore. Termi sinodalitet - nënvizohet në studim -  “tregon modus vivendi et operandi, apo mënyrën e posaçme të jetës e të veprimtarisë së Kishës si Popull i Zotit, që e shpreh dhe e realizon konkretisht bashkimin duke ecur së bashku e duke u mbledhur në asamble me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të saj në misionin ungjillëzues. Koncepti i bashkimit shpreh thelbin e misterit dhe të misionit të Kishës”, që në kremtimin eukaristik ka “burimin dhe kulmin e vet”.

07 mars 2020, 13:54