Kërko

 Papa duke kretmuar Meshën në Shën Martë Papa duke kretmuar Meshën në Shën Martë 

Papa në Shën Martë lutet edhe për të burgosurit, në këtë çast kaq të vështirë

Në Meshën e sotme të mëngjesit, Françesku vijoi të lutet për të sëmurët me coronavirus, duke kujtuar posaçërisht të burgosurit. Homelinë ua kushtoi kryesisht të krishterëve të persekutuar, duke kujtuar edhe Asia Bibin.

R. SH. - Vatikan

Mesha e tretë e mëngjesit, kremtuar nga Françesku drejtpëdrejt në streaming nga Kapela e Shën Martës. Duke nisur kremtimin, Papa vijoi të lutet për të sëmurët e coronavirusit, shoqëruar me një mendim të veçantë për të burgosurit:

“Të vijojmë të lutemi për të sëmurët e kësaj epidemie. E sot, në mënyrë të veçantë, dëshiroj të lutem për të burgosurit, për vëllezërit tanë e motrat tona të mbyllura në burg. Ata vuajnë e duhet t’u qëndrojmë pranë me lutje, që Zoti t’i ndihmojë, t’i ngushëllojë në këtë çast kaq të vështirë”.

Papa më pas lexoi antifonën:

“Mos më lësho dore, o Zot, Hyji im! Mos rri larg meje! Eja shpejt  e më ndihmo! O Zot, shpëtimi im!” (Ps. 37, 22-23)

Në homeli, duke komentuar leximet e ditës, që flasin për mundimet e Krishtit, nënvizoi se është tipike për djallin të shkatërrojë me një stil të veçantë: me ngulm! Shejtani na josh me të gjitha mënyrat, për të na larguar nga Kryqi. Në vend të Kryqit, na ofron shpirtin e botës: pushtetin, kotësitë! Na i ofron me ngulm, e nuk na ndahet - theksoi Papa - duke kujtuar më pas gjithë të krishterët e persekutuar. Edhe Asia Bibin, emrin e së cilës e pati për një kohë të gjatë në gojë mbarë bota.

Teksti  i homelisë së Papës:

“Leximi i parë, një fragment nga Jeremia profet, është profeci e vërtetë e Mundimeve të Krishtit. Çka thonë armiqtë për profetin? ‘Ejani, ta ngatërrojmë kur flet, të mos e lëmë t’i thotë të gjitha fjalët që ka në mendje. Të mos ia vëmë veshin!’. Nuk thonë ‘T’i japim fund!’, jo… Duan t’ia bëjnë jetën të padurueshme. Ta mundojnë!  Është mundimi i profetit, por në të ndjehet fort profecia për Jezusin”.

Vetë Jezusi flet për këtë në faqet ungjillore: “Ja, ne ngjitemi në Jeruzalem  e i Biri i njeriut do t’u dorëzohet krerëve të priftërinjve e skribëve. Do ta dënojnë me vdekje, do t’ua dorëzojnë paganëve, që të përtallet, të fshikullohet me kamxhik, të kryqëzohet!”. Nuk është thjesht dënim me vdekje: është shumë më tepër! Është poshtërim, persekutim ngulmues. E kur ka ngulm në persekutimin e një të krishteri, të një njeriu, aty është djalli vetë. E djalli ka dy stile: joshjen me premtimet e botës, siç deshi të bënte edhe me Jezusin në shkretëtirë, të cilin u përpoq ta joshte e ta bënte të ndryshonte planin e ringjalljes. E me që kjo s’i piu ujë, kaloi tek ngulmi. Ngulmi i tërbuar! Sepse djalli nuk merr masa gjysmake! Fodullëku i tij   është tejet i madh. E i tmerrshëm, inati i tij, që e shtyn të shkatërrojë! Të shkatërrojë, duke u gëzuar nga tërbimi i vet!

Të mendojmë për persekutimet e shumë shenjtorëve. Të shumë të krishterëve, që nuk i vrasin menjëherë. Nuk e bëjnë këtë, sepse duan t’i  poshtërojnë, me të gjitha rrugët e mundshme. Deri në fund të fundit. Është i tmerrshëm tërbimi i djallit! Nuk duhet ngatërruar persekutimi i thjeshtë social, politik e fetar, me ngulmin e djallit, me tërbimin e tij. Djalli ngulmon në rrugën e vet për të rrënuar. Të mendojmë për Apokalipsin, për çastin kur Gruaja lind një djalë e djalli i rri gati për ta përpirë foshnjën pa dalë mirë në dritë.

Dy hajdutët, që u kryqëzuan me Jezusin, i dënuan, i kryqëzuan e i lanë të vdisnin në paqe. Askush nuk i talli: nuk u interesonin. Talljet i ruajtën vetëm për Jezusin, kundër Jezusit. Kundër atij, që u pati thënë apostujve  se do të dënohej me vdekje, do të tallej, do të fshikullohej me kamxhik, do të kryqëzohej… E vënë në lojë!  E udha për të shpëtuar nga tërbimi i djallit, nga rrënimi i plotë, është shpirti i botës, është çka kërkon nëna për të bijtë e Zebedeut! Jezusi flet për fatin e tij, që është poshtërimi, ajo i kërkon dukje, mburrje, pushtet. Kotësi! Po kotësia, fryma e botës, është pikërisht udha, që të dhuron djalli për të të larguar nga Kryqi i Krishtit. Vetërealizimi, karrierizmi, suksesi para syve të botës nuk janë rrugë të krishtera. Janë të  gjitha udhë për ta mbuluar Kryqin e Krishtit!

Zoti na dhashtë hirin ta dallojmë kur shpirti i keq dëshiron të na shkatërrojë me ngulm e kur, i njëjti shpirt synon të na ngushëllojë me dukjet e botës, me kotësitë e saj. Pa harruar se aty ku ka ngulmim, aty ësht urrejtja, hakmarrja e djallit të mundur. E kjo vijon të ndodhë deri më sot në Kishë. Të mendojmë për të krishterët e shumtë, që vijojnë të persekutohen mizorisht! Këto ditë gazetat folën përsëri për Asia Bibin. Nëntë vjet në burg, nëntë vjet martirizim. Nëntë vjet nën ngulmimin e djallit të tërbuar, për ta mohuar Kryqin!

Zoti na dhashtë hirin ta dallojmë udhën e Tij, që është Kryqi, nga udha e botës, që është kotësi, dukje, makijazh!”.  

11 mars 2020, 15:23