Vatican News

Papa falënderon të gjithë ata, që luten për emergjencën e Coronavirusit

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, mbajtur në Bibliotekën e Pallatit apostolik vatikanas, e jo në Sheshin e Shën Pjetrit apo në Sallën Pali VI, për të shmangur rrezikun e grumbullimit të njerëzve, Papa iu drejtua të gjithë atyre, që vuajnë në këto çaste dramatike.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim  të audiencës së përgjithshme, mbajtur në bibliotekën e Pallatit apostolik vatikanas e jo në Sheshin e Shën Pjetrit apo në Sallën Pali VI, për të shmangur rrezikun e grumbullimit të njerëzve, Papa iu drejtua, duke folur lirisht, të gjithë njerëzve, që vuajnë në këto çaste dramatike.

“Dëshiroj t’u drejtohem gjithë të sëmurëve me virus, që mundohen nga sëmundja si dhe gjithë atyre, që vuajnë nga paqartësitë e situatës” - tha Françesku, duke përshëndetur besimtarët e gjuhës italiane:

“Falënderoj nga zemra personelin ndihmës, mjekët, infermierët dhe vullnetarët, që në këtë çast të vështirë janë pranë njerëzve që vuajnë. Falënderoj gjithë të krishterët, të gjithë burrat e gratë vullnetmira, që luten në këtë çast. Të gjithë të bashkuar, pavarësisht nga tradita fetare, së cilës i përkasin. Faleminderit nga zemra për këtë përpjekje!”.

Më pas -  gjithnjë duke folur lirisht, jashtë tekstit zyrtar - kujtimi i Sirisë së stërmunduar, e gjithpranishme në lutjet e Papës:

 “Nuk dëshiroj që kjo dhembje, kjo epidemi kaq e fortë, të ndikojë për t’i harruar sirianët e varfër, që po vuajnë në kufijtë e Greqisë e të Turqisë. Një popull, që vuan prej vitesh, që i duhet të ikë nga lufta, nga uria, nga sëmundjet. Nuk duhet t’i harrojmë këta vëllezër e këto motra. Nuk duhet t’i harrojmë fëmijët, që vuajnë atje! Ju inkurajoj ta përballoni çdo situatë, edhe më të vështirën, me qëndresë, përgjegjësi e shpresë” - ishte urimi i fundit drejtuar besimtarëve italianë.

11 mars 2020, 13:52