Kërko

Vatican News
Hyrja e spitalit Molinette në Torino, Itali Hyrja e spitalit Molinette në Torino, Itali 

Papa për pandeminë: para Zotit jemi të gjithë bij, do t’ia dalim, së bashku

Bisedë e Papës Françesku me gazetën italiane “La stampa”: “Lutja na bën të kuptojmë brishtësinë tonë”, por Zoti “na transmeton qëndresë dhe afërsi”.

R.SH. - Vatikan

 “Këtu derdhen lot e njerëzit vuajnë. Nga kjo gjendje mund të dalim vetëm së bashku, si njerëzim i tërë”. Prandaj, duhet “ta shohim tjetrin me frymë solidariteti”. Kështu thotë Papa Françesku në një bisedë me vatikanistin e gazetës italiane “La Stampa”, Domenico Agasso.

         Këto kohë, që po kalojmë, Papa nënvizon se i ka jetuar “me pendesë, me dhembshuri e shpresë. E, edhe me përvujtëri, sepse shpesh harrojmë se në jetë ka “zona të errta”, çaste terri. Mendojmë gjithnjë se mund t’u ndodhin vetëm të tjerëve. Por, kjo kohë është e errët për të gjithë, pa përjashtim. Karakterizohet nga dhimbje e hije, që na kanë hyrë në shtëpi. Është gjendje e ndryshme nga sa kemi jetuar më parë. Edhe pse askush nuk mund të rrijë i qetë, secili prej nesh ndan me të tjerët këto ditë të vështira”.  

Si apostujt në stuhi, t'i kërkojmë ndihmë Zotit

         Kreshmët, shpjegon Ati i Shenjtë, “me lutje e agjërim, na mësojnë t’i shohim të tjerët me solidaritet, sidomos ata, që vuajnë. Në pritje të rrezatimit të asaj drite, që do t’i shndrisë sërish të gjithë e gjithçka”. Duke përmendur lutjen, Françesku shton: “Më vijnë ndërmend apostujt në mes të stuhisë, kur thërrasin Jezusin: ‘Mësues, po mbytemi’. Lutja na bën të kuptojmë brishtësinë tonë. Është britma e të varfërve, të atyre që po mbyten, që ndihen në rrezik, të vetmuar. E, në një situatë të vështirë, të dëshpëruar, ka rëndësi ta dimë se ekziston një Zot, pas të cilit të kapemi”. E Zoti “na mbështet me mënyra të ndryshme. Na transmeton qëndresë e afërsi, siç bëri me dishepujt, që i kërkonin ndihmë në stuhi. Ose kur i dha dorën Pjetrit, që po mbytej”.

Jemi të gjithë, bij të Zotit

         Papa nuk dëshiron të bëjë dallime “ndërmjet besimtarëve e jo besimtarëve. Jemi të gjithë njerëzorë e si njerëz jemi të gjithë mbi të njëjtën barkë. E asgjë njerëzore nuk duhet të jetë e huaj për të krishterin. Këtu derdhim lot, sepse vuajmë. Të gjithë. Kemi të përbashkët humanitetin dhe vuajtjen. Na ndihmon sinergjia, bashkëpunimi i ndërsjellë, ndjenja e përgjegjësisë dhe fryma e sakrificës, që lind në shumë vende. Nuk duhet të dallojmë ndërmjet besimtarëve dhe jo besimtarëve, le të shkojmë në rrënjë: tek humaniteti. Para Zotit jemi të gjithë bij të Tij”.

Vetmia e atyre, që vdesin pa ngushëllimin e familjarëve

         Françesku flet më pas për vetminë e atyre, që vdesin pa ngushëllimin e familjarëve: “Këtyre ditëve më kanë treguar një histori, që më preku dhe më shkaktoi shumë dhimbje, sepse përfaqëson ç’po ndodh nëpër spitale. Një grua e moshuar e kuptoi se po vdiste dhe deshi t’i përshëndesë të afërmit: infermierja mori celularin dhe i telefonoi së mbesës me video, kështu e moshuara e pa fytyrën e së mbesës dhe mundi të ndërrojë jetë me këtë ngushëllim. Nevoja jonë e fundit është të kemi një dorë, që të na e mbajë dorën. Një gjest shoqërimi përfundimtar. E shumë infermiere e infermierë e dëgjojnë këtë dëshirë të fundit, dëgjojnë dhimbjen e vetmisë, duke i marrë të sëmurët për dore. Dhimbja e atij, që ikën pa u përshëndetur, bëhet plagë në zemër për ata, që mbeten. Falenderoj të gjithë infermierët dhe infermieret, mjekët e vullnetarët që, pavarësisht nga lodhja e jashtëzakonshme, përkulen me durim e mirësi për ta plotësuar mungesën e detyrueshme të familjarëve”.

Fjalë kyçe për të rifilluar: rrënjët, kujtesa, vëllazërimi dhe shpresa

         Duke folur për pasojat në të ardhmen, Papa nënvizon se kjo që po ndodh, do të shërbejë “për të na kujtuar një herë e përgjithmonë se njerëzit dhe njerëzimi janë një bashkësi e vetme. E se sa i rëndësishëm dhe vendimtar është vëllazërimi njerëzor. Duhet të mendojmë se do të jetë pak si pas një lufte. Nuk do të ekzistojë më ‘tjetri’, por do të jemi të gjithë ‘ne’. Sepse nga kjo gjendje mund të dalim vetëm të gjithë së bashku. Duhet të kujdesemi edhe më tepër për rrënjët: gjyshërit, të moshuarit. Të krijojmë një vëllazërim të vërtetë ndërmjet nesh. Ta kujtojmë këtë përvojë të vështirë, përjetuar së bashku. E të shkojmë përpara me shpresën, që nuk zhgënjen kurrë. Këto do të jenë fjalë kyçe për të rifilluar: rrënjët, kujtesa, vëllazërimi dhe shpresa”.

20 mars 2020, 15:10