Françesku: Engjëlli i Tënzot dhe audienca do të transmetohen në streaming
R. SH. - Vatikan
Një komunikatë e Sallës vatikanase të Shtypit, lidhur me ngjarjet e ditëve të ardhshme, “njofton se lutja e Engjëllit të Tënzot e Atit të Shenjtë e së dielës, 8 mars, do të transmetohet nga Biblioteka e Pallatit Apostolik e jo në Sheshin e Shën Pjetrit, nga dritarja e Engjëllit. Lutja do të transmetohet drejtpërdrejt në streaming - sistem për trasmetimin e sinjaleve audio e video përmes internetit - nga Vatican News e në ekranet e Sheshit të Shën Pjetrit e do t’u përcillet nga Vatican Media, mjeteve të komunikimit që do të paraqesin kërkesën, në mënyrë që të mund të ndiqet nga besimtarët. Audienca e përgjithshme e së mërkurës, 11 mars, do të transmetohet me të njëjtat mënyra”.
Në komunikatë shpjegohet se “këto mënyra janë të nevojshme për të shmangur rrezikun e përhapjes së COVID-19, për shkak të grumbullimit të njerëzve gjatë kontrolleve të sigurimit lidhur me hyrjen në shesh, siç kërkohet nga autoritetet italiane”. Veç kësaj, “në përkim me vendimin e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Higjienës të Shtetit të Qytetit të Vatikanit, deri të diel, më 15 mars, do të ndërpritet edhe pjesëmarrja e besimtarëve mysafirë në Meshët e Shën Martës. Ati i Shenjtë do ta kremtojë privatisht Eukaristinë”.