Kërko

Françesku: në qendër të vëmendjes, situata çnjerëzore në Siri

Papa foli përsëri sot për situatën çnjerëzore të qindra mijëra civilëve sirianë, që vijojnë të pësojnë pasojat e një lufte pa fund. Kujtoi posaçërisht zonën e Idlibit, ku armëpushimi i shkurtër, nënshkruar më 5 marsin e kaluar ndërmjet Ankarasë e Moskës, duket tejet i brishtë.

R. SH. - Vatikan

Papa rikujtoi sot, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, dramën e luftës në Siri dhe situatën humanitare që, pas nëntë vjetësh, vijon të mbetet e padurueshme, posaçërisht në veri-perëndim të vendit. Në të Dielën II të Kreshmëve, para e pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në rrethanat e jashtëzakonshme të epidemisë së Covid 19 dhe transmetuar, për herë të parë, në streamig, nga Biblioteka e Pallatit Apostolik e jo nga dritarja mbi Sheshin e Shën Pjetrit, bëri përsëri thirrje të fuqishme në mbështetje të këtij vendi të martirizuar!

Ucoii: faleminderës Papës, që i kujton  njerëzit e braktisur të Idlib

Për këtë thirrje të re, Papa shfrytëzoi rastin e pranisë, në Sheshin e Shën Pjetrit, të Unionit të Bashkësive Islamike në Itali (Ucoii). Ishin aty për ta falënderuar Françeskun, që vijon të flasë për Sirinë e për viktimat e Idlibit. E dëshmonte këtë edhe parrulla, që mbanin të pranishmit në duar:

“Përshëndes shoqatat dhe grupet, që angazhohen në veprimtari solidare me popullin sirian e, posaçërisht, me banorët e qytetit të Idlibit e të  Sirisë veri-perëndimore, të cilët detyrohen të ikin për shkak të zhvillimeve të fundit të luftës. Të dashur vëllezër e motra, e përsëris merakun tim të madh   e dhimbjen time për këtë situatë çnjerëzore, që po jetojnë këta njerëz të pambrojtur, ndërmjet të cilëve, edhe shumë fëmijë në rrezik jete. Nuk duhet ta harrojmë për asnjë çast këtë krizë humanitare, por ta kemi gjithnjë në qendër të vëmendjes, përpara çdo interesi tjetër. Të lutemi për këta njerëz, këta vëllezër e motra, që po vuajnë kaq shumë në veri-lindje të Sirisë e në qytetin e Idlibit”.

Kjo, thirrja e Papës që, gjatë gjithë muajit shkurt, ashtu si gjatë gjithë papnisë së tij, vijoi angazhimin për Sirinë e dashur.

Dhimbja e Papës për Sirinë: dialogu e diplomacia ta ndalojnë luftën!

Edhe javën e kaluar, pas lutjes së Engjëllit, Françesku shprehu dhimbjen për një mori bashkësish, që vijojnë të dëbohen nga trojet e tyre për shkak të konflikteve. Por thirrjen e fundit të fuqishme e bëri më 23 shkurtin e kaluar, nga Bari, ku ishte për të marrë pjesë në takimin e ipeshkvijve të zonës mesdhetare. Në Meshën me 40 mijë besimtarë, kremtuar në Sheshin e Lirisë, rikujtoi me forcë se “kulti i Zotit është në kundërshtim të plotë me kulturën e urrejtjes”. Edhe thirrja e fundit, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, para se të rikthehej në Romë, ishte për Idlibin:

“Mbi bregun tjetër të këtij deti, posaçërisht në veri-perëndim të Sirisë,  vijon një tragjedi e përbindshme - kujtoi - duke u bërë një thirrje të fuqishme aktorëve që marrin pjesë në të si edhe bashkësisë ndërkombëtare,   që të heshtë vringëllima e armëve e të dëgjohet vaji i të vegjëlve e të të pambrojturve; të lihen mënjanë llogaritë e interesat, për të shpëtuar jetën e civilëve dhe të fëmijëve të shumtë të pafajshëm, që po i paguajnë pasojat e saj”.

Një milion civilë në ikje nga Idlibi

Ndalim zjarri në Idlib: Turqia ndjek me vëmendje situatën. Ndërkaq në terren duket se mbretëron armëpushimi, pas marrëveshjes ndërmjet Rusisë e Turqisë. Ministri i Mbrojtjes i Ankarasë pohoi se Shtatmadhoria po ndjek me vëmendje situatën e se nuk ka pasur asnjë shkelje. “Ndërmjet masave të parashikuara nga marrëveshja, arritur të enjten e kaluar ndërmjet presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, është edhe fundi i aksioneve ushtarake në zonën e ashtuajtur ‘e sigurt’ të Idlibit si dhe krijimi i korridorit të sigurisë prej gjashtë kilometrash, në veri e në jug të autostradës M 4, që lidh Halebin me Lattakian. Nga 15 marsi pritet të nisin patrullimet e përbashkëta të ushtarakëve rusë e turq. Parashikohet që pas pak ditësh të arrijë në Anakara një delegacion ushtarak rus”.

Një javë më parë Turqia nisi një sulm të ri ushtarak kundër ushtrisë së presidentit sirian Bashar-al-Assad në Idlib, kështjellë xhihadiste e rrethuar nga trupat e Damaskut në veri-lindje të vendit, si përgjigje kundër sulmeve, gjatë të cilave vdiqën 33 ushtarë të saj, të angazhuar në Siri. E menjëhershme, përgjigjja e Rusisë, e cila vijon të mbështesë Assad-in. E edhe ndërhyrja e Bashkimit Evropian, që kërkon “t’u jepet fund sulmeve dhe shkatërrimit të infrastrukturave civile, duke përfshirë spitalet, shkollat dhe kampet e refugjatëve e të të shpërngulurve”. Unhcr, Komisariati i Lartë për Refugjatët i OKB-së, njoftoi se “në dhjetor më se 961 mijë vetë  u detyruan të largohen nga Idlibi e Halebi, për të shpëtuar jetën”.

08 mars 2020, 15:33