Jezusi dhe apostujt Jezusi dhe apostujt 

Françesku: në aventurën e jetës nuk jemi vetëm, Jezusi na e shtrin dorën

Mirënjohje, guxim, lodhje, lavd: janë fjalët, që Papa Françesku nënvizon në mesazhin e tij për Ditën e 57-të Botërore të Lutjes për Thirrjet në jetën e shuguruar. Në qendër, faqja ungjillore, në të cilën Jezusi ecën mbi liqenin e trazuar e jep urdhër “të ndalet era e të qetësohen valët”.

R.SH. - Vatikan

Pamja e Jezusit, që ecën mbi ujë, duke i dhënë urdhër stuhisë të pushojë e duke i mësuar dishepujt të mos kenë frikë nga asgjë, sepse Ai i shpëton, është në qendër të Mesazhit të Papës Françesku për Ditën e 57-të Botërore të lutjes për Thirrjet, që do të kremtohet më 3 maj. Mesazhi u bë i njohur sot. Në pjesën ungjillore marrë nga shën Mateu, Jezusi u thotë dishepujve të hipin në barkë e të shkojnë para tij në bregun tjetër të liqenit të Tiberiadit në stuhi. Kjo, shkruan Ati i Shenjtë në mesazh, “evokon, në një farë mënyre, udhëtimin e jetës sonë”. E shpjegon:

“Vërtet, barka e jetës sonë ecën ngadalë, gjithnjë e shqetë, sepse kërkon një vendmbërritjeje të lumtur, është e gatshme të përballojë rreziqet dhe mundësitë që jep deti, por ka edhe dëshirë që timonieri t’i japë një kthesë e, më në fund, ta çojë në kursin e duhur. Gjithsesi, nganjëherë, mund t’i ndodhë ta humbë rrugën, të verbohet nga iluzionet, në vend që të ndjekë farin e ndritshëm, i cili e çon në port të sigurt, ose mund t’i ndodhë të sfidohet nga era e kundërt e vështirësive, dyshimeve dhe frikës”.

Frika se nuk ia dalim dot

Kjo është edhe përvoja e dishepujve të Jezusit, të cilët, për ta ndjekur Krishtin, duhet t’i braktisin siguritë dhe të ndërmarrin kalimin e detit. Nuk është vendim i lehtë, sepse “arrin nata, e fryn era e kundërt” e, fillon të ndihet “frika se nuk ia dalin e se nuk janë në lartësinë e asaj thirrjeje” të Jezusit. Por, siç thotë Ungjilli, shkruan Papa Françesku në mesazhin e tij, në këtë udhëtim nuk jemi vetëm. Zoti shkon tek dishepujt “hyn në barkë dhe e bën erën të ndalet”. Prandaj, fjala e parë e zgjedhur nga Papa është “mirënjohja”.

“Realizimi i vetvetes dhe i planeve tona për jetën – shkruan Ati i Shenjtë – nuk është rezultati matematik i vendimeve të ‘unit’ tonë të brendshëm e të izoluar, përkundrazi, është para së gjithash, përgjigjja ndaj thirrjes, që na vjen nga Lart. Është Zoti, që na tregon bregun drejt të cilit duhet të shkojmë e, edhe më parë, na jep guximin të ngjitemi në barkë; është Ai i Lumi që, ndërsa na thërret, bëhet edhe timonieri ynë, për të na shoqëruar”.

Fantazmat brenda shpirtit

Reagimi i parë i dishepujve në barkë, kur Jezusi shkon drejt tyre, është frika, vijon mesazhin e tij Papa Françesku. Mendojnë se është ndonjë fantazmë, por Jezusi u jep zemër e “guxim”. Kjo është fjala e dytë për ata, që mendojnë se janë të thirrur prej Zotit: “guximi”. Ati i Shenjtë shpjegon se shpesh, paralizohemi nga fantazmat, që kanë zënë vend në shpirtin tonë. E jep një shembull:

“Kur jemi të thirrur ta lemë bregun tonë të sigurt e të përqafojmë një gjendje të caktuar në jetë – si martesa, meshtaria, jeta rregulltare – reagimi i parë, shpesh, mund të paraqitet si ‘fantazma e mosbesimit’: s’është e mundur që kjo thirrje të jetë për mua; a është vërtet udha e drejtë? Zoti ma kërkon këtë pikërisht mua?”

Kështu, vazhdon Françesku, fillojmë të justifikohemi e të bëjmë llogari, që na e ndalin hovin; mendojmë se gabohemi. “Të martohesh, ose t’ia kushtosh jetën Zotit, përmes një shërbimi të veçantë, kërkon guxim”, shkruan Ati i Shenjtë e Jezu Krishti e di këtë. Prandaj na thotë: “Mos ki frikë, unë jam me ty!”

Vështrimin ngulur mbi Jezu Krishtin

“Çdo thirrje sjell një impenjim”, shkruan më tej Françesku, duke paraqitur fjalën e tretë të rëndësishme për ata, që e ndiejnë se Zoti i ka thirrur t’i shërbejnë: “lodhja”. Por, nënvizon se nuk duhet të lejojmë të na trembin përgjegjësitë apo vështirësitë, pasi ka rrezik të mbytemi. Duke e mbajtur vështrimin të ngulur tek Jezusi, mund të ecim përpara:

“Vërtet, Ai na jep dorën, kur, për shkak të lodhjes, ose të frikës, ka rrezik të mbytemi e, na jep hovin e nevojshëm për ta jetuar thirrjen tonë me gëzim dhe entuziazëm”.

E njoh lodhjen tuaj

Papa i kthehet më pas, pamjes së Jezusit, që ecën në mes të stuhisë, për të theksuar se edhe “në jetën tonë e në trazirat e historisë”, Zoti vepron e na shpëton.

“Mendoj për ata, që marrin përsipër detyra të rëndësishme në shoqërinë civile – reflekton Ati i Shenjtë – për bashkëshortët, të cilët, jo rastësisht, më pëlqen t’i quaj ‘të guximshëm’ e, sidomos, për ata, që përqafojnë jetën rregulltare e meshtarinë. Jua njoh lodhjet, vetminë, që nganjëherë jua rëndon zemrën, rrezikun e zakonit që dalëngadalë mund ta shuajë flakën e thirrjes, barrën e pasigurisë së kohëve tona, frikën nga e ardhmja. Guxim, mos kini frikë!”  

Lavdi shkoftë në Zotin, sepse Ai na shpëton

Jezu Krishti na shtrin dorën e na shpëton. Atëherë, për Papën, fjala e katërt, që karakterizon thirrjen për t’ia kushtuar jetën Zotit, është pasojë e kësaj: “lavdi” apo lavdërimi i Hyjit. Për këtë është mjeshtre Maria, shkruan Ati i Shenjtë në mesazh, sepse Zoja, “mirënjohëse për vështrimin e Zotit” mbi të, duke jetuar vetëm me fe, “e ktheu jetën e vet në një himn të amshuar lavdi për Hyjin”. Papa Françesku e përfundon mesazhin e tij, duke e ftuar gjithë Kishën të ecë në të njëjtën rrugë me Virgjërën Shenjte, që secili prej nesh ta zbulojë e ta pranojë thirrjen e Zotit dhe “ta ofrojë jetën e vet si këngë lavdi për Hyjin, për vëllezërit e për botën mbarë”.

24 mars 2020, 16:19