1585331583041.JPG

Lutja e Papës për fundin e pandemisë: “O Zot mos na braktis në mëshirën e stuhisë”

Në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, para sheshit bosh, në një ditë që do të mbetet në histori, Papa Françesku i kërkoi Zotit ta dëgjojë lutjen e gjithë burrave e grave, në këto kohë pandemie nga koronavirusi. Pas bekimit “Urbi et Orbi”, të gjithë ata, që ishin lidhur me të në lutje, përmes mjeteve të komunikimit, por edhe të gjithë besimtarët, që u bashkuan me Papën shpirtërisht e me ndjetin e zemrës, edhe pse nuk kishin mundësi ta shihnin apo ta dëgjonin lutjen, patën mundësi të marrin Ndjesën e plotë, sipas kushteve të Kishës.

R.SH. - Vatikan

E premte e veçantë Kreshmësh, ky 27 mars. Udhën e Kryqit, që zakonisht besimtarët e ndiqnin në famullitë e Kishat e tyre, sot, po e bëjnë sa e sa të sëmurë me koronavirus, sa e sa njerëz që vuajnë për viktimat, të cilët mund të jenë familjarë, miq, ose të njohur. Duket dhimbje pa fund, por të krishterët kanë shpresën në Zotin, i cili ka premtuar se nuk do t’i braktisë kurrë. Në këtë të Premte Mëshire, Kisha i ka këshilluar ata ipeshkvij që munden, të shkojnë të vetëm në një varrezë te dioqezës së tyre, për një çast lutjeje e bekimi, për të shprehur afërsinë me ata, që kanë ndërruar jetë e, me ata që vajtojnë.

O Zot, shikoje gjendjen tonë të dhimbshme

Edhe Papa Françesku u lut sot në orën 18.00, nga tremja e Bazilikës së Shën Pjetrit, në Vatikan, me sheshin bosh, por në bashkim shpirtëror me gjithë të krishterët e botës, të të gjitha traditave. Ati i Shenjtë, në praninë e fugures së Zojës “Salus Populi Romani” e të kryqit të Shën Marçelit, që ndali murtajën në Romën e vitit 1522, iu lut Zotit të Mëshirës të ketë mëshirë për burrat e gratë e kësaj kohe pandemie. “O Zot i Gjithpushtetshëm e i mëshirshëm, - u përgjërua Papa në fillim të kremtimit – shikoje gjendjen tonë të dhimbshme: ngushëlloji bijtë e tu e hapi zemrat tona për shpresën, që ta ndiejmë mes nesh praninë e Atit Qiellor”.

Më pas u lexua një fragment nga Ungjilli sipas Markut, pjesë në të cilën Jezu Krishti, në barkë me dishepujt e vet, ndal stuhinë e i bën të heshtin erërat e valët. Duke marrë shkas nga fjalët e para të Ungjillit, ku thuhet “erdhi mbrëmja”, Papa, gjatë homelisë, komentoi: “Që prej javësh duket se ka zbritur mbrëmja. Re të errta janë dendësuar mbi sheshe, rrugë e qytete; kanë marrë në dorë jetën tonë, duke e mbushur gjithçka me një heshtje shurdhuese e me një boshllëk dëshpërues, që paralizon çdo gjë kur kalon: ndihet në ajër, shihet në gjeste, na e thonë vështrimet. Ndihemi të frikësuar e të humbur. Si dishepujt e Ungjillit, u kapëm të papërgatitur nga një stuhi e papritur dhe e furishme. E kuptuam se jemi të gjithë në të njëjtën barkë, të gjithë të brishtë e të çorientuar, por njëkohësisht, të rëndësishëm e të nevojshëm, të gjithë të thirrur për t’u dhënë rremave së bashku, të gjithë me nevojën për të ngushëlluar njëri-tjetrin. Mbi këtë barkë… jemi të gjithë”.

O Zot, “nuk po pyet për ne?”

Papa Françesku komentoi qëndrimin e Jezusit, që, në barkë me dishepujt, kishte besim të patundur në Atin Qiellor, pavarësisht nga stuhia, pavarësisht se ndodhej në atë pjesë, që mund të mbytej e para. E me një paralelizëm, që sot është më se i qartë, vuri në dukje frikën e dishepujve, që i thonë Zotit: “nuk po pyet për ne?” Edhe ata, ashtu si ne sot, tregohen të brishtë, të paaftë të kapen pas besimit në Hyjin, pas gjithë atyre qëndrimeve, që edhe sot, na i mësojnë të moshuarit, duke na treguar udhën e lëshimit të vetvetes në dorën e Zotit. Jemi të shqetësuar për vetveten, denoncoi Papa Françesku, jemi kthyer në egoistë e vëmë në plan të parë dukjen, duke e lënë të zbuluar nervin e vetëdijes se i përkasim njëri-tjetrit si vëllezër. Ecim me shpejtësi nëpër udhët e botës, me etje për para e pushtet e nuk ndalemi para thirrjes së Zotit për të parë ç’ndodh përreth nesh, për të parë luftrat e padrejtësitë, të varfërit, planetin e sëmurë rëndë.

Lutja e Papës
Lutja e Papës

“Pse keni frikë? Akoma nuk keni besim?”

E tani i drejtohemi Zotit, si dishepujt e atëhershëm: “Nuk pyeske për ne?” Për të marrë prej Krishtit përgjigjen: “Pse keni frikë? Akoma nuk keni besim?” Kjo është kohë Kreshmësh, nënvizoi më tej Papa Françesku, kohë për të kuptuar ç’vlen vërtet e për të ndarë gjithçka është e nevojshme nga gjërat, që të tilla nuk janë. Është koha për t’u kthyer te Hyji e për ta lënë Shpirtin Shenjt të veprojë, ashtu siç e lanë sa e sa mjekë e infermierë këto ditë, të cilët, megjithë frikën, dhanë edhe jetën për shpëtimin e të tjerëve. E Papa nuk harroi edhe gjithë punonjësit e tjerë, që e bëjnë shoqërinë të funksionojë, duke shërbyer, me kokën në rrezik.

Zoti nxjerr të mirën nga e keqja

Fillojmë të kemi fe, vërejti Ati i Shenjtë, kur e kuptojmë se kemi nevojë të shpëtohemi. Le t’i drejtohemi Zotit, t’ia dorëzojmë Atij të Lumit frikën tonë, ta ftojmë Jezu Krishtin në barkën e jetës sonë e, ashtu si dishepujt, nuk do të mbytemi. “Sepse kjo është forca e Zotit – ngriti zërin Françesku – të “Pse keni frikë? Akoma nuk keni besim?”. Ai i heshton stuhitë tona, sepse me Zotin, jeta nuk vdes kurrë… E kemi një spirancë: nëpër kryqin e Tij jemi shëlbuar. E kemi një timon: nëpër kryqin e Tij jemi shpërblyer. E kemi një shpresë: nëpër kryqin e Tij jemi shëruar e përqafuar, që askush e asgjë të mos na ndajë nga dashuria e Tij shëlbuese. …Ai u ngjall e jeton krah nesh”.

Lutja e Papës
Lutja e Papës

Lutja e Papës Françesku

E duke i ftuar të gjithë ta përqafojnë kryqin e Krishtit me jetën e tyre, sepse vetëm kështu do të përqafojnë shpresën, Papa Françesku u lut:

“Të dashur vëllezër e motra, nga ky vend, që dëshmon fenë shkëmbore të Pjetrit, sonte, dua t’ju besoj të gjithëve në duart e Zotit, përmes ndërhyrjes së Zojës, shëndeti i popullit të vet, ylli në detin e stuhishëm. Nga ky kolonat, që përqafon Romën dhe botën zbrittë mbi ju, si përqafim ngushëllues, bekimi i Hyjit. O Zot, bekoje botën, dhuroju shëndet trupave dhe ngushëllim zemrave. Ti na kërkon të mos kemi frikë. Por feja jonë është e dobët e ne kemi frikë. Por Ti, o Zot, mos na lër në mëshirën e stuhisë. Na thuaj prapë: ‘Mos kini frikë’. E ne, bashkë me shën Pjetrin, ‘ta lemë Ty çdo shqetësim, sepse Ti kujdesesh për ne’ (shih 1 Pjt 5,7)”.

Bekimi "Urbi et Orbi" e Ndjesa e Plotë

Në fund, pas litanive të Zojës, Papa Françesku lartoi të Shenjtnueshmin Sakrament, me të cilin bekoi Romën e botën. Të gjithë ata, që ishin lidhur me të në lutje, përmes mjeteve të komunikimit, por edhe të gjithë besimtarët, që u bashkuan me Papën shpirtërisht e me ndjetin e zemrës, edhe pse nuk kishin mundësi ta shihnin apo ta dëgjonin lutjen, patën mundësi të marrin Ndjesën e plotë, sipas kushteve të Kishës. Pra, të gjithë atyre, që, në këto kohë emergjence, janë rrëfyer shpirtërisht për mëkatet, janë kunguar shpirtërisht e tani, u lutën sipas ndjetit të Papës. Kërkohet gjithashtu edhe një vepër tjetër “ndjese”, siç mund të jetë thënia e Rruzares, e Besojmës, e Atynës, pjesëmarrja virtuale në meshë, një lutje për Zojën, leximi i Shkrimit Shenjt për të paktën gjysëm ore e të tjera si këto, që mund t’i lexoni në dekretin e fundit të Pendestarisë Apostolike.

Photogallery

Lutja e Papës Françesku në tremen e Bazilikës Vatikanase
27 mars 2020, 18:45