Kërko

 Papa në rrëfyestore Papa në rrëfyestore 

Lutja, lëmosha, agjërimi “shokë në udhën e Kreshmëve”

Gjatë papnisë së Tij, Françesku ka kujtuar shumë shpesh se Koha e Kreshmëve është më e përshtatshmja për kthimin e vërtetë të zemrave. T’i kthejmë, pra, zemrat kah Zoti, për ta jetuar thellësisht Misterin e Pashkëve të ngjalljes!

R. SH. - Vatikan

Kreshmët janë udhë, që na çon kah Triditshi i Pashkëve. Për Shën Palin, kjo kohë është “tejet e përshtatshme” për të ecur në udhën e kthesës së vërtetë”. Për Shën Agostinin, “simbol i vetë jetës së njeriut”. Kjo Kohë, që nisi me të Mërkurën e Përhime, u kujton gjithë të krishterëve se duhet ta jetojnë thellësisht kulmin e Vitit liturgjik, misterin e Pashkëve.

Udhë pendese

Në këtë kohë hiri “Të lutemi, të agjërojmë e t’i vëmë në jetë veprat e mëshirës” - lexojmë në një tweet të Papës, drejtuar besimtarëve më 27 shkurtin e kaluar - që Zoti të mund t’i gjejë zemrat tona gati për t’i mbushur përplot  me fitoren e dashurisë së Tij”.

Udha e Kreshmëve - shpjegon Françesku në Mesazhin kreshmor 2019 - është udhë pendestare, udhë që na ndihmon të bëjmë kthesë, përmes lutjes, lëshoshës, agjërimit:

Të agjërojmë domethënë të mësojmë si ta ndryshojmë qëndrimin tonë ndaj të tjerëve dhe ndaj krijesave: nga tundimi që të “përpijmë” gjithçka për të ngopur lakminë tonë, të kalojmë në vuajtjen për dashurinë, që mund të na e mbushë zbraztësinë e zemrës. Të lutemi domethënë të heqim dorë nga idhujtaria dhe nga vetëdashja, e ta ndjejmë se kemi nevojë për Zotin dhe mëshirën e Tij. Të japim lëmoshë, domethënë të heqim dorë nga marrëzia e jetës, që na nxit ta grumbullojmë të gjithça vetëm për vete, me ëndrrën e kotë se po sigurojmë një të ardhme, që nuk na përket. E të rizbulojmë, kështu, gëzimin e planit të Zotit për gjithë krijesat e për zemrën tonë! Ta duam Atë, vëllezërit dhe gjithë botën dhe të gjejmë lumturinë e vërtetë në këtë dashuri (Mesazhi i Papës Françesku për Kreshmët 2019).

Të investojmë një thesar, që  nuk humbet kurrë

Kreshmët - pati kujtuar Françesku gjatë Meshës kremtuar në Bazilikën e Shën Sabinës më 6 mars të vitit 2019 - janë udha e kthimit tek Zoti. E lëmosha, lutja e agjërimi, tri etapa, që duhen përshkuar pa hipokrizi. Po përse duhen këto tri etapa?

“Lëmosha, lutja e agjërimi na çojnë tek tre realitete, që nuk mbarojnë kurrë! Lutja na çon tek Zoti; lëmosha, tek i afërmi; agjërimi, tek vetvetja. Zoti, vëllezërit, jeta ime: këto janë realitetet, që nuk mbarojnë e që duhet t’i investojmë. Ja ku na ftojnë të shkojmë Kreshmët: drej lartësive, me lutjen, që të çliron nga një jetë horizontale, e sheshtë, ku gjindet gjithnjë kohë për veten e kurrë për Zotin. E pastaj, drejt tjetrit, me dashuri të krishterë, që të çliron nga kotësia e pasjes, nga mendimi se të gjitha punët shkojnë mirë, vetëm atëhere kur shkojnë mirë punët e mia. Së fundi, na fton të shikojmë brenda zemrës sonë, brenda shpirtit, me agjërimin, që na shkëput nga lidhja e ngushtë me sendet, me mendësinë e botës, që na e  mpin zemrën. Lutje, lëmoshë, agjërim: tre investime, për të grumbulluar një thesar, që i bën ballë kohës”.

Lëmosha nga çliron nga grykësia

“Çdo lëmoshë është rast për të marrë pjesë në Provaninë e Zotit për bijtë e tij” - shkruan Papa në mesazhin për Kreshmët 2028 - duke theksuar se pasuria e vërtetë është ndarja e kamjes me të tjerët:

“Ushtrimi i lëmoshës na çliron nga grykësia e na ndihmon të zbulojmë se tjetri është im vëlla! Sa do të dëshiroja që lëmosha të shndërrohej për të gjithë në stil të vërtetë jete! E që të krishterët të ndiqnin shembullin e Apostujve e tek mundësia për të ndarë me të tjerët pasuritë e tyre, të shikonin dëshminë konkrete të bashkimit, që jetojmë në Kishë”(Mesazhi i Papës Françesku për Kreshmët 2018).

Lutja, garë shpirtërore

Koha e Kreshmëve është  edhe kohë prove, kohë që na tregon sa të aftë jemi për t’u bërë ballë tundimeve. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 18 shkurtit 2018, Ati i Shenjtë kujton se lutja, me ndihmën e Zotit, është arma  më e fuqishme për të fituar mbi Djallin:

“Kreshmët janë kohë “gare” shpirtërore: jemi të thirrur t’i bëjmë ballë Djallit me anë të lutjes, për të qenë të aftë, me ndihmën e Zotit, ta mundim në jetën tonë të përditshme. Pa harruar kurrë se e keqja vepron vazhdimisht në jetën tonë, është rreth nesh, në këtë botë” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 18 shkurt 2018).

Agjërimi i vërtetë

Koha e Kreshmëve është e përshtatshme edhe për agjërim. Po çfarë agjërimi do Zoti nga njeriu? Pikërisht kjo pyetje e orientoi, më 16 shkurt 2018, meditimin e mëngjesit të Papës Françesku, në kapelën e “Domus Sanctae Marthae”. Agjërimi i vërtetë - na kujton Papa - është ai që bëhet në fshehtësi, jo për shihni botë! Duke i bërë vetes pyetjen:

“A agjëroj për t’i ndihmuar të tjerët? Jetoj në mënyrë koherente, apo bëj jetë të dyfishtë?A shtihem si i krishterë…si farizenjtë, e saduçenjtë, ndërsa në shpirt nuk jam aspak? Kërkoje përvujtërisht hirin e koherencës. Koherenca! Nëse nuk mund ta bëj një gjë, duhet ta lë pa bërë. Por të mos shtihem se po e bëj. Të bëj çka mund të bëj, por me koherencë të krishterë. Zoti na e dhashtë këtë hir!”(Mesha në Shtëpinë e Shën Martës, 16 shkurt 2018).

Kthimi i zemrës

Kreshmët janë “kohë e përshatshme për të dëgjuar Fjalën e Zotit. Papa Françesku na e kujtoi këtë në audiencën e përgjithshme të 26 shkurtit të kaluar. I quajti Kreshmët kohë për t’iu drejtuar Zotit me “ti” e për ta vënë në kryet e vendit. E akoma, kohë për t’iu kushtuar ekologjisë së zemrës, sepse jetojmë në një ambient të ndotur nga dhuna e tepërt verbale, që rrjeti e shumëfishon. Kohë e përshtatshme për ta vënë në qendër të vëmendjes Fjalën e Zotit. Kohë për të mbyllur televizorin e për të  hapur Biblën. Kohë për t’u shkëputur nga celulari  e për t’u lidhur me Ungjillin. Kohë për të ndjekur Jezusin drejt një mori shkretëtirash, që na rrethojnë:

“Kreshmët janë - sipas Françeskut - kohë pendese, po, por jo trishtimi,e zije. Janë angazhim gazmor e serioz për t’u zhveshur nga egoizmi ynë, nga njeriu ynë i vjetër e për t’u përtërirë, sipas hirit të Pagëzimit tonë”.

E Ati i Shenjtë u uron të gjithëve:

“Qofshin Kreshmët kohë për të ngjallur në ju dëshirën që ta jetoni fjalën e Zotit dhe shpresën e Ringjalljes. Lutja, lëmosha e agjërimi ju ndihmofshin  për kthimin e zemrës e ju përgatitshin për ta jetuar Triditshin e Pashkëve: misterin e mundimeve, të vdekjes e të ngjalljes së Krishtit”(Audienca e përgjithshme, 26 shkurt 2020).

04 mars 2020, 14:14