Kërko

Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: Krishti është gurra e shëlbimit

Duke komentuar fragmentin e sotëm ungjillor, Papa Françesku kujtoi premtimin e Jezusit për gruan samaritane: Krishti është burimi, nga i cili na vjen Shpirti Shenjt, që fal mëkatet dhe na dhuron jetën e re. Engjëlli i Tënzot, siç ndodh me audiencën e përgjithshme dhe siç do të ndodhë me ritet e Javës së Madhe të Pashkëve, u transmetua online për shkak të emergjencës së koronavirusit.

R.SH. - Vatikan

Uji, si element që siguron jetën dhe si mister. Mbi këtë kuptim të dyfishtë u përvijua katekizmi i Papës Françesku, duke komentuar Ungjillin e së Dielës së tretë të Kreshmëve. Papa foli nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, në transmetim të drejtpërdrejtë për shkak të emergjencës koronavirus. Shën Gjoni, në kapitullin 4, tregon për takimin e Jezusit me gruan samaritane pranë pusit. Krishti, i lodhur dhe i etur, i kërkoi të pijë një gruaje, që i përkiste një bashkësie të përbuzur nga judeasit, “duke thyer – tha Papa - çdo pengesë”:

“Vjen kjo grua për të marrë ujë dhe ai i kërkon: ‘Më jep të pi’ (v. 7). Kështu, duke thyer çdo barrierë, fillon një dialog, gjatë të cilit i zbulon gruas ‘misterin e ujit të gjallë’, pra, Shpirtin Shenjt, dhuratë e Zotit. Vërtet, pas çuditjes së gruas, Jezusi përgjigjet: ‘Nëse do ta njihje dhuratën e Zotit dhe atë, që po të thotë: ‘Më jep të pi!’, do t’ia kishe kërkuar e ai do të kishte dhënë ujë të gjallë’(v. 10)”.

Zoti, burimi i ujit të gjallë

          Në traditën biblike, shpjegoi Papa, Zoti është burim i ujit të gjallë dhe largimi prej Tij sjell në shpirt thatësirën më të madhe, që mund të mendohet. Kjo ndodhi me popullin e Izraelit, të udhëhequr nga Moisiu në shkretëtirë:

“Në rrugën e gjatë për liri, ai, i djegur nga etja, proteston kundër Moisiut dhe kundër Zotit, sepse nuk kishte ujë. Atëherë, me urdhër të Zotit, Moisiu nxjerr ujë nga shkëmbi, si shenjë e provanisë hyjnore, që e shoqëron popullin dhe i jep jetë”.

Shkëmbi, simbol i Krishtit

          Në atë shkëmb nga i cili gufon uji, Shën Pali sheh Krishtin, “gurrë, nga e cila buron Shpirti Shenjt”:

“Shën Pali apostull e interpreton atë shkëmb si simbol të Krishtit, madje, si figurë misterioze të pranisë së tij në mesin e popullit të Zotit për udhë (shih 1 Kor 10,4). Vërtet, Krishti është tempulli nga i cili, sipas vizionit të profetëve, dikohet Shpirti Shenjt, i cili purifikon dhe jep jetë. Kush ka etje për shpëtim mund t’ia besojë vetveten Krishtit, e Shpirti Shenjt do të bëhet brenda tij, ose asaj, burim i jetës së plotë e të amshuar. Premtimi për ujin e gjallë, që Jezusi i bën gruas samaritane, kthehet realitet për Pashkë: nga brinja e shporuar e tij del ‘gjak dhe ujë’ (Gjn 19,34). Krishti, Qengji i flijuar dhe i ringjallur, është gurra nga ku buron Shpirti Shenjt, i cili fal mëkatet dhe dhuron jetën e re”.

Nga dhurata e Pashkëve tek dëshmia

          Pas takimit me Krishtin, nuk mund të heshtim. Papa Françesku foli për nevojën që t’ua tregojmë të tjerëve këtë takim, ashtu si ndodhi me gruan samaritane:

“Është e pamundur të heshtësh pas takimit me Krishtin, sepse, ashtu si gruaja samaritane, kushdo që takon personalisht Jezusin e gjallë, ndjen nevojën t’ua tregojë këtë të tjerëve, në mënyrë që të gjithë të dëshmojnë se Jezusi ‘është me të vërtetë shpëtimtari i botës’ (Gjn 4,42), siç thanë më vonë bashkatdhetarët e asaj gruaje. Edhe ne, të lindur në jetë të re përmes Pagëzimit, jemi të thirrur ta dëshmojmë jetën dhe shpresën brenda nesh. Nëse kërkimi dhe etja jonë gjejnë përmbushje të plotë në Krishtin, ne dëshmojmë se shpëtimi nuk qëndron në “gjërat” e kësaj bote, por tek Ai që na deshi dhe na do gjithmonë: Jezusi, Shpëtimtari ynë”.

15 mars 2020, 13:53