Kërko

Françesku: të lutemi që bashkësia katolike në Kinë të arrijë unitetin

Në mars, Papa u kërkon të gjithëve të luten për Kishën në Kinë, që të kapërcehen ndarjet dhe ecet me besnikëri ndaj Ungjillit. Ndjeti i tij përhapet, si zakonisht, përmes videos së botuar në internet nga Rrjeti Botëror i Lutjes.

R.SH. - Vatikan

Bashkim dhe besnikëri ndaj Ungjillit: këta janë binarët mbi të cilët ecën Papa Françesku në ndjetin e lutjes për muajin mars. U kërkon të gjithë besimtarëve të luten për Kishën Katolike në Kinë, që ajo të jetë më e bashkuar e të ecë më me vendosmëri në udhën e Ungjillit. Në videomesazhin, me të cilin prej kohësh tashmë, Ati i Shenjtë njofton ndjetin e tij mujor të lutjes, Bergoglio nënvizon se Kisha e sheh me shpresë bashkësinë kineze e “dëshiron që katolikët kinezë të jenë vërtet të krishterë e qytetarë të mirë”:

“Ata duhet të promovojnë Ungjillin, por pa prozelitizëm, dhe të arrijnë unitetin e bashkësisë katolike, e cila është e ndarë. Të lutemi së bashku që Kisha në Kinë të vazhdojë të jetë besnike ndaj Ungjillit dhe të bashkohet më shumë”.

Që nga viti 1970, vendi i madh aziatik ka pasur një rritje të konsiderueshme të krishterësh. Nga 67 milion vetë, më 2010 - rreth 5% e popullsisë – bashkësia është rritur në rreth 100 milion besimtarë, pra, 7.21% e 1 miliard e 386 milion njerëzve, në vitin 2018, sipas vlerësimeve të Qendrës Kërkimore Peë, me seli në SHBA-të. Ndërkaq, Rrjeti Botëror i Lutjes informon se deri në vitin 2030, Kina mund të ketë bashkësinë më të madhe të krishterë në botë.

Hapat e bëra

Me videomesazhin për lutjen e marsit, Papa Françesku konfirmon hapat e ndërmarra në rrugën drejt rimëkëmbjes së Kishës në Kinë dhe bashkimit ndërmjet katolikëve kinezë. Kujtojmë këtu Letrën e Benediktit XVI për Katolikët Kinezë në vitin 2007 dhe mesazhin e vetë Françeskut “Për katolikët kinezë dhe Kishën universale”, në shtator 2018, me të cilin paraqiti Marrëveshjen e Përkohshme për emërimin e ipeshkvijve, nënshkruar nga Selia e Shenjtë dhe nga Republika Popullore e Kinës.

Atë Fornos: të favorizosh bashkimin do të thotë të promovosh kumtin e Ungjillit

Ndjeti i lutjes së Papës ka synim shpirtëror dhe baritor, shpjegon drejtori ndërkombëtar i Rrjetit, jezuiti, atë Frédéric Fornos, “sepse, të favorizosh unitetin e bashkësisë katolike në Kinë në larminë e saj, do të thotë të promovosh kumtin e Ungjillit”. “Është normale – vëren ai - që një rrugëtim i tillë të jetë i gjatë, i vështirë dhe plot keqkuptime – edhe Ungjilli është përplot me keqkuptime; - për këtë duhet të lutemi”, në mënyrë që Zoti të na ndihmojë të pajtohemi.

05 mars 2020, 16:38