Kërko

Vatican News

Papa në Engjëllin e Tënzot: jeta, që na dhuron Zoti, na bën të dhembshur me të tjerët

Në të Dielën e pestë të Kreshmëve, me botën e mbërthyer nga pandemia e koronavirusit, Papa Françesku komentoi Ungjillin sipas Gjonit, përqendruar në vuajtjen e Jezusit për vdekjen e mikut të tij, Lazrit, duke u kujtuar të gjithëve se dashuria e Zotit është e gjithëpushtetshme dhe se jemi krijuar për jetën.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku tha sot lutjen e Engjëllit të Tënzot, nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, në transmetim të drejtpërdrejtë përmes internetit, për shkak të kufizimeve të pandemisë së koronavirusit. Ati i Shenjtë komentoi Ungjillin e sotëm sipas Gjonit (Gjn 11,1-45), ku flitet për ringjalljen e Lazrit nga Jezusi, duke i ftuar besimtarët të heqin nga zemrat çdo gur, që ngjan me vdekjen, për ta përtërirë jetën që vjen nga Krishti: “Jezusi dëshmon se është Zoti i jetës, i aftë t’ua japë atë edhe të vdekurve”.

Jezu Krishti e bën të vetën dhimbjen tonë

Shën Gjoni ungjilltar na tregon sot, një Jezus në lot për vdekjen e mikut të tij të dashur, Lazrit, dhe për vuajtjen e motrave të tij Martës dhe Marisë. Kjo pamje ungjillore e së Dielës së pestë të Kreshmëve, është e ngjashme me atë të njerëzimit të sotëm. Dhimbja dhe vdekja po ndajnë shumë familjarë nga të dashurit e tyre. E Jezu Krishti, tejet i tronditur, shkon tek varri, falënderon Atin Qiellor, që ia dëgjon gjithmonë lutjen, jep urdhër të hapet varri dhe e thërret Lazrin të dalë jashtë. Lazri del, me këmbët e duart në fasha e me fytyrën e mbuluar nga qefini:

 “Këtu prekim me dorë se Zoti është jetë dhe dhuron jetë, por merr përsipër edhe dramën e vdekjes. Jezusi mund ta shmangte vdekjen e mikut të tij, Lazrit, por deshi ta bëjë të vetën dhimbjen tonë për vdekjen e të dashurve e, sidomos, deshi të dëshmonte pushtetin e Zotit mbi vdekjen”.

Hiqini gurët nga zemra

Në këtë pjesë të Ungjillit, konkretizohet takimi ndërmjet fesë së njeriut dhe dashurisë së gjithpushtetshme të Zotit. Nga njëra anë, shpjegoi Papa, Maria e Marta, që na përfaqësojnë të gjithëve me frazën: “Sikur Ti të kishe qenë këtu!...”.  Nga ana tjetër, përgjigjja e Jezusit para vdekjes: “Unë jam ringjallja dhe jeta ... Kini besim!”:

“Në mes të vajit, vazhdoni të kini besim, edhe kur vdekja duket sikur ka fituar. Hiqeni gurin nga zemra! Lëreni Fjalën e Zotit ta rikthejë jetën aty ku ka vdekje”.

Zoti, vërejti më tej Papa, nuk na krijoi për varrin, na krijoi për një jetë të bukur, të mirë, të gëzuar, prandaj, edhe sot, ftesa e Jezusit për secilin prej nesh është “hiqe gurin”, me synimin për të na çliruar nga çdo gjurmë e vdekjes, që hyri në botë “për shkak të zilisë së djallit”:

“Jemi thirrur t’i heqim gurët e gjithçkaje, që ngjan me vdekjen: për shembull, hipokrizia, me të cilën jetohet feja, është vdekje; kritika shkatërrimtare kundër të tjerëve, është vdekje; fyerja, shpifja, është vdekje; mënjanimi i të varfërve, është vdekje. Zoti na kërkon t’i heqim këto gurë nga zemra e atëherë, jeta do të lulëzojë sërish rreth nesh. Krishti jeton dhe kushdo, që e mirëpret dhe e pranon Atë, hyn në kontakt me jetën. Pa Krishtin, ose jashtë Krishtit, jo vetëm nuk është e pranishme jeta, por bihet sërish në vdekje”.

Të dhembshur, si Jezusi

Ashtu si në lutjen e fuqishme drejtuar Atit Qiellor, të premten e kaluar, në Sheshin e Shën Pjetrit bosh, Papa theksoi se i krishteri e gjen jetën e vet vetëm në Jezu Krishtin. Ka lot, dhimbje, vdekje, por feja është shpëtimi ynë. Ringjallja e Lazrit është shenjë e jetës së re, në të cilën është i ftuar çdo besimtar, kur ndjek Krishtin. Së fundi, Papa këshilloi që, me ndihmën e Zojës, të jemi të dhembshur si Jezusi:

 “Shën Maria Virgjër na ndihmoftë të jemi të dhembshur si Biri i saj Jezusi, i cili e bëri të vetën dhimbjen tonë. Secili prej nesh t’u qëndrojë afër njerëzve të sprovuar, duke u bërë për ta pasqyrim i dashurisë dhe i butësisë së Zotit, i cili na çliron nga vdekja dhe e bën jetën të fitojë”.

Edhe këtë të Diel, Papa deshi të dilte në dritaren e studios së tij, mbi sheshin bosh, për shkak të kufizimeve të pandemisë së koronavirusit, për të dhënë bekimin apostolik.

29 mars 2020, 13:19