Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot 

Françesku në Engjëllin e Tënzot: me djallin nuk dialogohet kurrë

Françesku në Engjëllin e Tënzot kujtoi se “tundimi është orvatje për të ecur në udhë, që nuk janë të Zotit”. Pas lutjes mariane kërkoi të lutemi për ata, që ikin nga lufta dhe njoftoi se, me që është i ftohur, sivjet nuk do të marrë pjesë në ushtrimet shpirtërore të Kuries romake, që do të nisin sonte, në Ariccia. Papa shpjegoi se do t’i ndjekë meditimet duke u bashkuar shpirtërisht me Kurien.

R. SH. - Vatikan

“Përballë tundimeve, është një udhë e madhe, që mund ta ndjekim!”. Papa Françesku, duke i lidhur fjalët e tij  në lutjen e Engjëllit, me ato të Ungjillit të sotëm, kushtuar kohës së Kreshmëve, kujtoi se po këtë udhë e përshkon edhe Jezusi në shkretëtirë, ku përballon tundimin e shejtanit. Në fillim djalli i kërkon Jezusit, që ka uri, t’i shndërrojë gurët në bukë. Përgjigjja është e padiskutueshme: “Shkrimi i Shenjtë thotë: ‘Njeriu nuk jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Hyjit'”. Po djalli, krejt i pakënaqur, vijon tundimin. I kërkon ta vërë në provë besimin në Atin, duke u hedhur nga maja më e lartë e tempullit, sepse, e siguron: “Për ty Hyji do t’i urdhërojë engjëjt e vet,  dhe ata do të të mbajnë para duarsh, që këmba jote të mos vritet në ndonjë gur!”.

 “Kush  e do Zotin - nënvizoi Françesku – i beson mirësisë së Tij,  por pa e vënë kurrë në provë”. Prandaj Jezusi i përgjigjet djallit pa menduar dy herë: “Mos e vërë në provë Zotin, Hyjin tënd”.

Vjen, pastaj, tundimi i tretë. Djalli i mallkuar i ofron Zotit një “perspektivë  mesianiko-politike”. Po Jezusi - kujtoi Papa - nuk e pranon idhujtarinë e pushtetit e të lavdisë njerëzore e, në fund, e dëbon tunduesin, me fjalët:

“Ik, djall, sepse Shkrimi i Shenjtë thotë: ‘Adhuroje Zotin, Hyjin tënd,  dhe shërbeji vetëm Atij!’”.

Atëherë djalli e lë dhe, ja, i afrohen engjëjt dhe i shërbejnë.

Sa më shumë largohemi nga Zoti, aq më të pambrojtur jemi

Jezusi - kujtoi Papa - nuk dialogon me djallin, por i përgjigjet gjithnjë me fjalët e Atit. Me djallin nuk duhet dialoguar kurrë. Duhet të tregohemi shumë të vëmendshëm, kur ndjehet duhma e tij!  Përvoja e Jezusit - vijoi të shpjegojë Papa - duhet të na ndihmojë të jemi vigjilentë, të mos i nënshtrohemi asnjë idhulli:

“Edhe sot shejtani bën çmos të hyjë në jetën e njerëzve, për t’i tunduar me propozimet e tij joshëse; u flet me zërat e atyre, të cilët përpiqen t’ia shurdhojnë ndërgjegjen. Nga të katër anët vijnë mesazhe, që të ftojnë  të mos i kundërvihesh tundimit, ta provosh dehjen e shkeljes së ligjit. Përvoja e Jezusit na mëson se tundimi është orvatje për të ecur në udhë, që nuk janë të Zotit! Udhë, që na krijojnë  idenë se jemi të zotët e vetes, se mund ta gëzojmë jetën, duke e parë si qëllim në vetvete. Po e gjithë kjo s’është tjetër, veçse iluzion, që shuhet shpejt! Ngaqë shpejt kujtohemi se sa më shumë të largohemi nga Zoti, aq më të pambrojtur e më të çarmatosur e ndjejmë veten përballë problemeve të mëdha të jetës. Virgjëra Mari, Nëna e Atij, që ia shtypi kokën gjarpërit, na ndihmoftë në këtë Kohë Kreshmësh të jemi vigjilentë përballë tundimeve e të mos i nënshtrohemi asnjë idhulli të kësaj bote, por ta ndjekim Krishtin në luftën kundër së keqes e të dalim edhe ne fitimtarë, si Zoti”.

01 mars 2020, 14:03