Kërko

Vatican News

Papa: të kapemi fort pas gjërave, që vlejnë me të vërtetë

Papa Françesku bashkohet shpirtërisht me të gjithë ata, që në orën 21, thonë Rruzaren, në emergjencën e koronavirusit. Në një videomesazh, Papa i nxit të gjithë të kenë shpresë dhe të ushtrojnë mirëkuptimin, durimin e faljen në familje. Më pas, i lutet shën Jozefit të mbrojë botën nga pandemia.

R.SH. - Vatikan

“Unë do t’ju shoqëroj prej këtej”. U tha, u bë. Papa Françesku i pati siguruar të gjithë për këtë në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, duke i ftuar besimtarët të thonë së bashku Rruzaren, sot në orën 21, e pikërisht sot, bashkohet me ta përmes një videomesazhi. Në emergjencën e koronavirusit, Konferenca Ipeshkvnore e Italisë i ftoi besimtarët të luten e të nxjerrin në dritare, në mbrëmje, një shami të bardhë e një qiri të ndezur. Kësaj nisme, iu bashkua edhe Kisha në Shqipëri, e cila prej ditësh mblidhet për të thënë Rruzaren bashkë me ipeshkvijtë e saj.

Në videomesazh, Papa Françesku kërkon:

“Në këtë gjendje të paparë, kur gjithçka duket sikur na lëkundet nën këmbë, ta ndihmojmë njëri-tjetrin të kapemi fort pas gjërave, që vlejnë vërtet”.

Rruzarja, lutja e të përvuajturve dhe e shenjtorëve

 Françesku vëren se edhe ipeshkvij të tjerë ua kanë bërë këtë ftesë besimtarëve. Lutja “Falemi Mari”, përsëritur 50 herë në Rruzare, na këshillohet nga vetë Virgjëra Shenjte.

“Lutja me rruzare – thotë Papa në videomesazh – është lutja e të përvuajturve dhe e shenjtorëve, të cilët, në misteret e saj, bashkë me shën Marinë, kundrojnë jetën e Jezusit, fytyrën e mëshirshme të Atit Qiellor. Sa nevojë kemi të gjithë të ngushëllohemi vërtet, të ndiehemi të mbështjellë nga prania e Tij plot dashuri!”

Mirëkuptimi dhe falja në familje

Ne e provojmë këtë prani, në marrëdhëniet me të tjerët, vëren Papa Françesku, duke filluar nga familjarët më të ngushtë, me të cilët Ati i Shenjtë këshillon të jemi më të durueshëm, t’i kuptojmë, t’i duam e t’i falim. E pastaj, kërkon:

“Sonte, të lutemi të bashkuar, duke i besuar ndërhyrjes së shën Jozefit, Rojtarit të Familjes Shenjte, Rojtarit të çdo familjeje. Edhe zdrukthëtari i Nazaretit e pati njohur pasigurinë dhe hidhërimin, shqetësimin për të nesërmen; por diti të ecë në errësirën e disa çasteve, duke lejuar të udhëhiqej pa rezerva nga vullneti i Zotit”.

Lutja e Papës për shën Jozefin

Videomesazhi i Papës Françesku vijon me një përgjërim të zjarrtë për shën Jozefin, fatin e Shën Marisë, solemnitetin e të cilit e kremtoi sot Kisha Katolike. Ja fjalët e tij:

“Mbroje, o Rojtar i Shenjtë, këtë vendin tonë.

Shndriti përgjegjësit e së mirës së përbashkët, që të dinë – ashtu si ti – të kujdesen për njerëzit, që u janë besuar.

Dhuroju inteligjencën e shkencës atyre, që kërkojnë mjete të përshtatshme për shëndetin dhe për të mirën fizike të vëllezërve.

Mbështeti ata, që kujdesen për nevojtarët: vullnetarët, infermierët, mjekët, që janë në vijën e parë të frontit për të kuruar të sëmurët, edhe kur kjo mund t’u kushtojë shtrenjtë.

Bekoje, o shën Jozef, Kishën: duke filluar nga ministrat e saj, bëje shenjë dhe mjet të dritës e të mirësisë tënde.

O shën Jozef, shoqëroji familjet: me heshtjen tënde në lutje, rikrijoje harmoninë ndërmjet prindërve dhe fëmijëve, veçanërisht të vegjëlve.

Ruaji të moshuarit nga vetmia: bëj që askush të mos lihet në dëshpërimin e braktisjes e të shkruajimit.

Ngushëlloje të ligshtin, inkurajoje të lëkundurin, ndërhy për të varfërit.

Bashkë me shën Marinë Virgjër, lutju Zotit që ta çlirojë botën nga çdo formë pandemie.

Amen”.

19 mars 2020, 16:45