Papa Françesku, në hapjen e Vitit Gjyqësor në Vatikan Papa Françesku, në hapjen e Vitit Gjyqësor në Vatikan 

Françesku përcakton sistemin e ri gjyqësor për Shtetin e Vatikanit

Ligji i ri CCCLI shfuqizon dhe zëvendëson atë, i cili ishte në fuqi që nga viti 1987. Pavarësi më e madhe për gjykatësit, sistem më i thjeshtë, ndarje më e madhe ndërmjet magjistraturës hetuese dhe asaj gjykuese.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku miratoi një ligj të ri, nr. CCCLI (351 me numrat arabë), me të cilin vendoset një sistem i ri gjyqësor në Shtetin e Vatikanit, duke zëvendësuar kështu, atë të vitit 1987, përcaktuar nga shën Gjon Pali II. Masa ishte e domosdoshme, edhe për shkak të ndryshimeve të shumta dhe të rëndësishme gjatë dy dekadave të fundit në legjislacionin e Shtetit të Vatikanit, veçanërisht në çështjet ekonomiko-financiare dhe kriminale, si pasojë e nënshkrimit të shumë konventave ndërkombëtare. Ja ndryshimet kryesore të legjislacionit të ri.

Para së gjithash, u lihet pavarësi më e madhe organeve gjyqësore dhe atyre të magjistratëve, të cilët varen në mënyrë hierarkike vetëm nga Papa e i nënshtrohen ligjit: ushtrojnë funksionet e tyre në mënyrë të paanshme. Autoriteti gjyqësor ka në dispozicion drejtpërdrejt policinë gjyqësore, funksion që kryhet nga Trupat e Xhandarmërisë. Të gjithë magjistratët e zakonshëm, gjatë shërbimit të tyre, marrin nënshtetësinë e Vatikanit.

Tjetër risi ka të bëjë me përbërjen e Gjykatës: rritet me një njësi organika e magjistratëve. E, së paku një nga gjyqtarët e Gjykatës duhet të punojë me kohë të plotë dhe në mënyrë ekskluzive për Vatikanin. Caktimi i gjyqtarëve për një çështje të dhënë vendoset nga kryetari i Gjykatës, duke marrë parasysh kompetencat profesionale dhe natyrën e procedurës. Organi gjyqësor i Gjykatësit unik reduktohet në një funksion të Gjykatës, duke e thjeshtuar kështu sistemin gjyqësor.

Përcaktohen normat për emërimin papnor të magjistratëve të Gjykatës dhe të Gjykatës së Apelit e, pjesërisht, edhe të Gjykatës së Lartë: parapëlqehen profesorë universitetesh, për të garantuar pavarësi më të madhe në ushtrimin e funksioneve gjyqësore (ndodh kështu, sepse nuk janë krejtësisht të punësuar në Shtetin e Vatikanit, duke pasur një profesion dhe një pagë të garantuar jashtë). Mund të emërohen edhe juristë të njohur, me përvojë të dëshmuar në fushën gjyqësore, ose ligjore (civile, penale, ose administrative). Së paku një gjykatësi i kërkohet të jetë ekspert në të drejtën kishtare, burim kryesor i së drejtës në Vatikan.

Ruhet dispozita në fuqi, sipas së cilës, kur ka nevoja të veçanta, mund të emërohen për një trevjeçar një ose më shumë gjykatës, por edhe ky emërim është papnor (ndërsa sipas ligjit në fuqi deri tani, emërimi i besohej kryetarit të Gjykatës së Apelit, pas miratimit nga Sekretari i Shtetit). Mosha e largimit nga detyra (aktualisht 74 vjeç) është rritur me një vit (75 vjeç), me mundësinë e zgjatjes nga ana e Papës dhe jo më nga kryetari i Gjykatës së Apelit. Ndërsa, për anëtarët e Gjykatës së Lartë, mosha maksimale është 80 vjeç. Ndërprerja e detyrës nuk ndodh automatikisht, por vetëm pas pranimit të dorëheqjes.

Risi e rëndësishme për magjistratët që përfaqësojnë akuzën. Është hartuar një kapitull i veçantë për Zyrën e Promovuesit të Drejtësisë (Kapitulli IV), që dallohet mirë nga ai i Gjykatës (Kapitulli II), duke parashikuar një sërë dispozitash normative të hollësishme, që mungonin më parë.

Gjithashtu, përveç përbërjes së zakonshme të Gjykatës së Lartë (kryetari dhe dy anëtarë kardinaj të Senjaturës Apostolike), ligji i ri parashikon mundësinë e gjykimit të çështjes në kolegj, domethënë, me shtimin e dy, ose më shumë gjyqtarëve të emëruar me mandat trevjeçar, sipas rregullave që vlejnë edhe për gjithë magjistratët e tjerë. Promovuesi i Drejtësisë i Gjykatës së Lartë mund të emërohet në këtë detyrë edhe kur nuk është i lidhur me Senjaturën Apostolike, me kusht që të ketë autorizimin e Sekretarit të Shtetit.

Përsa u përket avokatëve, sidomos atyre të Rota Romana, ndër kërkesat për regjistrimin në listat profesionale është shtuar edhe kualifikimi ligjor i tyre në shtetin ku banojnë, pra, duhet të njihen si avokatë edhe në shtetin e tyre. Nga ana tjetër, ndryshe nga sa parashikohej prej ligjit në fuqi deri tani, mund të regjistrohen si avokatë kishtarë vetëm të kualifikuarit për të praktikuar në juridiksionet më të larta, me autorizimin e Sekretarit të Shtetit. Sidoqoftë, për të gjithë avokatët kërkohet njohja e ligjit të Kishës Katolike dhe e ligjit të Vatikanit. Përjashtimi nga regjistrimi i detyrueshëm në listat profesionale parashikohet vetëm për raste të veçanta, me vendim të kryetarit të Gjykatës së Apelit. Ushtrimi i profesionit në Gjykatën e Lartë, gjithsesi, u rezervohet vetëm avokatëve të Selisë së Shenjtë, atyre të Kuries Romake, me përjashtim të rasteve kur kryetari i Gjykatës së Lartë vendos ndryshe.

Mbrojtja e administratave shtrihet edhe mbi drejtuesit e zyrave të Dikasterëve të Kuries Romake dhe të Guvernatoratit, me mandat të eprorit përkatës, sipas hierarkisë. Parashikohet një specifikim, që mungonte deri tani, për masat e mundshme disiplinore kundër avokatëve. Së fundi, Papa Françesku ka vendosur që fillimi i vitit gjyqësor të zhvendoset më 1 janar.

16 mars 2020, 15:55