Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme 

Papa: për Kishën, mbrojtja e jetës nuk është ideologji

Në audiencën e përgjithshme, Papa Françesku thekson, pas 25 vitesh, thirrjen e shën Gjon Palit II, në enciklikën e tij “Evangelium Vitae”: “Respektoje, mbroje, duaje dhe shërbeji jetës”. Çdo jetë njerëzore duhet promovuar me guxim, pohon Papa, sepse çdo jetë ka vlerë të pallogaritshme.

R.SH. - Vatikan

Kanë kaluar 25 vjet nga ai 25 mars, kur Papa Gjon Pali II botoi enciklikën “Evangelium Vitae”, mbi vlerën e padhunueshme të jetës njerëzore. Papa Françesku e kujtoi sot në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur në Bibliotekën Apostolike e transmetuar në internet, gjatë së cilës Ati i Shenjtë përsëriti thirrjen e shenjtit të madh polak.

Vlera e jetës, në qendër të Ungjillit

 Pjesa e sotme ungjillore, ajo e Lajmërimit të Zotit tonë Jezu Krisht, e nxiti Papën të reflektonte për lidhjen e mishërimit të Hyjit me “Ungjillin e jetës”, duke pohuar se ai është thelbi i mesazhit të Krishtit, sidomos në këto kohë pandemie, që kërcënon jetën njerëzore dhe ekonominë botërore.

“Si çdo kumt ungjillor, edhe ky, para së gjithash, duhet dëshmuar. E mendoj me mirënjohje për dëshminë e heshtur të sa e sa njerëzve, që, në mënyra të ndryshme, po i përkushtohen shërbimit për të sëmurët, të moshuarit, të vetmuarit e më të varfërit”.

Të gjithë këta, pohoi Papa, “vënë në jetë Ungjillin e jetës, si Maria”, që shkon të ndihmojë të kushërirën, Elizabetën.

Jeta është gjithnjë njeri me mish e gjak

Papa Françesku vërejti se jeta, që duhet të mbrojmë, nuk është koncept abstrakt, por është gjithnjë njeri me mish e gjak:

“Një foshnjë e sapozënë, një i varfër i mënjanuar, një i sëmurë i vetmuar e i shkurajuar, ose në fundin e jetës, dikush që ka humbur punën e nuk arrin të gjejë një tjetër, një migrant i refuzuar, ose i getizuar… Jeta shfaqet konkretisht tek njerëzit”.

Atentate të reja kundër dinjitetit të jetës

Zoti dëshiron që çdo njeri ta gëzojë plotësisht jetën, vijoi Françesku, prandaj, “Kisha e ndien thellësisht çdo kërcënim kundër dinjitetit të jetës”. Mbrojtja e jetës, për Kishën, theksoi Papa, nuk është ideologji, por realitet njerëzor.

“Atentatet kundër dinjitetit dhe kundër jetës së njerëzve, fatkeqësisht, vazhdojnë edhe në epokën tonë, që është epoka e të drejtave universale; madje, gjendemi përpara kërcënimeve e skllavërive të reja dhe, jo gjithnjë, ligjet e mbrojnë jetën njerëzore më të brishtë e më të ligshtë”.

Impenjimi për jetën në planin kulturor

Fjalët e enciklikës “Evangelium Vitae” janë më aktuale se kurrë, thekson Papa Françesku, edhe përtej emergjencave. Impenjimi në favor të jetës, pra, duhet të jetë i vazhdueshëm.

“Është fjala për të vepruar në planin kulturor dhe edukativ për t’u transmetuar brezave të ardhshëm prirjen për solidaritet, për kujdes, për mikpritje, duke e ditur mirë se kultura e jetës nuk është pasuri eskluzive e të krishterëve, por u përket të gjithë atyre, që, me impenjimin për të krijuar marrëdhënie vëllazërore, e njohin vlerën e çdo njeriu, edhe kur është i ligshtë e i vuajtur”.

Vetëm duke respektuar jetën, gjejmë zhvillim e paqe

Çdo jetë njerëzore ka vlerë të pallogaritshme, pohoi më tej Papa, i cili përsëriti edhe një herë, “me bindje të përtërirë”, thirrjen, që Papa shenjt Gjon Pali II u bëri të gjithëve, 25 vite më parë:

“Respektoje, mbroje, duaje dhe shërbeji jetës, çdo jete, çdo jete njerëzore! Vetëm në këtë udhë do të gjesh drejtësi, zhvillim, liri, paqe e lumturi!”

Maria na ndihmoftë t’i themi “po” Zotit konkretisht

Gjatë përshëndetjeve për besimtarët e gjuhës italiane, në përfundim të katekizmit, Papa Françesku i inkurajoi të gjithë të kenë besim në mëshirën e Zotit e të jenë bujarë me të afërmit, “sidomos në këto kohë të pasigurta”. Së fundi, u lut:

“Sot, në solemnitetin e Lajmërimit të Zotit, ia besoj të gjithë Nënës së Jezusit dhe Nënës sonë. Ajo, që tha atë ‘po’ në Nazaret, ju ndihmoftë çdo ditë t’i thoni ‘po’ Zotit, i cili ju fton ta pranoni e ta ndiqni në të gjitha situatat konkrete, ku ju takon të jetoni. Zoti ju bekoftë”.

25 mars 2020, 14:38