Kërko

Papa Françesku lutet para kryqit në kishën e shën Marçelit Papa Françesku lutet para kryqit në kishën e shën Marçelit 

Papa: “Iu luta Zotit: ndale epideminë me dorën tënde”

Intervista e Papës Françesku me gazetën italiane “La Repubblica”: “U kërkoj të gjithëve të jemi pranë atyre, që kanë humbur të dashurit”

R.SH. - Vatikan

“Iu luta Zotit ta ndalë epideminë: O Zot, ndale me dorën tënde. Kështu u luta”. Në një intervistë me vatikanistin e gazetës italiane “La Repubblica”, Paolo Rodari, Papa Françesku i shpjegon kështu dy shtegtimet e tij të vogla të së dielës, në Bazilikën e Zojës së Madhe dhe në kishën e shën Marçelit në via del Corso.

T’u rijapim kuptim gjërave të vogla

Ati i Shenjtë, duke na propozuar si t’i jetojmë këto ditë të vështira, pohon: “Duhet t’u rijapim kuptim gjërave të vogla, asaj vëmendjeje të përditshme për ata, që na rrinë afër, për familjarët, miqtë. Duhet ta kuptojmë se gjërat e vogla janë thesari ynë. Ka gjeste intime, që, nganjëherë, humbasin në anonimitetin e së përditshmes, gjeste ëmbëlsie, dashurie, dhembshurie, të cilat, megjithatë, janë vendimtare, të rëndësishme. Për shembull, një pjatë e ngrohtë, një përkëdhelje, një përqafim, një telefonatë… Janë gjeste familjare kujdesi ndaj detajeve të çdo dite, që i japin kuptim jetës, që krijojnë bashkim e komunikim ndërmjet nesh”.

I rëndësishëm, komunikimi në familje

“Nganjëherë – shton Françesku – jetojmë një komunikim vetëm virtual ndërmjet nesh. Ndërsa, duhet të rizbulojmë një afërsi të re. Marrëdhënie konkrete, plot vëmendje e durim. Shpesh, familjet në shtëpi hanë së bashku në heshtje të madhe, e cila, nuk është fryt i dëgjimit të ndërsjellë, por i faktit se prindërit shikojnë televizor ndërsa darkojnë e fëmijët komunikojnë me celular. Ngjajnë si shumë murgjër të izoluar nga njëri-tjetri. Këtu nuk ka komunikim; por, dëgjimi ka rëndësi, sepse kështu kuptohen nevojat e tjetrit, mundimet e dëshirat e tij. Ka një gjuhë, bërë nga gjeste konkrete, që duhet mbrojtur. Për mendimin tim, dhimbja e këtyre ditëve, duhet të na e hapë mendjen e zemrën daj këtyre gjesteve konkrete”.

Falenderimi i Papës për personelin shëndetësor

 Në intervistë, Papa shpreh një mendim të veçantë për personelin shëndetësor, për vullnetarët e për familjarët e viktimave: “I falenderoj ata, që e mohojnë vetveten për të tjerët, në këtë mënyrë. Janë shembull i gjesteve konkrete. E u kërkoj të gjithëve t’u qëndrojnë pranë atyre, që kanë humbur të dashurit, duke u përpjekur t’i shoqërojnë me të gjitha mënyrat e mundshme. Tani, ngushëllimi duhet të jetë detyrë e të gjithëve”.

Përgjegjësia e secilit për të gjithë

Papa Françesku nënvizon se i ka bërë shumë përshtypje një artikull, i publikuar kohët e fundit nga prezantuesi e gazetari i njohur italian, Fabio Fazio, i cili nënvizon se “sjelljet tona ndikojnë gjithnjë mbi jetën e të tjerëve”. Fazio u referohet atyre që, duke mos paguar taksat, shkaktojnë probleme edhe me shërbimin shëndetësor, i cili, në këtë mënyrë, mungon edhe për ata, që i paguajnë.

Shpresë, edhe për ata që nuk besojnë

Së fundi, Françesku i fton të gjithë të shpresojnë, edhe ata, që nuk besojnë në Zot: “Të gjithë janë bijtë e Hyjit e Ai i Lumi i shikon. Edhe ata, që nuk e kanë takuar ende Zotin, ata, që nuk e kanë dhuratën e fesë, mund ta gjejë udhën në gjërat e mira, në të cilat besojnë: mund të gjejnë forcën në dashurinë për fëmijet, për familjen, për vëllezërit. Dikush mund të thotë: ‘Nuk mund të lutem, sepse nuk besoj’. Por, njëkohësisht, mund të besojë në dashurinë e njerëzve, që ka përreth e, aty, të gjejë shpresën”.

18 mars 2020, 11:28