Françesku: mëshira është mesazhi, që duhet të jap si ipeshkëv i Romës

Rreth Lumnisë së mëshirës, audienca e sotme e përgjithshme e Papës Françesku, transmetuar drejtpërdrejt në internet dhe në televizion. “Secili - tha Françesku - duhet ta kujtojë se ka nevojë për falje dhe durim; ky është sekreti i mëshirës: duke falur, jemi të falur”.

R.SH. - Vatikan

“Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë” (Mt 5,7). Duke medituar mbi këto fjalë, marrë nga Ungjilli sipas Mateut, Papa Françesku, në audiencën e sotme të përgjithshme, transmetuar drejtpërdrejt nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, në Vatikan, kujton rëndësinë e fjalëve të Lumnisë së pestë ungjillore: “Ata, që sillen me mëshirë – shpjegoi Ati i Shenjtë  Bergoglio– gjejnë mëshirë, e ndaj tyre do të përdoret mëshirë”.

Nuk ka krishterim pa mëshirë

Nëse fitojmë faljen e Zotit, “bëhemi të aftë të falim edhe ne”. “Kështu, mjerimi e mungesa e drejtësisë – vërejti Papa – bëhen rast për t’ia hapur zemrën Mbretërisë së Qiellit, një mase më të madhe, masës së Zotit, që është mëshira”.

“Mëshira nuk është një përmasë ndërmjet të tjerave, por është qendra e jetës së krishterë: nuk ka krishterim pa mëshirë. Nëse i gjithë krishterimi ynë nuk na çon drejt mëshirës, jemi në rrugë të gabuar, sepse mëshira është i vetmi horizont i vërtetë i çdo udhe shpirtërore. Ajo është një nga frytet më të bukura të dashurisë e të bamirësisë. Kujtoj se kjo temë u zgjodh që nga Engjëlli i parë i Tënzot, që thashë si Papë: mëshira. E kjo la thellësisht gjurmë në mua, është mesazh, të cilin, si Papë, kisha për detyrë ta jepja gjithnjë, një mesazh, që duhet të jetë i përditshëm: mëshira. Kujtoj se atë ditë pata mbajtur edhe një qëndrim pak ‘të pacipë’ e i pata bërë reklamë një libri mbi mëshirën, i sapopublikuar nga kardinali Kasper. E atë ditë, ndjeva fuqishëm se ky është mesazhi, që duhet të jap, si ipeshkëv i Romës: mëshirë, mëshirë, ju lutem, falje”.

Mëshira, shtoi Papa Françesku, është lumturia jonë:

“Mëshira e Zotit është çlirimi dhe lumturia jonë. Ne jetojmë me mëshirë e nuk mund t’ia lejojmë vetes të rrimë pa mëshirë: është ajri, që duhet të thithim. Jemi tepër të mjerë për të vendosur kushte, kemi nevojë të falim, sepse kemi nevojë të na falin”.

Mëshira është vetë zemra e Zotit

Dyanshmëria e faljes është temë e përhershme, nuk e gjejmë vetëm në Lumninë e pestë: “mëshira – nënvizoi Papa – është vetë zemra e Zotit”. Këto fjalë të Françeskut u shoqëruan pastaj me ato të marra nga Ungjilli sipas Lukës: “Mos gjykoni e nuk do të gjykoheni; mos dënoni e nuk do të dënoheni; falni e do të faleni”. Por, sidomos në lutjen “Ati ynë”, nënvizoi Ati i Shenjtë, përgjërohemi: “Na i fal fajet e mëkatet tona, si i falim ne fajtorët tanë”.

“Ka dy gjëra, që nuk mund të ndahen: falja e dhënë e falja e marrë. Por, shumë njerëz gjenden në vështirësi, nuk arrijnë të falin. Sa herë, e keqja që na kanë bërë është kaq e madhe, sa për të falur na duket sikur do t’i ngjitemi një mali tejet të lartë: një përpjekje e jashtëzakonshme; e mendojmë: nuk mundemi, kjo s’mund të bëhet. Dyanshmëria e mëshirës na tregon se duhet ta përmbysim perspektivën. Të vetëm, nuk mundemi, nevojitet hiri i Tënzot e, duhet ta kërkojmë atë. Vërtet, nëse Lumnia e pestë na premton se do të gjejmë mëshirë e, nëse në lutjen ‘Ati ynë’ kërkojmë faljen e mëkateve, do të thotë se ne jemi thelbësisht mëkatarë e kemi nevojë për mëshirë!”

Nëse falim, do të na falin

Nevoja për të gjetur mëshirë, shpjegoi më tej Papa, nuk duhet ndarë nga aftësia për të falur:

“Të gjithë jemi mëkatarë. Të gjithë. Ndaj Zotit, që është kaq bujar e, ndaj vëllezërve. Secili e di se nuk është babai apo nëna, që duhet të jetë, bashkëshorti apo bashkëshortja, vëllai apo motra, që duhet të jetë. Të gjithë jemi ‘në borxh’, në jetë. E kemi nevojë për mëshirë. E dimë se edhe ne kemi bërë keq, i mungon gjithnjë diçka së mirës, që duhej të bënim. Por, pikërisht ky mjerim kthehet në forcë për të falur! Jemi borxhlinj e nëse, siç dëgjuam në fillim, do të matemi me të njëjtën masë, që përdorim për të tjerët (shih Lk 6,38), atëherë na duhet ta shtrijmë masën e t’i falim borxhet. Secili duhet ta kujtojë se ka nevojë të falë, se ka nevojë për faljen, se ka nevojë për durimin; ky është sekreti i mëshirës: duke falur, edhe na falin”.

Nisma “24 orë për Zotin” dhe Solemniteti i Shën Jozefit

Pas katekizmit, Papa kujtoi se të premten e të shtunën do të mbahet nisma “24 orë për Zotin”, takim i rëndësishëm “i Kreshmëve për t’u lutur e për të marrë Sakramentin e Pajtimit”. “Fatkeqësisht, në Romë, në Itali e në vendet e tjera, kjo nismë nuk mund të mbahet në format e zakonshme, për shkak të emergjencës së koronavirusit”. Duke përshëndetur besimtarët e gjuhës italiane, Françesku kujtoi edhe se nesër, Kisha kremton solemnitetin e shën Jozefit: “Lutjuni gjithnjë me besim, sidomos në çastet e vështira e, besojani këtij shenjti të madh jetën tuaj”.

Më pas, Ati i Shenjtë u bëri sërish thirrje ipeshkvijve italianë, të cilët, në këtë kohë emergjence shëndetësore, organizojnë lutje për gjithë vendin: “Çdo familje, çdo besimtar, çdo bashkësi fetare: të gjithë, të bashkuar shpirtërisht, nesër në orën 21.00, të themi Rruzaren, Misteret e Dritës. Unë do t’ju shoqëroj prej këtu. T’i lutemi shën Marisë – përfundoi Papa, duke përmendur ndjetin e meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës – ta mbrojë veçanërisht familjen tonë, familjet tona, sidomos të sëmurët dhe njerëzit, që po kujdesen për ta: mjekët, infermierët, vullnetarët, të cilët vënë në rrezik jetën me këtë shërbim”.

18 mars 2020, 13:12