#PrayForTheWorld: lutja e veçantë e Papës Françesku për fundin e pandemisë

Papa Françesku i fton të gjithë besimtarët të luten për ta shpëtuar botën nga koronavirusi. Në një edicion të veçantë të “Videos së Papës”, Ati i Shenjtë kërkon t’i përgjërohemi Zotit për të sëmurët e të vuajturit, si edhe falenderon ata që, të bashkuar, pavarësisht nga tradita fetare o nga bindjet e tyre, luten për njerëzit e sëmurë nga Covid-19.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku e pati njoftuar qëkur ndjetin e marsit, i cili i ftonte të gjithë të luteshin për Kishën në Kinë, por gjendja e sotme e botës, e nxiti të paraqesë një ndjet tjetër lutjeje, përmes një edicioni të veçantë të videomesazhit, që, si zakonisht, përhapet nga Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës. Në mesin e pandemisë së koronavirusit, Ati i Shenjtë kërkon:

 “Të gjithë së bashku të lutemi për të sëmurët, për njerëzit që vuajnë. Nën mbrojtjen tënde strehë kërkojmë, o Nëna Shenjte e Zotit! Mos e përbuz lutjen tonë! Lutje e njerëzve në sprovë! Çlirona nga çdo rrezik, o Virgjër e lumnueshme dhe e bekuar!”

Është lutja, me të cilën më 11 mars, përmes një videomesazhi me rastin e meshës së kremtuar nga kardinali vikar, Angelo De Donatis, në shenjtëroren romake të Zojës së Dashurisë Hyjnore, Papa ia besoi Romën, Italinë e mbarë botën, mbrojtjes së Nënës së Zotit. Shenjë shpëtimi e shprese, në këto ditë ankthi, që ka mbërthyer mbarë njerëzimin.

Papa lutet vazhdimisht për fundin e pandemisë

Që kur shpërtheu, në fund të vitit 2019, Covid-19 është përhapur në 162 vende e territore, duke infektuar gati 300 mijë vetë në gjithë botën e duke shkaktuar, deri tani, më se 12 mijë të vdekur. Pikërisht kur Papa i lutej Zojës, më 11 mars 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli pandeminë. Ati i Shenjtë po i përjeton këto çaste të vështira për botën me fe e lutje. Të dielën e tretë të Kreshmëve u lut para ikonës Salus Populi Romani, për të nënvizuar afërsinë e tij me të gjithë ata, që vuajnë e, për të kërkuar mbrojtjen e veçantë të Virgjërës Shenjte. Më pas, shtegtoi drejt kryqit, që u mbajt në procesion në kohën e murtajës në Romë, më 1522. Para Krishtit të kryqëzuar, u lut për fundin e pandemisë së koronavirusit. Gjatë këtyre ditëve, në meshët e mëngjesit, i ka lartuar Zotit lutje edhe për shërimin e të sëmurëve, ka kujtuar viktimat dhe i ka kërkuar Hyjit ngushëllim për familjarët e miqtë e tyre.

Të gjithë të luten, pavarësisht nga tradita e tyre fetare

Këtë video të veçantë, Ati i Shenjtë e përfundon, duke falenderuar për lutjet:

“I falenderoj të gjithë të krishterët, të gjithë burrat e gratë vullnetmira, që luten në këtë çast, të gjithë të bashkuar, pavarësisht nga tradita fetare së cilës i përkasin”.

Java e lutjes për çlirimin e botës nga koronavirusi

Vetë Papa ka caktuar disa takime lutjeje me besimtarët, gjatë kësaj jave. Ky i sotmi - videomesazhi me ndjetin e veçantë të lutjes - është i pari. Nesër, e mërkurë, 25 mars, dita në të cilën të krishterët përkujtojnë Lajmërimin e Zojës se në kraharorin e saj do të mishërohej Biri i Zotit, Ati i Shenjtë i fton të krishterët e të gjitha traditave, të thonë së bashku me të, lutjen “Ati ynë”, në mesditë. Të premten, më 27 mars, papa Françesku njoftoi për një çast tjetër lutjeje e adhurimi eukaristik, në përfundim të të cilit do të japë bekimin “Urbi et Orbi” (Romës dhe botës) nga tremja e bazilikës së Shën Pjetrit, në orën 18.00. Me këtë rast, sipas kushteve të përcaktuara nga dekreti i fundit e Pendestarisë Apostolike, të gjithë mund të marrin Ndjesën e plotë. Ftesa për lutje mund të ndiqet në rrjetet shoqërore me hashtagun #PrayForTheWorld. Zoti na ndihmoftë këto ditë, të mishërojmë dhembshurinë në gjestet tona të përditshme e në afërsinë me njerëzit e vetmuar e të lodhur.

24 mars 2020, 17:05