Kërko

Vatican News

Papa: barinjtë, pranë popullit! Masat e rrepta nuk janë gjithnjë të mira

Gjatë Meshës, kremtuar sot në Shën Martë, Françesku u lut për të sëmurët e për barinjtë, që të marrin masa për të mos e lënë vetëm popullin e Zotit, por për ta shoqëruar me ngushëllimin e Fjalës së Hyjit, me sakramente e me lutje.

R. SH. - Vatikan

Gjatë Meshës së sotme (që mund të ndiqet e plotë në video), transmetuar drejtpërdrejt në streaming nga Kapela e Shën Martës, ditën e shtatëvjetorit të zgjedhjes së tij në fronin papnor, Françesku përsëriti ftesën që të lutemi  për të sëmurët me coronavirus e, në mënyrë të posaçme, për barinjtë:

“Në këto ditë jemi pranë të sëmurëve e familjeve, që vuajnë nga kjo pandemi. Por unë dëshiroj të lutem edhe për barinjtë, që duhet ta shoqërojnë popullin e Zotit në këtë krizë: Zoti u dhashtë forcë e aftësi të zgjedhin mjetet më të mira për të ndihmuar. Masat e rrepta nuk janë gjithnjë të mira, e edhe për këtë duhet të lutemi: që Shpirti Shenjt t’u japë barinjve aftësinë e shoshitjes baritore, që të parashikojnë masa, të cilat nuk e lënë vetëm popullin besnik të Zotit. Uroj që Populli i Zotit ta ndjejë veten të shoqëruar nga barinjtë e nga ngushëllimi i Fjalës së Hyjit, nga sakramentet e nga lutja”.

Papa, natyrisht, nuk e ka fjalën për masat e marra nga qeveria për t’ia prerë hovin përhapjes së sëmundjes, duke ndaluar grumbullimet publike, por u drejtohet barinjve, për të mos i harruar kërkesat e besimtarëve, që kanë nevojë të shoqërohen shpirtërisht, në një çast kaq dramatik. Në homeli, duke komentuar leximet e ditës, e në veçanti shëmbëlltyrën e vreshtarëve vrasës, foli për shkeljen e Besëlidhjes nga ana e atyre, të cilët e përvetësojnë dhuratën e Zotit, që është pasuria, zemra e hapur e bekimi dhe e mbyllin në kafazin e doktrinave (Mt 21,33-43.45).

Më pas, teksti i plot i homelisë:

“Të dy leximet profetizojnë Mundimet e Zotit. Jozefi, që shitet si skllav për 20 para argjendi e u dorëzohet paganëve dhe shembëlltyra e Jezusit, që flet qartë për vrasjen e Birit të Zotit. Është historia e një njeriu, që kishte një tokë, ku mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, hapi një gropë për trokullin e ndërtoi edhe një kullë. Pastaj ua dha me qera ca fshatarëve e iku e shkoi larg.

Ky është populli i Zotit. Zoti e zgjodhi këtë popull, zgjodhi këta njerëz, Është populli i zgjedhjes. E edhe i premtimit: “Shko përpara! Ti  je populli im!”. Premtimi bërë Abrahamit. E  besa e lidhur në Sinai. Populli  duhet ta  ruajë gjithnjë në kujtesë zgjedhjen, premtimin për të shkuar përpara me shpresën e me besën e lidhur e për të jetuar ditë për ditë besnikërisht. Po në këtë shëmbëlltyrë ndodh që, kur vjen koha për të vjelur frytet, këta njerëz harruan se nuk ishin pronarët e vreshtit. E kur zotëria dërgoi shërbëtorët, iu sulën pa pikë mëshire. Njërin e rrahën me shkop. Tjetrin e vranë e të tretin e mbytën me gurë. Pastaj zotëria, i zemëruar në kulm, dërgoi shërbëtorë të tjerë, më të shumtë, po ata i trajtuan edhe më keq. Sigurisht Jezusi na bën të shikojmë këtu - duke folur për doktorët e ligjit - sesi  i trajtuan  profetët.  Së fundi  zotëria nisi të birin. Po argatët, sapo e panë të birin, thanë: “Ky është trashëgimtari. Ejani ta mbysim e ta marrim ne trashëgimin e vreshtës!”. Ia vodhën trashëgimin! Histori pabesie, kjo! Pabesi ndaj premtimit, ndaj besës së lidhur, që është dhuratë. Zgjedhja, premtimi dhe besëlidhja janë dhuratë e Zotit. Këta njerëz e përvetësuan dhuratën, për ta shndërruar në “pronë të vetën”. E kështu dhurata, që është pasuri, hapje e zemrës e bekim, u mbyll në kafazin e doktrinës së ligjeve, një mori ligjesh! U ideologjizua. Humbi natyrën e dhuratës, përfundoi në ideologji. Sidomos, në ideologji moralistike, plot me norma, edhe qesharake. E përvetësuan dhuratën!

Ky është mëkat i madh. Mëkat që të bën të harrosh  se Zoti  na bëri dhuratë vetveten, se Zoti na e dha këtë si dhuratë, e ti, duke e harruar këtë, kërkon të bëhesh padron! Atëhere premtimi nuk është më premtim, zgjedhja nuk është zgjedhje. Kësaj i thonë ta shpjegosh besëlidhjen sipas mendimit tënd, të ideologjizuar. Në këtë sjellje unë shikoj, ndoshta, fillimin e klerikalizmit - nënvizoi Papa - që harron se Zoti erdhi mes nesh si dhuratë, se na u dhurua, e ne duhet t’ua dhurojmë edhe të tjerëve, jo si të ishte prona jonë.

Klerikalizmi nuk është problem i ditëve tona! Ishte që në kohë të Krishtit. Prandaj Jezusi shkon përpara, deri te Kapitulli  i 23-të, kapitulli i dënimit,  ku  zemërimi i Zotit  shpërthen furishëm mbi të gjithë ata, që e marrin dhuratën si të ishte prona e tyre dhe e rëgjojnë  pasurinë  e Tij  sipas tekave  ideologjike të mendjes së tyre!

T’i kërkojmë sot Zotit hirin për ta marrë dhuratën si dhuratë e edhe për ta transmetuar si dhuratë, jo si pronë, jo në mënyrë sektare, në mënyrë të rreptë, në mënyrë ‘klerikaliste’”.

13 mars 2020, 13:03