Kërko

2020.03.24 Messa Santa Marta 2020.03.24 Messa Santa Marta 

Papa: Mjekët e meshtarët e vdekur, shembull shërbimi e heroizmi

Papa iu lutë Zotit për personelin mjekësor dhe për shumë priftërinj që vdiqën këtyre ditëve. Pastaj foli për, plogështinë apo dembelinë, mëkatin e atyre që e kalojnë jetën duke u ankuar për të tjerët. Edhe sot është i mundshëm të bëhet kungimi shpirtëror me fjalët e shqiptuara nga Ati i Shenjtë Françesku.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku ia kushtoi ndjetin e lutjes drejtuar Zotit, gjatë Meshës së mëngjesit, mjekëve, priftërinjve, infermierëve që vdiqën në shërbim të të sëmurëve. Papa e kremtoi Meshën e mëngjesit pa besimtarët në kapelën e Shën Martës në Vatikan, por me popullin e Zotit, të sintonizuar përmes internetit dhe përmes tv, gjatë së cilës iu lutë Zotit për ata që "kanë ndërruar jetë", për shërbimin që ofruan me "shembullin e heroizmit në trajtimin dhe kurimin e të sëmurëve".

Deri më tani në Itali, të dhënat njoftojnë për 23 mjekë  e 50 meshtarë të vdekur,  shumë infermierë të infektuara. "E morën të keqen sepse ishin në shërbim të të sëmurëve", theksoi Papa.

Këto janë fjalët e Atit të Shenjtë në fillim të kremtimit të sotëm Eukaristik:

Kam lajme se në këto ditë disa mjekë, priftërinj, nuk e di nëse edhe ndonjë infermier, por ka të infektuar, që e morën të keqen sepse ishin në shërbim të të sëmurëve. Le të lutemi për ta, për familjet e tyre, dhe falënderoj Zotin për shembullin e heroizmit që na japin në kujdesin dhe kurimin për të sëmurët.

E më pas, në homelinë e tij, Papa foli për shërimin e një të sëmuri, për të cilin na flet Ungjilli i Meshës së sotme nga Gjoni (5,1-16). Jezusi është pranë pishinës së Betsatës, dhe kjo na bën të reflektojmë "mbi ujin, ujin si një simbol shpëtimi, sepse është një mjet shpëtimi, por uji është gjithashtu edhe një mjet shkatërrimi: të kujtojmë Përmbytjen... Por në leximet e sotme të Meshës, uji është shenjë shpëtimi. Në leximin e Parë nga Ezekieli profet ( 47, 1-9.12), kemi ujin që të çon në jetë, që shëron ujërat e detit, një ujë të ri që shëron. Në Ungjillin e Gjonit, kemi pishinën, ishte pishinë e mbushur përplot me ujë ku  shkonin të sëmurët, për t’u shëruar, sepse thuhej se kohë pas kohe uji lëvizte, sikur të ishte një lumë, se një engjëll zbriste nga qielli që ti lëvizur ujërat, e i pari, ose të parët, që hynin në ujë, u shëroshin”.

Për këtë arsye atje rrinte "shtrirë një numër i madh të sëmurësh, të verbër, të çalë, të paralizuar që prisnin shërimin, prisnin që uji të lëvizte. Aty ishte një njeri që ishte i sëmurë që 38 vjet. Që 38 vjet ishte aty, duke pritur shërimin. Kjo të bën të mendosh, apo jo? Është pak si shumë ... sepse dikush që dëshiron të shërohet, bën çmosin për të pasur dikë që ta ndihmojë, do  të duhej të lëvizte, do të duhej të ishte pak i shkathtë, madje edhe pak dinak, pak sa i zgjuar ... por ky njeri, ishte aty që 38 vjet, e kishte ardhur deri në atë pikë sa që nuk dihej më nëse është i sëmurë apo i vdekur". Jezusi i afrohet dhe e pyet nëse dëshiron të shërohet. "Përgjigja është interesante," shpjegoi Ati i Shenjtë Françesku, "ai nuk thotë po, por ankohet. Për sëmundje? Jo. I përgjigji i sëmuri Jezusit e tha: "Zotëri, nuk kam njeri që, kur të tundet uji, të më shtjerë në banjë e, derisa unë ulem, një tjetër zbret para meje”. Kemi një njeri që mbërrin gjithmonë vonë. Jezusi i tha: "Çohu, merre shtrojën tënde dhe ec!". E ai njeri u shëndosh përnjëherë”.

Papa Bergolio në homelinë e Meshës reflektoi mbi qëndrimin e këtij njeriu. "Ishte i sëmurë? Po, ndoshta kishte pak edhe paralizë, por dukej se mund të ecte pak. Por ishte i sëmurë në zemër, ishte i sëmurë në shpirt, ishte i sëmurë nga pesimizmi, ishte i sëmurë nga trishtimi, ishte i sëmurë me plogështia. Kjo është sëmundja e këtij njeriu: "Po, dua të jetoj, por.....", rrinte aty. E përgjigja është: "Po, dua të shërohem!"? Të thuash Jo, do të thotë të ankohesh: "Të tjerët vijnë të parët, gjithmonë të tjerët”. Përgjigjja ndaj ofertës së Jezusit për t’u shëruar është një ankesë ndaj të tjerëve. E kështu, për 38 vjet ankohej ndaj të tjerëve. E rri aty duke mos bërë asgjë për t'u shëruar."

E përsëri, na tregon Ungjilli i sotëm nga Gjoni, Jezusin që do ta takojë përsëri të sëmurin e shëruar në Tempull e duke e qortuar që të mos bëjë më mëkat, na thotë se "ai njeri ishte në mëkat, por nuk ishte atje sepse  kishte bërë ndonjë gjë të madhe, jo. Mëkati ishte të mbijetonte e të ankohej për jetën e të tjerëve: mëkati i trishtimit që është fara e djallit, e asaj paaftësie për të marrë një vendim në jetë, por po, për të shikuar jetën e të tjerëve për t'u ankuar. Jo për t'i kritikuar ata: për t'u ankuar. "Ata shkojnë të parët, unë jam viktimë e kësaj jete": ankesat, ankesa është frymëmarrje për këta njerëz".

Duke përmendur murgjërit e lashtësisë, Ati i Shenjtë Bergoglio nënvizoi mëkatin e plogështisë apo të dembelisë, i cili “e gërryen jetën nga brenda deri sa e lë bosh”. I krishteri nuk duhet ta pranojë këtë gjendje, duhet ta luftojë gjithnjë, duke e ruajtur zemrën nga tundimet e pakënaqësisë, që sigurisht nuk vijnë nga Zoti. E kur lufta duket tepër e vështirë, Papa Françesku këshillon, duhet t’i lutemi Birit të Zotit, Jezu Krishtit, që të ketë mëshirë për mëkatarët. Vetëm Ai i Lumi mund t’i hapë portat e shpirtit, duke na bërë ta shohim horizontin e shpresës. “Nuk jemi vetëm në luftën kundër dëshpërimit”, nënvizoi Ati i Shenjtë: “Në se Jezusi fitoi mbi botën, është i aftë të fitojë kundër çfarëdo gjëje, që i kundërvihet së mirës brenda nesh”. Kështu, askush nuk do të guxojë të na e vjedhë shpresën, tha Papa duke përdoru një shprehje që e ka përzemër, sidomos kur y flet të rinjve

Pas homelisë, për kungimin shpirtëror Papa Bergolio u kërkon besimtarëve të recitojnë këto fjalë:

"O Jezusi im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament të altarit. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë nuk mund të të marr sakramentalisht tani, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Siç ka ardhur, unë Të përqafoj e bashkohen krejtësisht me Ty. Mos më lejo të ndahem kurrë prej Teje”

24 mars 2020, 13:08