Françesku, meshtarëve: faleminderit për afërsinë krijuese me besimtarët

Falenderimi i Papës për meshtarët e rregulltarët, të cilët impenjohen për të mos e lënë vetëm Popullin e Zotit, në këtë situatë të vështirë, shkaktuar nga emergjenca e koronavirusit. Të gjithëve, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, u përsërit se nuk jemi vetëm.

R.SH. - Vatikan

Falenderim për meshtarët e sidomos për krijimtarinë me të cilën i qëndrojnë pranë popullit të Zotit, në mënyrë që të mos ndihet vetëm. Fjalë, që i dalin nga zemra Papës Françesku, para lutjes së Engjëllit të Tënzot, në transmetim të drejtpërdrejtë në internet. Ati i Shenjtë iu drejtua me mirënjohje klerit:

“Dua të falenderoj të gjithë meshtarët… krijimtarinë e meshtarëve. Më vijnë shumë lajme nga Lombardia për këtë krijimtari, sepse vërtet, Lombardia është goditur më shumë. Meshtarë, që mendojnë një mijë mënyra për t’i qëndruar pranë popullit, që ai të mos ndihet i braktisur; meshtarë me zell apostolik, që e kuptojnë mirë se në kohë pandemie nuk duhet të bëjnë si ‘don Abbondio’. Faleminderit shumë të gjithë meshtarëve”.

Për ata, që nuk e dinë, sqarojmë se don Abbondio është personazh i romanit të njohur të Manzoni-t, “I promessi sposi”, njeri meskin, frikacak, që fshihet para vështirësive e pengesave. Duke i lavdëruar meshtarët italianë, që në këtë kohë koronavirusi nuk po bëjnë si ai, Ati i Shenjtë përmendi kryeipeshkvin e Milanos, imzot Mario Delpini, i cili hipi deri në kulmin e duomos, para Zojës së dashur për milanezët, para “Madonnina”-s së tyre, për t’iu përgjëruar për mbrojtje e mbështetje:

 “Në këtë çast, po përfundon në Milano mesha, që kryeipeshkvi e kremton në Poliklinë për të sëmurët, mjekët, infermierët, vullnetarët. Kryeipeshkvi është afër popullit të vet e, edhe afër Zotit me lutje. Më vjen ndërmend fotografia e javës së shkuar, i vetëm në majë të duomos, duke iu lutur Zojës”.

Papa Françesku, besimtarëve: nuk jemi kurrë vetëm

Izolimi, për shkak të koronavirusit, na ndihmoftë të rizbulojmë vlerën e bashkimit ndërmjet gjithë anëtarëve të Kishës, u lut Papa në përfundim të Engjëllit të Tënzot. “Të bashkuar në Krishtin, nuk jemi kurrë vetëm”, tha ai:

“Në këtë gjendje pandemie, në të cilën duhet të jetojmë pak a shumë të izoluar, jemi të ftuar të rizbulojmë dhe të thellojmë vlerën e bashkimit ndërmjet gjithë anëtarëve të Kishës. Të bashkuar në Krishtin nuk jemi kurrë vetëm, por përbëjmë një Korp të vetëm, Kreu i të cilit është Jezusi. Është unitet, që ushqehet me lutje e, edhe përmes bashkimit shpirtëror me Eukaristinë, një praktikë tejet e këshillueshme, kur nuk është e mundur të merret Sakramenti. Këtë e them për të gjithë, sidomos për njerëzit, që jetojnë vetëm”.

Papa, gjithnjë afër atyre, që ndihmojnë të sëmurët e të vetmuarit

 Siç bën tashmë çdo ditë, Papa Françesku e përfundoi Engjëllin e Tënzot, duke kujtuar punën e rëndësishme të punonjësve të shëndetësisë e të vullnetarëve, që po bëjnë ç’është e mundur për të ndihmuar të sëmurët e nevojtarët, në këtë kohë kur sëmundja Covid-19 vijon të përhapet e kur, një pas një, shtetet evropiane blindohen:

“Ritheksoj afërsinë time me gjithë të sëmurët e me ata, që i kurojnë. Si edhe me gjithë punonjësit e vullnetarët, të cilët ndihmojnë njerëzit, që nuk mund të dalin nga shtëpia, ose u plotësojnë nevojat më të varfërve e të pastrehëve. Faleminderit për përpjekjet, që bën secili prej jush, për të ndihmuar të tjerët, në këtë çast kaq të vështirë”.

15 mars 2020, 14:43