Kërko

Vatican News

Papa: fillojmë të shohim njerëz që kanë uri, Kisha t’i ndihmojë ata që vuajnë

Në Meshën kremtuar në Shën Martë, Papa Françesku rinovoi lutjen e tij drejtuar Zotit për familjet që kanë filluar t’i vuajnë pasojat e pandemisë së Kovidit-19. Në predikimin e tij Ati i Shenjtë kujtoi priftërinjtë dhe motrat rregulltare që nuk kanë i harruar njerëzit, nuk harruan se i përkasin popullit dhe vazhdojnë t’i ndihmojnë të varfërit e të sëmurët edhe në këtë periudhë.

R.SH. - Vatikan

Sot është Mesha e 20.të që u transmetua drejtpërdrejt nga Kapela e shtëpisë së Shën Martës në Vatikan kryesuar nga Ati i Shenjtë Françesku pas pezullimit, në Itali dhe në vende të tjera të botës, kremtimi Eukaristik me pjesëmarrjen e besimtarëve për shkak të pandemisë së koronavirusit. Papa në fillim të Meshës së sotme lexoi Antifonën e hyrjes marrë nga Psalmi 17: "Më rrethuan valët e vdekjes, më tmerruan përrenjtë, dhimbjet e ferrit më pikëlluan;  më shtrëngonin prangat e vdekjes: atëherë në ngushtimin tim, ndore i rashë Zotit, kushtrim i lëshova Zotit tim: nga Tempulli i vet Ai e dëgjoi zërin tim” (Ps 17,5-7). Në ndjetin e lutjes, Papa i kujtoi ata njerëz që fillojnë t’i vuajnë pasojat ekonomike të kësaj krize shëndetësore:

Këtyre ditëve, në disa vise të botës, kanë dalur në pah pasojat, disa pasoja të pandemisë; njëra prej tyre është uria. Fillojmë të shohim njerëz që janë të uritur, sepse nuk mund të punojnë, njerëz nuk kanë një punë fikse, për shkaqe të shumta e rrethana të ndryshme. Ne tashmë po fillojmë të shohim "më pas" a “më tej”, e cila do të vijë më vonë por fillon tani. T’i lutemi Zotit për familjet që kanë filluar të ndjejnë varfërinë  për shkak të pandemisë.

Në predikimin e tij, duke komentuar Ungjillin e Meshës së sotme (Gjon 7. 40-53), Papa Françesku pohoi me forcë se meshtarët dhe motrat rregulltare e murgeshat bëjnë mirë, kanë të drejtë që t’i përlyen duart duke ndihmuar të varfërit e të sëmurët, edhe në këtë periudhë. "Klasa" meshtarake nuk duhet të bëhet kurrë një elitë e mbyllur në një shërbim fetar të shkëputur nga populli, nuk duhet të harrojë kurrë t'i përkasë popullit dhe atij t'i shërbejë. Kisha duhet t’i ndihmojë njerëzit që vuajnë.

 Para se ta përfundonte meshën, Papa i nxiti të gjithë besimtarët të marrin Kungimin shpirtëror, në këtë kohë të vështirë, shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, që e ka pezulluar kremtimin e meshëve me pjesëmarrjen e njerëzve, për të shmangur kontaktet. Françesku e përfundoi kremtimin me adhurimin e me bekimin eukaristik. Ja fjalët e tij për Kungimin shpirtëror:

 I ftoj të gjithë ata, që janë larg dhe e ndjekin meshën në televizion, të bëjnë kungimin shpirtëror.

Në këmbët tua, o Jezusi im, bie në gjunjë e të ofroj pendimin e zemrës sime, që bëhet asgjë në praninë Tënde shenjte. Të adhuroj në Sakramentin e dashurisë Tënde, dëshiroj të të marr në banesën e varfër, që të ofron zemra ime. Në pritje të lumturisë së kungimit sakramentor, dua të jesh me mua në shpirt. Eja tek unë, o Jezusi im, që edhe unë të vij tek Ti. Dashuria Jote e përflaktë krejt qenien time, për jetë e për vdekje. Besoj në Ty, shpresoj në Ty, Të dua fort. Ashtu qoftë.

28 mars 2020, 10:20