Ushtrimet shpirtërore në Ariccia Ushtrimet shpirtërore në Ariccia 

Papa e kremton çdo ditë Meshën në Shën Martë, prej nga ndjek edhe Ushtrimet Shpirtërore në Ariccia.

Shumëkush dëshiron të dijë diçka më shumë për gjendjen shëndetësore të Papës, posaçërisht pasi u dha njoftimi se do të shtyhet edhe ngjarja e majit, gjë që nuk është për t’u çuditur në këto kohë gripi.

R. SH. - Vatikan

Papa është i ftohur e nuk ka asnjë lloj sëmundjeje tjetër:  kjo, përgjigjja që  dha Vatikani lidhur me gjendjen shëndetësore të Atit të Shenjtë, pas një dite të tërë, së djeshmes, gjatë së cilës u fol për provën e tamponit të koronavirusit. Gjendja gripale e Papës, që dihet se nuk kalon aq shpejt, është në vijim, pa simptoma e pa asnjë shenjë të ndonjë sëmundjeje tjetër. Ndërkaq Papa e kremton çdo ditë Meshën në Shën Martë dhe i ndjek prej aty, Ushtrimet shpirtërore, që zhvillohen në Shtëpinë e Mësuesit Hyjnor, në Ariccia. Ky, njoftimi i drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, Matteo Bruni.

Pse u shtynë ngjarjet, ku do të merrte pjesë Papa?

Papa duhet të merrte pjesë në dy ngjarje, në semestrin e parë të 2020-tës, e të dyja u shtynë për në vjeshtën e vitit në vijim, nga shkaku i emergjencës së Coronavirusit. Pas takimit “Economy of Francesco”, që duhet të mbahej  në Asizi nga 26 deri më 28  mars e u shty për 21 nëntor, edhe Pakti Global mbi Edukimin (Global Compact on Education) takim ndërkombëtar i organizuar nga Papa, si shtytje ndaj angazhimit për e me  breznitë e reja, u riprogramua për datat ndërmjet 11 e 18 tetorit.

Ngjarja, besuar Kongregatës për Edukimin Katolik, qe planifikuar për 14 majin e ardhshëm, me një seri takimesh plotësuese ndërmjet 10 e 17 majit, si “Fshati i Edukimit”, me përvojën më të mirë ndërkombëtare të studentëve ardhur nga mbarë bota.

“Paqartësia e lidhur me përhapjen e Coronavirusit, ashtu si dhe vendimet e   Autoriteteve publike në shkallë botërore - shpjegon dikasteri i Vatikanit - çuan edhe në marrjen e vendimit për ta shtyrë takimin e shumëpritur, pikërisht për të siguruar një pjesëmarrje sa më të madhe e, sidomos, më pak të shqetë”.

Hyrjet në Vatikan, nën kontroll të kujdesshëm!

Ndërkaq në hyrjet në Vatikan (kryesisht në Muzetë e në Bazilikën e Shën Pjetrit), vijojnë  kontrollet e imta, për të shmangur rrezikun përhapjes së koronavirusit. E të hekurta janë edhe rregullat e mbrojtjes, si në Shtëpinë e Shën Martës, ashtu dhe në ish-manastirin Mater Ecclesiae, ku banojnë Papa Françesku dhe  Papa i nderit, Benedikti.

Dy fjalë, për lajmin e dhënë nga “Il Messaggero”

Mbetet ende për t’u shpjeguar lajmi i dhënë nga gazeta “Il Messaggero”, sipas së cilës Papa paskej bërë, për siguri, provën e tamponit, rezultati i së cilës – gjithnjë sipas gazetës - ishte negativ. E kjo duhet t’i japë fund çdo komenti mbi këtë argument. Duke kujtuar edhe një herë se Françesku është i ftohur, si shumëkush në këto kohë, kur gripi nuk çudit askënd. E  kur prej tij mund të preket edhe Papa!  

04 mars 2020, 13:41