Papa: jemi në emergjencë, të themi së bashku Rruzaren

“Unë do t’ju shoqëroj prej këtej”. Kështu tha Papa Françesku, në përfundim të audiencës së përgjithshme, duke iu referuar lutjes së Rruzares, që nesër mbrëma, në orën 21.00, do të thotë së bashku me besimtarët italianë, thirrur nga Konferenca e tyre Ipeshkvnore në mes të emergjencës së Covid-19. Edhe Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë merr pjesë në këtë nismë.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku shpreh edhe një herë afërsinë e tij me italianët, që po vuajnë, për shkak të epidemisë së Covid-19, sepse janë sëmurë, ose janë familjarë të të sëmurëve e sidomos, pse janë mjekë e infermierë, të cilët duhet të kujdesen për ata, që ndihen keq. Gjatë audiencës së përgjithshme, sot paradite, Ati i Shenjtë e bëri të tijën thirrjen e ipeshkvijve italianë, “që në këtë emergjencë shëndetësore, kanë promovuar një çast lutjeje për gjithë vendin”. “Çdo familje – kërkoi Papa – çdo besimtar, çdo bashkësi rregulltare: të gjithë, të bashkuar shpirtërisht nesër, në orën 21.00, për të thënë Rruzaren, me Misteret e Dritës”. E pastaj, shtoi: “Unë do t’ju shoqëroj prej këtej”.

Me Rruzare në dorë, edhe besimtarët shqiptarë

          Në orën 21.00, për të thënë Rruzaren, ka ditë që mblidhen edhe besimtarët katolikë shqiptarë. Ipeshkvijtë i kanë ftuar ta ndjekin lutjen me ta përmes Radio Marisë, ose në internet, por u kanë thënë edhe thjesht, të luten në familje, në sekretin e zemrës së tyre. Prandaj, nesër, edhe Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë, ashtu si ajo italiane, u kërkon katolikëve të bashkohen me besimtarët e vendit fqinj dhe me Papën Françesku për të thënë Misteret e Dritës së Rruzares Shenjte e për t’iu lutur shën Marisë të ndërhyjë pranë Zotit për shpëtimin e botës nga rreziku i koronavirusit. E të luten edhe për të sëmurët, për viktimat, për punonjësit shëndetësorë e për shkencëtarët, që po mundohen të gjejnë ilaçin e vaksinën kundër këtij armiku të padukshëm.

18 mars 2020, 14:53