Kërko

Vatican News

Papa: të ndalen të gjitha luftrat. Të merren masa në burgjet e mbipopulluara

Menjëherë pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, Papa Françesku u lut për paqen në botë. Duke menduar për ata, që ndodhen në gjendje të vështirë, për shkak të pandemisë së koronavirusit, siç bëri edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ati i Shenjtë kërkoi të ndalen konfliktet e të hapen kanale diplomatike e korridore humanitare. Pastaj, një thirrje edhe për njerëzit, që detyrohen të jetojnë në grup, si në shtëpitë për të moshuarit, në kazerma e në burgje.

R.SH. - Vatikan

Të ndalet “çdo formë konflikti luftarak”. Në mesin e emergjencës, “që nuk njeh kufi”, kur pandemia e koronavirusit përhapet me shpejtësi në gjithë globin, Papa Françesku e ngre edhe një herë zërin për të kërkuar fundin e luftrave e armëpushimin e përgjithshëm. Thirrja e Atit të Shenjtë, në fund të lutjes së Engjëllit të Tënzot, për të dielën e katërt radhazi, u transmetua nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, në Vatikan.

Korridore humanitare dhe diplomaci

 Ati i Shenjtë kujtoi se ditët e kaluara, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri thirrje për “armëpushim global e të menjëhershëm, në të gjitha anët e botës”.

 “Bashkohem me të gjithë ata, që e kanë bërë të tyren këtë thirrje dhe i ftoj të gjithë ta ndjekin, duke ndalur çdo formë konflikti luftarak, duke favorizuar krijimin e korridoreve për ndihmën humanitare, hapje për diplomacinë, vëmendje për kë ndodhet më në vështirësi”.

Të kapërcehen rivalitetet

Papa uroi që impenjimi i përbashkët kundër pandemisë, t’i bëjë të gjithë të kuptojnë “nevojën për t’i përforcuar lidhjet vëllazërore, si anëtarë të së njëjtës familje”.

“Në veçanti, zgjoftë në përgjegjësit e Kombeve dhe në protagonistët e tjerë të çështjes, impenjim të ri për kapërcimin e rivaliteteve. Konfliktet nuk zgjidhen përmes luftës! Është e nevojshme të kapërcejmë antagonizmat dhe kundërshtitë, përmes dialogut dhe kërkimit konstruktiv të paqes”.

Mbipopullimi në burgje

E pastaj, një mendim i veçantë për ata, që në këtë kohë pandemie, nuk mund të shmangin grumbullimet, me rrezikun e infektimit nga koronavirusi:

“Në këtë çast, mendimi im shkon veçanërisht tek të gjithë njerëzit, që janë më të brishtë, sepse detyrohen të jetojnë në grup: shtëpi të moshuarish, kazerma… Sidomos, dua të përmend njerëzit nëpër burgje. Lexova një notë zyrtare të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, që flet mbi problemin e burgjeve të mbipopulluara, i cili mund të kthehet në tragjedi. U kërkoj autoriteteve të jenë më të ndjeshme ndaj këtij problemi të rëndë e të marrin masat e nevojshme për të shmangur tragjedi të ardhshme”.

Hapat e para pas thirrjes së OKB-së

Në të gjithë botën, janë rreth 70, vendet e përfshira në konflikte e luftra të ndryshme, shumë prej të cilave të harruara, por që vijojnë të shkaktojnë vdekje e lot. Pas thirrjes së Guterres, të hënën e kaluar, u bënë disa hapa drejt armëpushimit në Jemen, në Filipine e në Kamerun. Sinjale pozitive edhe nga verilindja e Sirisë, ku gjatë 9 viteve, lufta ka shkaktuar 380 mijë viktima. Aktualisht, funksionojnë vetëm 64% e spitaleve dhe 52% e qendrave të asistencës parësore, që ekzistonin para vitit 2011. 70% e punonjësve shëndetësorë janë larguar nga vendi, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

29 mars 2020, 13:00